Ish kryetarët e komunës së Gostivarit urojnë Taravarin

10.11.2017

Ish kryetarët e komunës së Gostivarit Rufi Osmani, Enver Zenku dhe Xhemail Rexhepi, si dhe ish kryetari i Këshillit të Komunës Refik Dauti, ishin sot mysafirë të kryetarit Arben Taravari.
“Kam kënaqësinë që sot të pres të gjithë ish kryetarët e, do të thoja, Gostivarit demokratik prej vitit 1992 e këndej, përveç njërit i cili nuk erdh as të bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, si dhe ish kryetarin e Këshillit të Komunës z. Refik Dauti.

Shpresoj që kjo të mbetet edhe si traditë në Gostivar, që kryetari aktual t’i pret si mysafirë ish kryetarët, e pse jo edhe si këshillues për mbarëvajtje të menaxhimit me komunën. Tash do të bisedojmë dhe pres prej tyre që të më japin edhe këshilla se si do të ishte mirë që të menaxhohet komuna”, deklaroi shkurt për mediat kryetari i komunës së Gostivarit dr. Arben Taravari.

Në emër të mysafirëve, deklaratë për media dha edhe kryetari i komunës së Gostivarit në periudhën 1996-1998 dhe 2009-2013, prof.dr. Rufi Osmani.

“Erdhëm së bashku që kryetarit aktual dr. Arben Taravari, t’ia urojmë fitoren e pastër demokratike dhe t’i japim mbështetje që këtë mandat ta ketë të suksesshëm dhe nëse ka nevojë t’i ofrojmë edhe asistencë profesionale dhe menaxheriale. Jam i bindur se me mbështetje edhe të qeverisë aktuale, e cila këtë ia ka borxh dr. Taravarit, ai ta nisë dhe përfundojë me sukses shërimin ekonomik social dhe institucional të Komunës së Gostivarit”, deklaroi Osmani duke shprehur bindjen se dr. Taravari, ashtu siç ishte ministri më i suksesshëm, do të jetë edhe kryetar më i suksesshëm dhe se do të realizojë më shumë sesa të gjithë kryetarët e deritashëm së bashku.
Ish kryetarët Osmani, Zenku dhe Rexhepi i dhuruan kryetarit aktual Taravari një pikturë artistike, vepër e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Ylber Zylfiqari.

Shërbimi për informim

Brifing me gazetarët, Taravari premton bashkëpunim dhe transparencë

10.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari organizoi një takim joformal me gazetarët lokalë. Në takimin i cili kaloi në një atmosferë miqësore, kryetari i njoftoi ata, se prej javës së ardhshme do të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë shërbimi për informim dhe se mangësitë eventuale në ditët e para të mandatit të tij do të tejkalohen.

“Ju siguroj se së shpejti do të kemi një ekip të konsoliduar të PR-it dhe se në kohë reale do të jeni të informuar me të gjitha ngjarjet që janë me interes për ju si gazetarë për të informuar publikun e gjerë. Ekipi i PR-it do të jetë i hapur për bashkëpunim, ndërsa do të keni qasje të shpejtë edhe për çdo informatë me karakter publik”, theksoi Taravari dhe shtoi se takimet e këtilla joformale do të jenë praktikë e rregullt e që do të organizohen të paktën një herë në muaj.

Brifingun, gazetarët e shfrytëzuan edhe për tu informuar në lidhje me aktualitetet në Komunë, në ditët e para të mandatit të kryetarit Arben Taravari.
Ata u informuan nga kryetari se tashmë në postin ushtrues detyre në Ndërmarrjen publike “Komunalec” është caktuar Isak Lazami, ndërsa Sektorin e urbanizmit do ta udhëheq ekip treanëtarsh në përbërje Sefedin Bilalli, Vanço Aleksoski dhe Bekim Aliu, ku të tre do të nënshkruajnë çdo dokument që del nga ky sektor.
Në lidhje me caktimin ushtruesve të detyrës në shkollat fillore dhe të mesme, kryetari Taravari njoftoi gazetarët se prej të hënës do të zhvillojë takime me kuadrin mësimor dhe prej tyre do të kërkojë që të paraqesin listë prej tre personash, prej të cilëve kryetari do ta përzgjedh njërin.

