Kryetari Taravari dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, pjesëmarrës në Samitin e Brukselit

23.11.2017
Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, do të marrin pjesë në Samitin vjetor evropian “Ballkani Perëndimor në udhëkryq-Sfidat e reja, ndryshimi i dinamikës”, që do të mbahet më 5 dhjetor në Bruksel.

Samiti organizohet në bashkëpunim me Konrad-Adenauer Stiftung, UNDP-në dhe United States European Comman (EUCOM) me mbështete të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), Komisioni Evropian dhe Rockefeller Brothers Fund.

Samiti mbahet pak para miratimit të strategjisë së re të Komisionit Evropian për zgjerim në rajon, i paraparë të bëhet në fillim të vitit 2018.
Në samit do të marrin pjesë edhe personalitete tjera nga rajoni dhe nga Komisioni Evropian.

Shërbimi për informim

Përfaqësues të SECO dhe NP Komunalec, evaluojnë realizimin e projektit për ujësjellësin

23.11.2017

Këshilli drejtues i projektit “Përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë në komunën e Gostivarit”, mbajti mbledhjen e rregullt, të tetën me radhë, me ç’rast konsulentët bënë prezantimin e fazës së dytë të projektit në fjalë.
Ekspertë të SECO-s, përfaqësues të NP “Komunalec” dhe të Komunës së Gostivarit, dolën në vendngjarje për të vlerësuar ndërtimin e rezervuarit se në ç’fazë ka arritur, si dhe masat emergjente që janë ndërmarrë tek burimi i lumit Vardar.

Me këtë rast drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” Isak Lazami, siguroi përfaqësuesit e SECO-s se ndërmarrja publike dhe komuna e Gostivarit, do të punojnë intensivisht në realizimin e këtij projekti me rëndësi jetike për qytetarët e Gostivarit dhe se do të punohet me hapa të përshpejtuar për të shmangur vonesat të cilat janë paraqitur në realizim gjatë mandatit të shkuar.

Përndryshe, projekti “Përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë në komunën e Gostivarit”, mundësohet me grant nga SECO (Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike), kreditim nga banka gjermane KFW, si dhe pjesëmarrje me shërbime të Komunës së Gostivarit. Vlera e përgjithshme e projektit, në të gjitha fazat, arrin shifrën 7.200.000 euro.

Shërbimi për informim

Trajnim për fëmijët me nevoja speciale

21.11.2017

Si të arrihen rezultate më të mira në trajtimin e fëmijëve autik, ishte qëllimi i trajnimit të sotëm të zhvilluar në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, ku të pranishëm ishin defektologë, logopedë, mësimdhënës, eduakatore, punonjës socialë dhe prindër të fëmijëve autik.

Tarjnimin e realizuan profesionistë nga Qendra e autizimit “Fluturo për jetën” nga Elbasani, në bashkëpunim me Qendrën e personave me aftësi të kufizuar “Porosia” nga Dibra, me mbështetje logjistike të Komunës së Gostivarit.

Ligjërues në këtë trajnim ishin logopedi Gjergji Doka, punonjësi social Xhafior Cankja dhe fizioterapisti Erald Pasa, ndërsa në fund të trajnimit u prezantua një video-material me histori suksesi.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i komunës së Gostivarit, dr. Arben Taravari i cili tha se autizmi si nocion dikur, edhe pse i pranishëm, ka qenë më pak i njohur në trevat tona, ndërsa tani fatkeqësisht ka marrë përmasa më të mëdha dhe kërkon një trajtim adekuat.

“Në këtë drejtim është edhe ky trajnim i sotëm, i cili shpresoj se do tu ndihmojë edhe profesionistëve edhe prindërve të cilët kanë fëmijë me autizëm. Falënderoj përfaqësuesit e shoqatave nga Elbasani dhe nga Dibra, për realizimin e këtij trajnimi dhe shpresoj se trajnime dhe aktivitete të ngjashme do të organizoni edhe në të ardhmen, ndërsa administrata komunale do të jetë gjithmonë në dispozicion për të ofruar asistencën dhe logjistikën e nevojshme”, tha Taravari.

