Intervenohet në kanalizimin në lagjen Lajthia, Taravari ndjek nga afër punimet

11.12.2017

Një delegacion i komunës së Gostivarit i kryesuar nga kryetari Arben Taravari doli në vendngjarje, që nga afër t’i përcjellë punimet që po kryhen për rikonstruim të rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza, duke njoftuar banorët se ky problem do të zgjidhet brenda tri ditëve.

“Edhe pse jemi vetëm 5 javë në Komunë, sot po bëhet një punë e rëndësishme e cila i ka munduar banorët për 15 vite. Sot fillon investimi në kanalizimin fekal për ujëra të zeza në lagjen Lajthia. Ishte ky një nga premtimet tona parazgjedhore dhe shpresojmë se për 3 ditë ky problem do të zgjidhet”, theksoi kryetari Taravari, duke rikujtuar me këtë rast edhe investimin që po bëhet në fshatin Debresh për ndërtimin e kanalizimit për nevojat e një pjese të fshatit.

Banorët e lagjes Lajthia të Gostivarit sot pas 15 vitesh, po i gëzohen zgjidhjes së problemit me rrjetin e kanalizimit, defekti i të cilit pasonte me vërshime nëpër oborret dhe bodrumet e tyre, sa herë që reshjet e shiut binin me një intensitet më të lartë.

Vetëm një javë më parë ata u vërshuan për herë të fundit duke kërkuar ndihmë nga institucionet kompetente që ky problem të zgjidhet.

Shërbimi për informim

Punëtori për planin territorial të punësimit

11.12.2017

Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me UNDP, organizuan sot një punëtori në temë: Plani Territorial i Punësimit në komunën e Gostivarit që ka për qëllim krijimin e një strategjie për punësime inkluzive në këtë komunë.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të Komunës së Gostivarit, institucioneve arsimore, organizatave joqeveritare, Qendrës për punë sociale, Qendrës për punësim, afaristë të suksesshëm dhe të tjerë, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Papunësia paraqet problem krucial për pjesën më vitale të shoqërisë dhe kjo rezulton me mërgim masovik të rinisë sonë. Gostivari zë vendin e dyti në nivel shtetëror për nga migrimi i të rinjve në shtetet e Evropës perëndimore dhe ato tejoqeanike. Duhet të bëjmë ç’mos që ky trend të ndërpritet, andaj Komuna e Gostivarit do të bashkëpunojë në nivel të partneritetit me UNDP-në dhe me të gjitha organizatat tjera që trajtojnë këtë temë dhe asistojnë në këtë lëmi”, theksoi Taravari.

Gjetjet dhe rekomandimet nga vlerësimi i Plani Territorial të Punësimit (TEP) në Komunën e Gostivarit, i shpalosi konsulenti Visar Ademi – ekspert i ekonomisë.

Shërbimi për informim

Të premten fillon me punë Zyra për mërgimtarët

11.12.2017

Më 15 dhjetor (e premte), do të hapet Zyra për Mërgimtarët pranë Komunës së Gostivarit.

Kjo zyrë do të funksionojë në formën e një sporteli, ndërsa orari i punës do të zgjasë prej orës 08:00 deri në orën 20:00.

Hapja e kësaj zyre bëhet me qëllim që të lehtësojmë për të gjithë mërgimtarët tanë në maksimumin e mundshëm procedurat administrative pranë Komunës, Policisë apo Gjykatës.

Kjo zyrë do të qëndrojë e hapur deri më 15 janar të vitit 2018 për t’u rihapur sërish në kohën e verës kur është sezoni i fluksit të mërgimtarëve.

Zyra do gjendet pranë Qendrës Informative të Komunës.

Mirë se vini në shtëpi mërgimtarë!

Shërbimi për informim

Taravari uron përvjetorin e UNICEF-it

Më 11 dhjetor të vitit 1946, në kohën kur Lufta e Dytë Botërore ishte e freskët me plagët e saj, një mjek polak i quajtur Ludwik Rajchman do të themelonte Fondin Ndërkombëtar të Emergjencës për Fëmijë i njohur botërisht si UNICEF.

Që atëherë UNICEF-i u krijua me qëllimin fisnik që të kujdesej për shëndetin e fëmijëve të pasluftës, për të drejtat dhe nevojat e tyre. 

Sot UNICEF ka ditëlindjen, duke pasur prapa krahëve një histori humanizmi, dashurie, suksesi dhe modeli! Ai është avokat i miliona fëmijëve dhe nënave të cilat fatkeqësisht edhe pse në Kohët Moderne gjenden në kushte të mbijetesës dhe kërcënimit për jetë!

