Tatimi në pronë dhe taksat komunale janë burimi kryesor i të hyrave të buxhetit të komunës, që mblidhen në nivel lokal nga ana e shërbimeve komunale.
Tatimi në pronë dhe taksat komunale duhet të paguhen në afat prej 15 ditëve që nga dita e pranimit të aktvendimit të lëshuar nga organet e administratës komunale. Ata që eventualisht nuk do të pranojnë aktvendime, për t`i marrë të njëjtët dhe për informata plotësuese, duhet të drejtohen në Qendrën për informim të qytetarëve dhe në Shërbimin komunal për tatime dhe taksa komunale në kuadër të komunës.
Të hyrat në buxhetin e komunës nga tatimi në pronë dhe taksat komunale, përdoren për të përmirësuar dhe avancuar shërbimet komunale në interesin e përgjithshëm, duke investuar në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërtimin, sanimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe rrugicave lokale, mirëmbajtjen e ndriçimit publik, mirëmbajtjen e pastërtisë publike dhe hapësirave të gjelbra, mirëmbajtjen e çerdheve për fëmijë dhe të shkollave në qytet dhe rrethinë, ndërtimin e terreneve sportive, rritjen e cilësisë së pajimeve për mbrojtje nga zjarri dhe rreziqet natyrore, si dhe për mbështetjen e aktiviteteve sociale, kulturore dhe humanitare.
Komuna e Gostivarit ka filluar me aksionin për azhurnimin e bazës së të dhënave për obliguesit tatimorë, me qëllim që t`i vendosë në pozitë të barabartë të gjithë obliguesit tatimorë, që disponojnë me pronë të patundshme. Ky aksion realizohet duke respektuar Ligjin për tatimet, Metodologjinë ligjore dhe Kriteret për përcaktimin e vlerës në treg të patundshmërive, nga ekipi i vlerësuesve të autorizuar të përzgjedhur në bazë të shpalljes publike. Që ky aksion të zhvillohet me sukses në dobi të të gjithëve, apelojmë që të bashkëpunoni me përcaktuesit e vlerës në treg të patundshmërive, duke ju vënë në shërbim informata dhe dokumente të nevojshme për pronën tuaj.
Duke paguar në kohë tatimin në pronë dhe taksat komunale, ne investojmë për të mirën e të gjithëve, për të mirën e fëmijëve tanë, sepse mundësojmë dhe përshpejtojmë zhvillimin e Komunës tonë.
Paratë tona, në dobi të komunës tonë.
Me respekt, Dr. Rufi Osmani
Kryetari i Komunës së Gostivarit
Në vazhdën e aktiviteteve të ndërmarra nga Komuna e Gostivarit në sferën e zhvillimit rural dhe në bazë të memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar me Programin për mbështetjen e shërbimeve këshillëdhënëse në bujqësi (MAASP) i financuar nga SIDA (Agjencioni Suedez për Zhvillim Ndërkombëtar ) këto ditë u mbajt takimi i parë i Grupit Lokal për Zhvillim Rural të Komunës së Gostivarit (GLZHR).
Në këtë takim të pranishëm ishin shtëpia konsultuese IDEA OK, Grupi Lokal për zhvillim Rural të Komunës së Gostivarit i përbërë nga përfaqësues të sektorit privat, civil dhe publik me çka Grupi Lokal për Zhvillim Rural të Komunës së Gostivarit u njoftua me planin e aktiviteteve që ky grup duhet të ndërmarrë gjatë periudhës vijuese.
Me rastin e 7 marsit - Ditës së mesuesit, kryetari i komunës Dr. Rufi Osmani u ndau mirënjohje në shenjë falenderimi mësimdhënesve veteran te arsimit në Gostivar, për kontributin e dhënë në arsimin shqip.
Ne praninë e mësimdhënësve që gjinden afër pensionimit, ceremoninë e filloi zëdhënësja e komunës Shemije Elezi me nje shtjellim historik të rëndësisë së 7 Marsit. "7 Marsin e kujtojmë me respekt të thellë për mësuesit e parë shqiptarë të cilet n`a e lanë amanet gjuhën shqipe, të cilën e flasim tani" - nënvizoi mes tjeras zonjusha Elezi.