Krahas pjesës formale të trajnimit, të pranishmit shkëmbyen prëvojat e tyre në trajtimin e fëmijëve me autizëm, ndërsa prindërit patën mundësi që individulisht të konsultohen me ligjëruesit.

Shërbimi për informim

Taravari: Shahu në Gostivar do ta ketë vendin e merituar

21.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij anëtarë të kryesisë së Klubit të Shahut “Gostivari”.

Taravari me këtë rast përgëzoi shahistët gostivaras Ahmet Sallamni dhe Feti Kamberi për suksesin e treguar në turnirin e mbajtur ditëve të fundit “Kampionati i Shkupit Open 2017” në Shkup, duke cekur se shahu megjithëse nuk kërkon aktivitet fizik, ai mund të llogaritet si një sport fisnik.

Shahistët njoftuan kryetarin e komunës se klubi i shahut në Gostivar ekziston që nga viti 1950, ndërsa për shkak të mospërkrahjes institucuionale ka pasur në disa raste pezullim të aktiviteteve. Po ashtu, ata njoftuan kryetarin Taravari se tash e 3 vjet radhazi në Gostivar organizohet Kampionat lokal shahu dhe se funksionon edhe shkolla e shahut në kuadër të klubit.

Ata kërkuan mbështetje nga kryetari për realizimin e aktiviteteve të parapara dhe për forcim të kapaciteteve të klubit, për çka morën përgjigje pozitive.

“Do të kem konsideratë ndaj kërkesave tuaja modeste dhe të arsyeshme, dhe do ta keni mbështetjen e merituar në drejtim të avancimit të shahut në komunën tonë. Shoh entuziazëm dhe sinqeritet nga ana juaj, andaj do ta keni mbështetjen korrekte institucionale të komunës së Gostivarit”, i siguroi kryetari Taravari shahistët.

Ai po ashtu njoftoi mysafirët se ngritja e cilësisë së jetës kulturore dhe sportive zë vend të posaçëm në programin e komunës për mandatin katërvjeçar.

Shërbimi për informim

E diela – “Festival basketbolli” në Gostivar

Të dielën në ora 17 në palestrën sportive “Rinia” në Gostivar, do të zhvillohet ndeshja basketbollistike ndërmjet KB “Gostivari” dhe KB “Rabotnçki” nga Shkupi. Meqë kjo ndeshje, si derbi e javës, ka ngjallë interesim të madh, e njëjta do të transmetohet drejtpërsëdrejti në TVM, ndërsa pritet që të njëjtën ta ndjekë edhe kryetari i komunës së Gostivarit, dr. Arben Taravari.

“Të nderuar, Gostivari është sërish qendra e basketbollit në Maqedoni. I pamposhturi Rabotniçki në vullkanin RINIA, para provimit më serioz të këtij viti. Të dielën në ora 17, ejani dhe bëhuni dëshmitarë të spektaklit ku edhe TVM zgjodhi që shtetit t’ia transmetojë ndeshjen drejtpërsëdrejti në televizion”, thonë nga KB Gostivari.

Nga atje njëherit ftojnë sportdashësit gostivaras që ta pasurojnë “festivalin e radhës të basketbollit” dhe të përkrahin basketbollistët e Gostivarit në reprizën e finales së vitit 2000, që e solli titullin e vetëm kampional në Gostivar.

Shërbimi për informim

Interesim për të ndihmuar fëmijët me nevoja speciale

16.11.2017

Komuna e Gostivarit për këtë mandat katërvjeçar do të bëjë përpjkeje maksimale që të ndihmojë personat me nevoja speciale, me theks të posaçëm fëmijët. Në këtë drejtim, kryetari i komunës së Gostivarit realizoi sot një takim me koordinatoren e Qendrës për resurse të mbështetur nga UNICEF, Margarita Millosheska.

