Taravari kërkon nga komandanti i SP Gostivar të tregohet më korrekt dhe më tolerant ndaj mërgimtarëve

26.12.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, iu drejtua sot me një shkresë zyrtare komandantit të Stacionit policor të Gostivarit, Gazi Abdurrahmani që të tregohet me korrekt dhe më tolerant ndaj mërgimtarëve të cilët qëndrojnë në vendlindje gjatë festave të fundvitit.

“I nderuar komandant i Stacionit Policor të Gostivarit, z.Gazi Abdurrahmani, jam përpjekur disa herë t’ju kontaktoj por ka qenë e pamundur. Nuk dua të besoj kurrsesi që më jeni shmangur ose keni bërë obstruksione, pasi jam i prirë të besoj në dedikimin tuaj ndaj detyrës së dhënë. Nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe si qytetar i këtij qyteti, ju kërkoj që i gjithë efektivi juaj të jetë sa më korrekt në detyrë sidomos ndaj mërgimtarëve të cilët kanë ardhur në Gostivar”, thuhet në shkresë.

“Ata vijnë vetëm pak ditë në vendlindje dhe japin para aq shumë sa mbajnë qytetin dhe shtetin me të ardhurat e tyre! Nuk është as ligjore, as njerëzore dhe as e moralshme që t’i mbushin me gjoba vetëm sepse ata presupozohen të kenë para! E para, ata lodhen shumë për të fituar ato para dhe e dyta ata duhet të jenë të barabartë përpara ligjit!”, vazhdon më tej shkresa.

“Ju lutem t’i udhëzoni dhe t’i ndihmoni sa më shumë që të orientohen në këto ditë feste dhe mos ua ktheni festën në makth! Jam i bindur që do të dëgjoni dhe zbatoni kërkesën time, jo vetëm sepse Stacioni Policor është në kompetencat e Komunës së Gostivarit, por sidomos se ju jeni një person në detyrë që duhet ta dini se puna juaj është të mbroni qytetarët e jo t’i dënoni ata, e mbi të gjitha Mërgimtarët që është gjynah që t’i presim me fatura gjobash në vend të dashurisë dhe respektit!”, përfundon shkresa zyrtare e Arben Taravarit drejtuar komandantit të SP- Gostivar .

Shërbimi për informim

Taravari takohet me udhëheqësit e MCGO-së

25.12.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përfaqësuesi i Zyrës së ZHEL-it, Besim Dogani, realizuan një takim me udhëheqësit e organizatës MCGO (Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar).

Në takim u diskutua në lidhje me projektin të cilin e realizon kjo organizatë, ndërsa financohet nga USAID-i.

Projekti ka të bëjë me integrimin ndëretnik të të të rinjve në arsim, ndërsa ndër qëllimet kryesore të tij janë përmirësimi i integrimit ndëretnik të të rinjve përmes mundësimit të interaksioneve pozitive mes të rinjve të përkatësive të ndryshme etnike në nivel shkollor dhe komunal, përmirësimi i përmbajtjeve të arsimit qytetar, shkathtësive dhe sjelljes, si dhe praktikës së vollontimit të të rinjve.

Përfaqësuesit e MCGO-së e njoftuan kryetarin se projekti përbëhet prej tre komponentëve, respektivisht forcimi i kapaciteteve të kohezionit ndëretnik në sistemin arsimor, forcimi i kulturës qytetare dhe sjellja e të rinjve në nivel shkollor dhe lokal, si dhe rinovimi i shkollave si stimul për shkollat dhe bashkësitë meritore.

Në këtë projekt do të përfshihen të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit, ndërsa katër shkolla tashmë janë përzgjedhur si pilot-komuna për implementim të të njëjtit, edhe atë: SHF “Bashkmi”, SHF Goce Dellçev”, SHMK “Gostivar” dhe SHF “Çajla”.

Afati i aplikimit është deri më 27 dhjetor të këtij viti, ndërsa kryetari Taravari i siguroi përfaqësuesit e MCGO-së se do të inkurajojë shkollat e komunës së Gostivarit që të aplikojnë për këtë projekt.