“Këtë do ta bëj me qëllim që të realizoj atë që kam pasur synim dhe që kam premtuar në fushatë, tas depolitizojmë dhe departizojmë arsimin si një sferë e cila tangon më të dashurit tonë, fëmijët, dhe që duhet të na sigurojë një të ardhme të ndritur”, theksoi Taravari, duke nënvizuar se për emërimin e drejtorëve me mandat të plotë, do të shpallen konkurse përkatëse dhe do të ndiqet proceduar e rregullt.
Gazetarët, u interesuan edhe në lidhje me konstituimin e Këshillit të Komunës, me ç’rast morën përgjigje se tashmë është siguruar shumica e nevojshme me tendencë që ajo të zgjerohet në të ardhmen e afërt.

“Presim që brenda ditëve në vijim, të marrim përgjigje pozitive edhe prej BDI-së në lidhje me konvokimin e mbledhjes konstituive të Këshillit të Komunës. Dëshiroj që të kemi një konsensus sa më të gjerë në vendimmarrje dhe kjo njëherit të reflektojë si shembull i mirë edhe për nivelin qendror”, potencoi kryetari i komunës dhe shtoi se për kryetar të këshillit do të jetë i propozuar bartësi i listës së Aleancës për Shqiptarët, dr. Besim Memedi.

Shërbimi për informim

Ngriti siparin edicioni i parë i Festivalit të Teatrove “Othello” – Gostivar

10.11.2017

Në Qendrën për kulturë në Gostivar, në sallën e mbushur deri në ulësen e fundit, u hap mbrëmë edicioni i parë i Festivalit të Teatrove “Othello” në organizim të Shoqatave për Kulturë “Othello” dhe “Fishta” nga Gostivari.
Festivalin e shpalli të hapur kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, i cili para artdashësve gostivaras tha se politika duhet të heqë dorë nga kultura dhe ta lë atë që të frymojë lirshëm.

“Kam nderin që ta shpall të hapur edicionin e parë të Festivalit të Teatrove “OTHELLO” – Gostivar, organizuar nga SHK “Othello”dhe SHK “Fishta” që do të zgjasë deri më 13 nëntor. Unë e kuptoj kulturën si ushqim shpirtëror andaj zotohem se Komuna e Gostivarit në të ardhmen do ta mbështesë këtë festival me qëllim që i njëjti të shndërrohet në një festival tradicional teatrosh që aq shumë i ka munguar qytetit tonë.

I përgëzoj të gjithë ata që kontribuuan që ky festival të jetësohet, e sidomos drejtorin e festivalit Argjent Hasani me të cilin ndaj mendimin se përfundimisht politika duhet të shkëputet nga kultura dhe arti të frymojë lirshëm në të ardhmen në këto troje.
Ju ftoj që njëlloj si sonte, edhe në netët tjera ta mbushim përplot sallën e Qendrës për kulturë. Të kënaqemi vetë dhe ta shpërblejmë me duartrokitje mundin e aktorëve. “, theksoi mes tjerash Taravari.

Të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Festivalit, aktori gostivaras Argent Hasani, I cili me këtë rast falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan dhe ndihmuan që ky Gostivari të jetë nikoqir i një festivali kaq të rëndësishëm.
“Nuk ka fund suksesi, nuk ka fund ideja, prandaj jemi përpjekur në maksimum që qytetarët tanë të kenë se çka të shohin, qytetarët të dalin nga ajo kafeja e përditshme dhe të vijnë të mbushin shpirtin me art. Uroj që festivali të bëhet tradicional dhe të mos ndalet këtu. Jemi të hapur për të gjithë artistët kudo që janë me të vetmin qëllim që spektatorit t’i sjellim më të mirën nga ne.