Znj. Millosheska e njoftoi kryetarin Taravari për nevojën për implementim të një projekti për asistencë për shkollat dhe asistencë shtëpiake për personat dhe fëmijët me nevoja speciale, si dhe se për momentin është duke punuar në proejktin e mbështeturr nga UNICEF “Karavani filmik për fëmijëri pa pengesa”.

Kryetari i komunës së Gostivarit, e siguroi znj. Millosheska se Komuna e Gostivarit do të mbështesë çdo iniciativë për përmirësimin e cilësisë së jetës të personave me nevoja speciale, dhe se statusi i persоnave në fjalë zë një vend të rëndësishëm në programin e komunës së Gostivarit për mandatin 2017-2021.

Shërbimi për informim

Kryetari i Vrapçishtit Isen Shabani për vizitë në komunën e Gostivarit

16.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, priti sot në kabinetin e tij kryetarin e komunës së Vrapçishtit Isen Shabani.
Kryetarët e dy komunave fqinje, biseduan në lidhje me gjendjen aktuale në komunat të cilat i udhëheqin dhe shqyrtuan modalitetet për kryerjen e reformave të nevojshme, me theks të veçantë bashkëpunimin në nivel të rajonit të Pollogut.

“Kam kënaqësinë që sot të kem mysafir një mik të afërt timin, me të cilin do të bashkëbisedojmë për më shumë çështje. Si dy komuna fqnije, Gostivari dhe Vrapçishti kanë më shumë probleme identike, dhe disa prej tyre mund të kenë vetëm zgjidhje të përbashkët. Do të theksoja me këtë rast çështjen e menaxhimit me mbeturina, problem ky i cili presim të zgjidhet falë mbështetjes nga ana e Ambasadës zvicerane, me të cilët siç janë të njoftuar qytetarët pata një takim pune këtyre ditëve”, deklaroi për media Taravari para takimit.

“Mund të them se kjo është vizita e ime e parë zyrtare si kryetar komune, dhe më vjen mirë që e relizoj atë pikërisht me një mik timin të ngushtë. Siç theksoi edhe dr. Taravari kemi shumë çështje të prëbashkëta të cilat i tangojnë qytetarët tanë. Komunën e trashëgova me një borxh prej mbi 2.3 milon euro, por shpresoj se më një menaxhim të mirë dhe me bashkëpunim të dalim nga situatra e palakmueshme”, theksoi Shabani.
Të dy kryetarët thanë se vizita të këtilla planifikojnë që të realizojnë edhe me homologët e tyre nga komunat tjera dhe të vendoset një bashkëpunim i mirëfilltë në nivel të Rajonit planor të Pollogut.

Shërbimi për informim

Departamenti për arsim i bashkëngjitet aksioni humanitar “Mos hidh por dhuro”

16.11.2017

Departamenti për arsim, kulturë dhe sport pranë Komunës së Gostivarit iu bashkangjit iniciativës “Mos hidh por dhuro”. Në kuadër të kësaj iniciative, dita e mërkurë, e enjte dhe e premte u shpallën si Ditë të humantetit.

“Të mobilizohemi dhe të tregojmë se humaniteti, vullneti pozitiv dhe dashuria për njëri tjetrin akoma banojnë në këtë vend”, thotë përgjegjësja e Departamentit për arsim znj. Aslian Snopçe, duke precizuar se për këtë qëllim do të grumbullohen libra dhe lodra për fëmijë të moshës prej 2 deri më 5 vjeç.

Departamenti për arsim, apelon deri tek të gjithë ata të cilët kanë mundësi të dhurojnë lodra për fëmijë, të paraqiten në numrin e telefonit 070 345 235, ose librat dhe lodrat për fëmijë t’i dërgojnë në lokalin e iniciativës “Mos hidh por dhuro” që gjendet përballë Qendrës emergjente të Spitalit të Gostivarit, apo drejtpërsëdretji te çerdhja për fëmijë.