Shërbimi për informim 

Punëtorët e arsimit do t’i marrin pagat e nëntorit. Taravari në press: “Më vjen mirë që problemi u zgjidh me insistimin tim dhe me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve”

25.11.2017

Këshilltarët komunalë të Gostivarit, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit, unanimisht morën vendim për ndryshim të shpërndarjes së buxhetit të Komunës ës Gostivarit, me çka mundësohet pagesa e rrogave të nëntorit për rreth 1000 punonjës në shkollat komunale ​​fillore dhe të mesme.

Për të pastruar të gjitha dilemat në lidhje me pengesat që çuan në vonesën e pagave dhe revoltit të mësimdhënësve, përmes një konference për shtyp u prononcua kryetari i komunës, Arben Taravari.

“Para një jave u konstituua Këshilli i Komunës së Gostivarit, 15 këshilltarët të cilët nuk janë pjesë e mazhorancës së re, sidomos këshilltarët nga koalicioni lokal në komunën e Gostivarit “Aleanca për Shqiptarët” dhe “Lëvizja Besa”, propozuan që të bëhen ndryshime në buxhet, por kjo u refuzua nga 16 këshilltarët tjerë. Ata bëjnë kështu gjatë gjithë kohës, çfarëdo që të propozohet ata e refuzojnë. Me iniciativën time dhe me insistimin tim, u konvokua seancë e jashtëzakonshme, sepse kushti u përmbush me faktin se rrezikohen pagat e 1000 punonjësve. Sot, u votua që të bëhen ndryshime në buxhet. Jam shumë i lumtur që kjo ndodhi me insistimit tim, por edhe me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve të pranishëm, unanimisht”, potencoi kryetari Taravari.

Por, tha kryetari, paraqitet një problem i ri. “Kjo shumicë përpiqet të bllokojë vazhdimisht. Sipas ligjit, unë jam i detyruar që të sjellë buxhetin komunal për vitin 2018 deri më 31 dhjetor. Ky buxhet është përgatitur nga profesionistët e Komunës së Gostivarit dhe u është dorëzuar këshilltarëve brenda afatit ligjor. Buxhetin e propozova unë si kryetar komune dhe kërkova që ta diskutojmë atë, të paktën për t’u përfshirë si pikë e rendit të ditës në seancën e Këshillit, por ajo u refuzua nga shumica. Kjo mund ta frenojë punën. Ndërsa, a do të ketë pasoja nga kjo? Do të përpiqem si kryetar, do të flas edhe me Ministrinë e Financave që të financohemi përkohësisht në 3-4 muajt e parë të vitit të ardhshëm. Por do të doja të ju informoj se mbarëvajtja e punëve në komunën e Gostivarit praktikisht frenohet prej 16 këshilltarëve nga radhët e BDI, LSDM, poartisë së Vesel Memedit dhe këshilltar të DSR-së Kashmir Saliu”, tha kryetari i komunës.

Ai shpjegoi se, ata kanë disa kërkesa të çuditshme. “Ata kërkojnë të punësojnë ushtarë partiakë në arsim. Unë nuk do ta lejoj këtë, sepse kam thënë se për sa kohë që unë do të jem kryetari i komunës, nuk do të lejoj që arsimi të politizohet. Gjëja e dytë është që ata kërkojnë të marrin paga personat që nuk vijnë aspak në punë. U shpjegova atyre se ka kaluar koha kur punonjësit që rrinin në shtëpi merrnin rrogë. Ata arsyetoheshin me faktin se kjo ashtu ka qenë. Por, nuk do të mund të lejohet më. Për këto gjëra unë nuk ka se pse bisedoj me ta”, ishte decid kryetari i komunës.

Lidhur me akuzat e këshilltarëve të shumicës se administrata komunale është e paaftë dhe nuk punon, kryetari shpjegoi se administrata është e hapur dhe më transparente se gjithmonë. “Unë dhe kabineti im punojmë edhe në fundjavë. Nuk ka pasur të shtunë apo të dielë të mos punojmë në komunë dhe të mos kryejmë ndonjë punë. Ne jemi të gatshëm të punojmë ditë e natë dhe administrata do të kryejë detyrat e saj për të cilat merr rrogë”, shpjegoi Taravari.