Urime UNICEF!

Me rastin e përvjetorit të themelimit tuaj, gjej rastin të apeloj në Maqedoni se: Fëmijët janë zemra e shoqërisë, duhet kujdesur me çdo kusht që ata të jenë të lumtur çdo ditë!

Faleminderit UNICEF!

Gjendet zgjidhje e përkohshme për çatinë e SHF “Goce Dellçev”

11.12.2017

Sot kanë filluar punët për mbulimin e çatisë së Shkollës fillore “Goce Dellçev” si një zgjidhje e përkohshme.

Ana jugore e godinës shkollore do të mbulohet me plas-mas që shfrytëzohet për oranzheri, material ky i cili mbron nga bora, shiu dhe era për një periudhë trevjeçare.

Projektin do ta realizojnë pa asnjë kompensim ndërmarrjet “Professional Bau” dhe “Leart Proekt”, ndërmarrje kjo e cila edhe në të kaluarën ka ndihmuar institucionet publike lokale dhe qendrore.

Krahas anës jugore e cila kap një sipërfaqe prej rreth 1000 metra katrorë, do të sanohen edhe pjesët e dëmtuara të çatisë në anët tjera të objektit. Njëkohësisht do të intervenohet edhe në pikat e dyshimta prej nga supozohet se mund të rrjedhë uji, siç janë pikat ku kalojnë telat e rrufepritësit.

Me realizimin e këtij projekti që pritet të përmbyllet brenda kësaj jave, sigurohet që këtë vit shkollor nxënësit e kësaj shkolle ta përfundojnë pa probleme, ndërsa për një zgjidhje të përhershme, në pranverën e vitit të ardhshëm do të kryhen të gjitha procedurat e tenderimit dhe gjatë pushimit veror do të realizohen punimet për ndërtimin e çatisë së re. Kështu që, prej vitit të ri shkollor, SHF “Goce Dellçev” ta ketë të zgjidhur problemin kyç me të cilin po ballafaqohet viteve të fundit.

Shërbimi për informim

Ndërtohet linjë e re kanalizimi fekal në fshatin Debresh

07.12.2017

Ndërmarrja publike “Komunalec”, ka filluar ndërtimin e kanalizimit për ujërat e zeza, për një pjesë të fshatit Debresh në vlerë prej 4,5 milion denarësh.
Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, njoftoi se janë eliminuar të gjitha bllokadat për fillimin e punëve ndërtimore dhe se bëhen përpjekje maksimale që punët ndërtimore të realizohen sipas dinamikës së paraparë.

“Siç e shihni, filluam sot me realizimin e punëve për ndërtimin e kanalizimit fekal për një pjesë të fshatit Debresh. Linja e kanalizimit që do të ndërtohet është në gjatësi prej 800 metrash. Projekti financohet prej Ministrisë së ekologjisë me një vlerë prej 4,5 milion denarësh”, theksoi drejtori i NP “Komunalec” Isak Lazami.

Lazami njoftoi, po ashtu, se udhëheqësia e re ka arritur të tejkalojë të gjitha bllokadat që i janë bërë dhe se bën maksimumin që projektet e parapara t’i realizojnë në afatet e parapara.
Punët ndërtimore, pritet që të realizohen në afat prej 15 ditësh.

Shërbimi për informim

Konferencë rajonale në Tiranë, Taravari takon kryebashkiakët Veliaj dhe Ahmeti

07.12.2017
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari merr pjesë në Konferencën Rajonale “Qytete pa korrupsion të së ardhmes” që zhvillohet sot dhe nesër në Shqipëri, bashkë-organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme e Shqipërisë, UNDP, OECD dhe Iniciativa Rajonale Anti-Korrupsion.

Në Konferencë marrin pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe e njëjta ofron mundësi për shkëmbim të përvojave rreth arritjeve dhe sfidave në parandalimin e korrupsionit në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar të administratës publike.

Konferenca rajonale është e hapur për përfaqësues të zgjedhur nga vendet e Evropës Lindore dhe vendeve anëtarë të OECD, përgjegjës për parandalimin e korrupsionit në vend duke përfshirë praktikuesit nga organet e pushtetit qendror dhe zyrtarët e nivelit lokal.

Kryetari i komunës së Gostivarit, në margjinat e Konferencës, pati takime miqësore me drejtuesit e dy kryeqyteteve shqiptare, Veliaj dhe Ahmeti.