Shërbimi për informim

Ambasada e Zvicrës paralajmëron fillimin e dy projekteve të reja në Gostivar

14.11.2017

Këshilltari rajonal për ujë dhe menaxhim me mbetjet pranë Ambasadës së Zvicrës në Maqedoni – Cliff Hammer, i shoqëruar nga Bujar Ibishi dhe Stanisllava Dodeva, realizoi sot një takim pune me kryetarin e komunës së Gostivarit, dr. Arben Taravari.

Duke uruar kryetarin Taravari për postin e ri, z. Hammer u interesua për punën e tij në ditët e para të mandatit.

Me këtë rast, ai njoftoi kryetarin e komunës së Gostivarit për dy projektet e reja të cilat së shpejti duhet të fillojnë të implementohen dhe të cilat financohen nga qeveria zvicerane.

Menaxhimi rajonal me mbeturinat është projekti i financuar nga ambasada zvicerane në bashkëpunim me Rajonin Planor të Pollogut. Projekti tjetër, është Plani për mbrojtje nga vërshimet që do të implementohet nga UNDP, ndërsa po ashtu do të financohet nga ambasada zvicerane.

Me miratimin e këtij plani, Gostivari do të jetë komuna e parë në Maqedoni me plan për mbrojtje preventive nga vërshimet.

Në kuadër të vizitës në Gostivar, delegacioni i ambasadës zvicerane qëndroi në fshatin Vërtok, ku u njoftuan nga afër me punët përfuindimtare të fazës së parë të ndërtimit të rezervuarit për ujë të pijshëm, projekt ky i financuar nga Departamenti Zviceran Federal për Çështje Ekonomike  SECO

Shërbim për informim

Kryetari filloi turin e vizitave nëpër shkollat fillore dhe të mesme

13.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit dr. Arben Taravari, turin e vizitave në shkollat fillore dhe të mesem e filloi në shkollën më të vjetër të qytetit “Ismail Qemali”. Me këtë rast ai zhvilloi një takim me të punësuarit nlë këtë shkollë dhe kërkoi nga kolektivi që të japë propozimet për caktimin e ushtruesit të detyrës drejtor shkolle.
“Dalëngadalë duhet t’i përzgjedhim drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme. Sipas meje, një ndër shkollat më prestigjioze dhe më të rëndësishme është shkolla në të cilën edhe unë vetë kam mësuar, respektivisht shkolla “Ismail Qemali”. Vlerësoj se kuadri mësimdhënës duhet të jetë pjesë e përzgjedhjes së drejtorit dhe prandaj gjendem këtu që të dëgjoj propozimet e tyre. Do marr disa propozime prej tyre dhe së shpejti do të përcaktohem për njërin prej tyre”, deklaroi për media kyretari Taravari, duke precizuar se vizita identike do të zhvillojë ditëve në vijim edhe në shkollat tjera më të mëdha të qytetit.

Në pyetjen gazetareske se cila është gjendja me ngrohjen nëpër shkolla, kryetari i komunës së Gostivarit sqaroi se aktualisht nuk ka probleme. “Prokurimi publik për naftë është bërë paraprakisht nga udhëheqësia e kaluar, me përjashtim të disa shkollave më të vogla në vendbanimet rurale ku si lëndë djegëse shfrytëzohen drutë. Sot dhe ditët në vijim do të bëhet furnizimi me naftë nëpër shkolla dhe shpresoj se nuk do të kemi probleme në këtë drejtim. Problemin që u shfaq në SHF “Mustafa Kemal Ataturk”, në qytet dhe në fshatin Zdunjë, Sektori i arsimit e tejkaloi me sukses”, sqaroi Taravari.

Shërbimi për informim