Në pyetjen gazetareske se cilat do mund të ishin pasojat e mosmiratimit të buxhetit, kryetari i komunës me përgjigjen:

“Në qoftë se nuk vihet as si pikë e rendit të ditës në afatin kohor të përcaktuar ligjërisht, ndërsa propozimi për buxhetin është dorëzuar në kohën e duhur, unë si kryetar komune jam i detyruar ta informoj Ministrinë e Financave dhe të kërkoj financim të përkohshëm në lartësi prej një të tretat e buxhetit për vitin 2017, siç është përcaktuar me ligj. Do të presim deri të premten, të paktën të vihet në rend dite. Pastaj do ta shqyrtojmë mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve lokale, nëse buxheti nuk kalon. Sepse kjo është një nga mundësitë për shpërndarjen e këshillit, nga shkaku se në një rast të tillë nuk mundemi as të funksionojmë si komunë”.

Shërbimi për informim

Program festiv për fëmijët me nevoja speciale nga Gostivari

22.12.2017

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gostivarit, me mbështetje të restorantit “Vita Abi” dhe në bashkëpunim me Qendrën ditore, paralelet speciale, këngëtarëve dhe sportistëve gostivaras, sot u organizua një drekë e përbashkët e shoqëruar me program festiv për fëmijët me ngecje në zhvillim.

E organizuam këtë event modest por shumë domethënës, që të shoqërohemi me këta fëmijë, të bashkëbisedojmë me edukatorеt e tyre, të kuptojmë se cilat janë nevojat për edukimin dhe arsimimin e këtyre fëmijëve, dhe të shohim se çka mundemi ne si Komunë të ndihmojmë për të krijuar kushte më të mira. Po ashtu erdhëm që tua urojmë edhe festat e fundvitit dhe si Komunë tu ndajmë dhurata të vogla të mundësuara nga pronari i restaurantit Albis”, theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, dr. Arben Taravari.

Alsijan Snopçe – udhëheqëse e Sektorit për veprimtari publike pranë Komunës së Gostivarit, shpjegoi se në këtë ngjarje marrin pjesë nxënësit dhe edukatorët nga Qendra ditore për fëmijë me nevoja speciale dhe nga paralelet speciale të shkollave fillore “Ismail Qemali” dhe “M.K. Ataturk”.

Me iniciativën e kryetarit vendosëm që ta realizojmë këtë aktivitet me qëllim që sa më shumë t’i sоcializojmë këta fëmijë, sepse trajtimi adekuat dhe socializimi atyre shumë u ndihmon në jetë. Do të desha të falënderoj me këtë rast restorantit “Vita Abi”, pronari i të cilit vazhdimisht ka ndihmuar njerëzit në nevojë dhe ka mbështetur shumë aktivitete me karakter social”, theksoi znj. Aslijan Snopçe.

Fëmijët patë rastin që të ndjekin një performancë nga karateistët e vegjël gostivaras të përgatitur nga kampioni evropian i karatesë Berat Jakupi, i bënte të qeshin maskota “Qenushi”- aktorja Vjollca Baftiu Zylbehari, ndërsa për disponimin e tyre u kujdesën këngëtarët Hajadar Hajdari – Dali dhe Betime Јакупи.

Nga Qendra ditore dhe paralelet speciale, falënderuan të gjithë ata të cilët kontribuuan për këtë aktivitet dhe shprehën shpresë për bashkëpunim më të madh në të ardhmen.

Shërbimi për informim

Bëhet hapi i parë për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet Komunës së Gostivarit dhe sektorit joqeveritar

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ftoi në takim përfaqësues të të gjitha organizatave joqeveritare që veprojnë në Gostivar. Ftesës iu përgjigjën gati se të gjitha organizatat, shoqatat dhe shoqëritë aktive që merren me sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

Në takim, përfaqësuesit e OJQ-ve njoftuan kryetarin me punën dhe misionin e tyre si dhe me aktivitetet kryesore që kanë realizuar gjatë funksionimit të tyre. Nga kryetari Taravari, ata morën garanci se do ta kenë mbështetje të plotë nga ana e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe se kjo çështje do të standardizohet me hapa dhe veprime konkrete

Takimi u shfrytëzua për caktimin e një kornize për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet Komunës dhe organizatave joqeveritare, me ç’rast nga të dyja palët u hodhën ide që të krijohet një trup i përbashkët koordinativ për bashkëpunim.