Kryetari Osmani shprehu falenderim për kontributin që kanë dhënë deri sot mësimdhënësit në të gjitha nivelet shkollore.
"Të gjithë ju individualisht keni dhënë maksimumin nga qenia juaj si kontribut mendor, si përkrahje civilizuese dhe keni kryer me nderë punën në shkolla të ndryshme ku ju keni dhënë kontributin tuaj si të punësuar. Unë shpreh falenderimin e veçantë për kontributin që ju keni dhënë gjatë kohës sa keni qenë të punësuar në arsim, ky kontribut i juaj sot manifestohet në shumë njerëz të niveleve më të larta intelektuale dhe shkencore që ne i kemi." - u shpreh kryetari Osmani.
Sot, kur gratë nga të gjitha kontinentet festojnë ditën e tyre, ato me krenari mund të shohin mbrapa në luftën shekullore për paqe, barazi dhe drejtësi. Dita e grave ka filluar të festohet në vitin 1911, kurse OKB 8 marsin e shpall Ditë ndërkombëtare të grave në vitin 1975. Por, lufta e grave për barazi daton shumë më herët, duke filluar që nga Greqia antike, kur historia shënon protestat e para të grave kundër shoqërisë patriarkale.
Komuna e Gostivarit insiston dhe punon në barazinë dhe respektin ndaj grave në arsim, në jetën sociale si dhe ndarjen e përgjegjësive dhe obligimeve në familje. Por vetë gratë duhet të kërkojnë më shumë, ta ngrenë zërin më tepër, sepse jetojmë në një shoqëri që nuk ka përse gruaja të mos jetë e pranishme në të gjitha sferat e politikës dhe të shoqërisë, të shkencës dhe kulturës.
Kryetari i komunës dhe Kryesuesi i këshillit shprehin falënderim të thellë për kontributin që gjitha nënat, motrat dhe vajzat tona, japin në zhvillimin e një shoqërie më të mirë në komunën e Gostivarit.
Urime të përzemërta, barazi, liri dhe respekt për gjithë jetën!
Kryetari i Komunës - Dr.Rufi Osmani
Kryetari i Këshillit – Dr. Fadil Zendeli
Prej dekadash 7 Marsi shënohet si festë e mësuesve shqiptarë për nder të “Mësonjëtores së parë” në gjuhën shqipe. Kjo është dita e edukuesve të brezit të ri, të cilët ushtrojnë një mision sa fisnik aq edhe të vlefshëm në ditët e sotme. E ardhmja dhe arsimimi i fëmijëve tanë varen nga vlerat tradicionale të kultivuara nga familja dhe mësuesit.
Më 7 mars të vitit 1887, në Jug të Shqipërisë, në Korçë, u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe, që punoi 15 vite me radhë. Edhe pse u mbyll nga Perandoria Osmane, në këto 15 vite u shkolluan shumë nxënës në gjuhën amëtare, të cilët pastaj jo vetëm se u bënë pishtarë të arsimit, por edhe luftëtarë të flaktë për lirinë e Shqipërisë.
7 Marsin e kujtojmë me respekt të thellë për mësuesit e parë shqiptarë të cilët n`a e lanë amanet gjuhën shqipe, të cilën e flasim tani. Mësuesit - prindërit tanë të dytë, u sakrifikuan me vite të tëra, andaj shprehim falënderimin për gjithçka që bënë për ne, për durimin që kishin dhe për tërë diturinë që mbollën në ne.
Të gjithë atyre që punuan dhe punojnë në mësimdhënie, ua urojmë Ditën e mësuesit.
Gëzuar të gjithë edukatorëve, mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve!
Gëzuar të gjithë parashkollorëve, nxënësve dhe studentëve!
Kryetari i Komunës - Dr. Rufi Osmani
Kryetari i Këshillit – Dr. Fadil Zendeli