Faleminderit publikut që mund ta mbajë të gjallë këtë festival”, tha Hasani,
Në natën e parë të Festivalit u shfaq komedia “Një jetë me ty” të teatrit “Aleksandër Moisiu”, nga Durrësi me autor dhe regjisor Erion Kame.
Ndryshe, Festivali ka karakter garues, ndërsa juria profesionale përbëhet nga Sulejman Rushiti, Ismet Ramadani dhe Muzafer Etemi.

Shërbimi për informim

Myftiu Fetahu dhe bashkëpunëtorët e tij, uruan Arben Taravarin

7.11.2017

Myftiu i Gostivarit Shaqir ef. Fetahu i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, u pritën nga kryetari i komunës së Gostivarit dr. Arben Taravari.

Shaqir ef. Fetahu në emrin e tij personal dhe në emër të Myftinisë së Gostivarit, përgëzoi kryetarin Taravari për postin, duke i dëshiruar atij punë të suksesshme në udhëheqjen me Komunën e Gostivarit në katër vitet e ardhshme.

Kryetari Taravari, falënderoi myftiun për vizitën dhe për uratat, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mirëfilltë me BFI – Gostivar si institucion fetar që përfaqëson qytetarët e besimit islam të Gostivarit, komunitet ky numerikisht dominant në komunë.

Shërbimi për informim

TIKA e gatshme për thellim të bashkëpunimit me Komunën e Gostivarit

07.11.2017

Një delegacion i lartë i Agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim TIKA, kryesuar nga Aytekin Ayden – koordinator për Maqedoni , ishin dje mysafirë të kryetarit të komunës së Gostivarit, dr. Arben Taravari.

Përfaqësuesit e TIKA-s, ia uruan kryetarit Taravari postin e kryetarit të komunës dhe bashkëbiseduan në lidhje me projektet e realizuara deri më tani të kësaj agjencie në komunën e  Gostivarit dhe më gjerë.

Ata shfaqën interesim për programin zgjedhor të kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke i dëshiruar atij sukses në postin e ri.

Kryetari i komunës së Gostivarit, shprehu falënderim për mbështetjen e fuqishme të Agjencisë TIKA në realizimin e shumë projekteve me rëndësi jetike për qytetarët e komunës së Gostivarit, njëherit shprehu gatishmëri që bashkëpunimi të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.

Taravari njoftoi përfaqësuesit e TIKA-s, se në përputhje me programin fitues zgjedhor, do të angazhohet për avancimin e të drejtave të komuniteteve të cilat nuk përbëjnë shumicë në nivel lokal, me theks të veçantë të komunitetit turk.

Shërbimi për informim

Kryetari Arben Taravari priti përfaqësuesen e përhershme e UNDP në Maqedoni znj. Louiza Vinton

07.11.2017

Kryetari I komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti dje në kabinetin e tij një delegacion të lartë të UNDP-së në krye me përfaqësuesen e përhershme për Maqedoni, znj. Louiza Vinton.

Taravari e njoftoi znj. Vinton me programin zgjedhor i cili tashmë duhet të implementohet në praktikë duke përfshirë sferat më jetike siç janë arsimi, mbrojtja e ambientit jetësor, zbutja e papunësisë, zhvillimi ekonomik lokal, transparenca dhe llogaridhënia, lufta kundër korrupsionit e të tjera.

Me këtë rast kryetari i komunës vuri në dukje, se nga ish kryetari ka trashëguar arkën e zbrazur me borxhe enorme, lartësia e të cilave akoma saktësish nuk dihet.  

Njëherit, Taravari falënderoi znj.Vinton për bashkëpunimin e deritashëm me komunën e Gostivarit, duke shprehur gatishmëri për një bashkëpunim akoma më të thellë dhe më transparent në të ardhmen, duke e siguruar atë se ai administrata komunale do të jenë partnerë të denjë për bashkëpunim.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni znj. Louiza Vinton, uroi kryetarin Taravari për detyrën e re dhe shprehu gatishmëri që krahas projekteve aktuale të financuara nga ana e UNDP-së, në të ardhmen të financohen projekte akoma më të mëdha dhe më të rëndësishme   

Shërbimi për informim