Shërbimi për informim

Arben Taravari takon euro-deputetët Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan

Maqedonia të kapë trenin evropian dhe të fitojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

06.12.2017

Në kuadër të vizitës së tij dyditore në Bruksel, kryetar i komunës së Gostivarit njëherit dhe sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari realizoi takime të rëndësishme me miq të Republikës së Maqedonisë në Parlamentin Evropian, për të diskutuar agjendën evropiane të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe të Maqedonisë në veçanti.

Taravari u takua me eurodeputetin slloven, Ivo Vajgëll dhe me atë sllovak, Eduard Kukan, që të dy anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe ndër euro-deputetët më të zëshëm për integrimin evropian të Ballkanit dhe të Republikës së Maqedonisë.

Në këto takime, palët biseduan për situatën politike në Maqedoni dhe për nevojën për përshpejtimin e reformave gjatë muajve në vijim në mënyrë që Maqedonia të kapë trenin evropian dhe të fitojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian para Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së të qershorit 2018. Kryetari Taravari theksoi se agjenda reformatore e qeverisë së Maqedonisë mund të zbatohet dhe ka kuptim vetëm nëse ajo përcillet me reforma rrënjësore të partive të ish-regjimit, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Euro deputetët Vajgëll dhe Kukan përshëndetën rolin konstruktiv të Aleancës për Shqiptarët brenda Qeverisë së Maqedonisë dhe theksuan nevojën për stabilitet brenda koalicionit qeverisës.

Në fund, palët shprehën vullnetin e tyre për të mbajtur dialog të rregullt në rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Shërbimi për informim 

Taravari në Bruksel: “BE të përkrahë edhe pushtetin lokal në Ballkanin perëndimor”

05.12.2017
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari ishte panelist në Samitin vjetor evropian për Ballkanin, “Ballkani Perëndimor në udhëkryq – Sfida të reja, dinamikë në ndryshim” i cili u realizua në Bruksel.

Në fjalimit të tij, Arben Taravari adresoi sfidat kryesore me të cilat përballen komunat siç janë mbrojtja sociale, qeverisja e mirë
e transparenca, infrastruktura dhe mjedisi.
“Procesi i integrimit evropian dhe përkrahja financiare e Komisionit Evropian, deri tani janë fokusuar ekskluzivisht në nivelin qendror, duke anashkaluar pushtetin lokal. Besoj se strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin perëndimor e cila do të miratohet para Samitit të Sofjes në maj 2018, do të adresojë këtë mangësi”, theksoi ndërmjet tjerash Taravari në fjalimin e tij.

Pjesëmarrës në këtë samit ishin gjithashtu kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, drejtori menaxhues për Evropë në Shërbimin e jashtëm evropian, Thomas Mayr Harting, drejtori për zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, euro-deputetja Tanja Fajon dhe personalitete tjerë të lartë.

Samiti u organizua nga “Friends of Europe”, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, UNDP-në, Komandën evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Konrad-Adenauer Stiftung dhe Rockefeller Brothers Fund.

Shërbimi për informim

Ekonomistët e rinj nga Gostivari në trajnim dyjavor në Zvicër

04.12.2017
Një grup prej gjashtëmbëdhjetë nxënësish dhe dy supervizorë nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Gostivar” janë në trajnim dyjavor në Zvicër. Qëndrimi realizohet në kuadër të projektit Implementimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, organizuar nga Koalicioni i organizatave rinore SEGA, në të cilin shkolla është përfshirë që nga viti 2012.

Në kuadër të këtij projekti në shkollë me sukses funksionon bashkësia e shkollës dhe Fëmija Avokat, që punojnë në mbrojtjen e të
drejtave të fëmijëve, kundër-diskriminimin dhe multikulturalizmin dhe përmirësimin e kushteve për realizimin e mësimit në shkollë.

Shkëmbimi ndërkulturor mbahet në fshatin e fëmijëve Pestalozzi, Trogen, ndërsa grupi i SHMEK “Gostivar” prej 16 nxënësve është zgjedhur si rezultat i punës së deritashme aktive”, informuar nga shkolla.

Qëllimi i shkëmbimit ndërkulturor studentët të fitojnë njohuri dhe aftësi për të drejtat e fëmijëve, parimet e dialogut ndërkulturor dhe komunikimit, anti-diskriminimit dhe mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe vlerat e tolerancës mes kulturave të ndryshme.

Shërbimi për informim