U ra dakord që si përfaqësues i Komunës së Gostivarit të caktohet Besim Dogani nga Zyra për ZHEL dhe implementim të projekteve, ndërsa nga sektori joqeveritar, drejtori ekzekutiv i ADI-t, Lulzim Haziri.

Po ashtu, kryetari Taravari u zotua se prej vitit të ardhshëm do të caktohet pozicion i veçantë në buxhetin komunal për mbështetje financiare të sektorit joqeveritar, si dhe se në ueb faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit do të vendosen linqet e të gjitha OJV-ve lokale.

Në fund të takimit, u organizua një koktej rasti, ku kryetari të pranishmëve ua uroi edhe festat e fundvitit.

Shërbimi për informim

“Stop gjuhës së urrejtjes” – shpërblehen veprat më të mira

Në Shkollën e Mesme Teknike Komunale “Gostivar” u hap dje ekspozita me fotografi të nxënësve të shkollave të mesme me temë “Jeto në harmoni me të tjerët”.

Aktiviteti është pjesë e projektit preventiv-edukativ “Thuaji JO gjuhës së urrejtjes”, bartës të të cilit janë Komuna e Gostivarit, Sektori për preventivë pranë SPB-Tetovë dhe OSBE-ja.

Në ekspozitë u gjetën njëzet fotografi të nxënësve nga të gjitha shkollat ​​e mesme publike të Gostivarit.

“Toleranca ndërmjet grupeve të ndryshme etnike është një temë shumë delikate. Ne si gostivaras e kultivojmë atë, dhe duhet edhe para të rinjve të tregojmë se sa e rëndësishme është ajo. Ky është pikërisht qëllimi i kësaj ekspozite”, tha Aslian Snopce nga Sektori i Arsimit pranë Komunës së Gostivarit.

Në hapjen e ekspozitës fjalë rasti pati edhe drejtori i shkollës teknike, Gajur Izairi, i cili theksoi: “Ndonjëherë mund të themi pa vetëdije ndonjë fjali ose fjalë e cila do të ofendonte dikë. Fotot e nxënësve bartin mesazh të fortë se çfarë është gjuha e urrejtjes, dhe se çfarë mirëkuptimi dhe toleranca “.

Autorët e veprave më të suksesshme, sipas përzgjdhjes të komisionit të posaçëm, morën çmime dhe mirënjohje nga organizatorët.

Më herët, në kuadër të të njëjtit projekt, nëpër shkolla u organizuan punëtori dhe ligjërata në temën përkatëse.

Shërbimi për informim

Dhjetë kryetarë komunash turke, u mirëpritën nga kryetari Arben Taravari

Sekretari i Lidhjes së Komuanve Turke dhe dhjetë kryetarë të komunave të ndryshme të Turqisë, vizituan sot komunën e Gostivarit, me ç’rast u mirëpritën nga kryetari Taravari.

Kryetari I komunës së Gostivarit, Arben Taravari theksoi se është një nder i veçantë për qytetarët e Gostivarit, që një kaq shumë kryetarë komunash mike nga Turqia, të vizitojnë komunën, gjë që dëshmon se bahskëpunimi dhe mbështetja nga qeveria dhe populli turk, do të vazhdojë në nivel akoma më të lartë n ëtë ardhmen.

“Falënderoj kryetarët e komunave për vizitën dhe për mbështetjen e deritashme, ku do të veçoja investimin në shkollën fillore Kemal Atarturk, që promovuam sot. Ua urova atyre ditën e arsimit turk dhe shpreha kënaqësinë time që kjo ditë, sivjet për herë të parë dhe gjithmonë në të ardhmen do të shënohet duke valavitur flamuri turk, për çka kemi edhe vendimin e Këshillit të Komunës me konsensus të plotë, respektivisht me mbështetjen e të gjithë 31 këshilltarëve komunalë, shqiptarë, maqedonas, turq dhe romë”, deklaroi Taravari.

Skkretari i Lidhjes së Komuanve Turke, Hayrettin Güngör tha se takimet e këtilla në të ardhmen do të jenë më të shpeshta dhe së bashku do të pronovjnë akoma më shumë projekte të rëndësishme.

“Falënderoj kryetarin e komunës së Gostivarit dhe bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore. Ai më premtoi se bashkëpunimi mes nesh do të vazhdojë edhe më tutje. Ne këtu nuk ndjehemi të huaj për shkak se vijmë tek vëlllezërit tanë. Jam i bindur se komuna e Gostivarit dhe komunat tjera të Maqedonisë, nëse ne do të kishin ndonjë nevojë, do të na mbështetnin, andaj edhe ne i bëjmë me shumë vullnet këto vizita dhe ju siguroj se do të shihemi në përurime të shumë projekteve tjera këtu në Gostivar”, theksoi Güngör.

Me rastin e Ditës së arsimit turk, në përputhje me vendimin e Këshillit, sot para komunës, brenda në komunë dhe në rrugët e qytetit të Gostivarit, u vendos flamuri turk krahas atij shtetëror dhe flamurit kombëtar shqiptar.

Shërbimi për informim

 

Në Ditën e Arsimit Turk, u promovua rikonstruktimi i plotë i SHF “M.K. Ataturk” – Gostivar

21.12.2017

Me rastin e Ditës së arsimit turk në Maqedoni, me një solemnitet madhështor në prani të funksionarëve të lartë shtetërorë nga Turqia dhe Maqedonia, u bë sot promovimi i rikonstruktimit të plotë të Shkollës fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar.

Inaugurimin, me prerje simbolike të shiritit, e bënë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe zv/kryeministri i parë i Turqisë Hakan Çavuşoğlu.

Në hollin e shkollës, para nxënësve të shkollës dhe prindërve, fjalë përshëndetëse mbajtën kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, zv/kryeministri i parë i Turqisë Hakan Çavuşoğlu, presidenti i TIKA-s Serdar Çam, minsitri në Qeverinë e Maqedonisë Adnan Kahil dhe drejtori i SHF “M.K. Ataturk” Nuredin Oktaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë personalitete tjerë të lartë nga jeta politike dhe shoqërore e Turqisë dhe Maqedonisë.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari Arben Taravari falënderoi qeverinë turke dhe Agjencinë TIKA për suportin e plotë për rikonstruktimin e kësaj shkolle si dhe të projekteve tjera në komunën e Gostivarit. Ai po ashtu, në fjalën e tij, u ndal më shumë në bashkëjetesën në komunën e Gostivarit, e sidomos në afërsinë e popullit shqiptar me atë turk, duke veçuar kështu personalitete historikë që kanë kontribuar për të dy popujt.

Një nga etnitë që jeton dhe ndërton përditë Gostivarin është pikërisht ajo turke, ndaj përkujtimi dhe festimi i kësaj date është një privilegj dhe kënaqësi për ne. Kështu fati e ka dhënë që këtu në Gostivar të jemi në rrethana të bashkëjetesës dhe ndaj në emër të gjithë qytetarëve të Gostivarit, në emrin e Komunës së Gostivarit dhe në emrin tim uroj Gëzuar Ditën e arsimit, respektivisht të alfabetit Turk! Qoftë Turqia një mike e mirë për ne! Qofshin gjithnjë shkronjat e këtij alfabeti shenja që formojnë fjalë paqeje dhe respekti!”, nënvizoi Taravari.

Në frymën e marrëdhënieve të mira ndëretnike, bashkëpunimit dhe tolerancës, ishin edhe diskutimet e folësve tjerë në këtë solemnitet, si dhe programi artistik i nxënësve të të tria nacionaliteteve që ndjekin mësimin në këtë shkollë në gjuhën turke, shqipe dhe maqedonase.

Në shenjë respekti për bashkëpunimin mes komunës dhe shkollës, kryetari Taravari dhe drejtori Nuredin shkëmbyen pllaketa me simbolin e institucioneve që ata i drejtojnë.

Pas mbarimit të ceremonisë, të pranishmit përshkuan ambientet e rinovuara të shkollës, e cila pas rikonstruktimit konsiderohet si një ndër shkollat me kushte më të mira në nivel nacional.

Rikonstruktimi i plotë i kësaj shkolle u bë falë financimit nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA, ndërsa vlera e projektit ishte 700 mijë euro.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari, priti në kabinetin e tij ambasadoren e Turqisë në Shkup, Tylin Erkal Kara

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti dje në kabinetin e tij ambasadoren e Republikës së Turqisë në Shkup, znj. Tylin Erkal Kara.

Në takimin miqësor, kryetari Taravari dhe ambasadorja e Turqisë biseduan rreth bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet shtetit turk dhe komunave të Turqisë me komunën e Gostivarit, me ç’rast u konstatua se ky bashkëpunim duhet jo vetëm të vazhdojë por akoma më shumë të thellohet.

Kryetari i komunës së Gostivarit, para takimit, deklaroi për media se ambasadorja Erkal Kara është një mike e Gostivarit dhe se kjo është një vizitë miqësore, por ku do të bisedohet edhe për planifikimet e zhvillimit të komunës, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e investimeve nga Republika e Turqisë.

Me ambasadoren e Turqisë, zonjën Tylin Erkal Kara, njihemi prej më herët, gjegjësisht prej kohës kur isha ministër i shëndetësisë. Ajo është një mike e komunës së Gostivarit dhe një mike e imja personale. Edhe pse vizita e sotme është një vizitë urimi, padyshim se do të bisedojmë edhe për planifikimet për zhvillimin e komunës, pse jo edhe për investime të mundshme të Republikës së Turqisë në komunën tonë”, deklaroi Taravari.

Ambasadorja Tylin Erkal Kara, ia uroi postin Taravarit duke shfaqur shpresën se ai do të jep kontribut për përkrahje të popullit turk në komunën e Gostivarit.

Gjendem këtu sot fillimisht për ta uruar për postin kryetarin Taravari. Nga zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën këtu kanë kaluar rreth dy muaj dhe për këtë kam dashur që sa më parë të vij dhe ta uroj kryetarin. Ai për ne është një mik shumë i rëndësishëm. Komuna e Gostivarit ka një numër të konsiderueshëm të popullatës turke dhe jemi të bindur se kreu aktual i komunës, padyshim do t’i përkrahë turqit si komunitet në Gostivar” tha mes tjerash ambasadorja turke.

Ndryshe, ambasadorja Kara, e shoqëruar nga përfaqësues të kabinetit të kryetarit të komunës, vizitoi disa institucione publike dhe fetare në qytetin e Gostivarit.

Shërbimi për informim

Ekspozitë për mirëkuptim dhe tolerancë mes nxënësve të etnive të ndryshme

19.12.2017

Në mjediset e Shkollës së mesme teknike në Gostivar, të enjten në ora 13:00 do të hapet ekspozita me mbi 20 fotografi të punuara nga po aq nxënës të katër shkollave të mesme të komunës së Gostivarit.

Tema e ekspozitës është “Jeto në harmoni me të tjetër” dhe është pjesë e projektit edukativ dhe prevenues “Thuaj jo gjuhës së urrejtjes” që nga muaji nëntor realizohet në qytetin e Gostivarit.

Paraprakisht, në shkollat e mesme të Gostivarit u realizuan ligjërata të veçanta me nxënësit e viteve të para, nga ku prej afër u njoftuan me nocionin gjuha e urrejtjes, si manifestohet ajo, si mund të konstatohet dhe implikimet që mund të vijnë nga ky veprim.

Për nxënësit më të suksesshëm të ekspozitës, organizatorët e konkursit, kanë paraparë mirënjohje dhe dhurata.

Shërbimi për informim