Delegacioni turk viziton komunën e Gostivarit – tregojnë gatishmëri për mbështetje dhe investime

18.12.2017

Një delegacion nga Republika e Turqisë, i përbërë prej profesorësh të Universitetit “Sylejman Demirel” në qytetin Isparta, përfaqësues të partisë në pushtet AK Partisi, intelektualë dhe gazetarë, realizuan një takim pune me kryetarin e komunës së Gostivarit Arben Taravari.

Miqtë nga Turqia, uruan kryetarin Taravari për postin e ri duke i dëshiruar atij punë të suksesshme në mandatin katërvjeçar. Ata shfaqën interesimin dhe gatishmërinë që Republika e Turqisë të mbështesë dhe të investojë në institucionet ku trajtohen fëmijët me sindromën Daun, autizëm dhe pengesa tjera në zhvillim, si dhe për mbindërtim profesional të defektologëve, psikologëve dhe profesionistëve tjerë që merren me këto çështje.

Kryetari Taravari, tha se gjatë kampanjës i ka prezantuar qëndrimet e tia në lidhje me personat me nevoja speciale, dhe se kjo çështje do të shqyrtohet edhe në takimin me ambasadoren e Turqisë.

Që nga ditët e para të mandatit tim, kam realizuar takime me organizata joqeveritare që merren me këto çështje dhe kam marrë pjesë në aktivitetet e tyre për të treguar konkretisht mbështetjen që ata gëzojnë nga ana ime dhe ekipit tim”, theksoi Taravari.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Lëvizjes për Unitet Kombëtar të Turqve (TMBH), Erdogan Saraç, si dhe këshilltari komunal nga radhët e kësaj partie, Ertan Jakupi.

Në kuadër të vizitës, delegacioni turk do të vizitojë mjediset e ish Fakultetit të teknologjisë ushqimore, ku do të bëjë hulumtim terreni që në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit të gjednen modalitete për shfrytëzim racional të këtij objekti.

Shërbimi për informim

 

Një delegacion i Komunës së Gostivarit në takim pune në Komunën e Prishtinës

14.12.2017

Në kuadër të bashkëpunimit me komunat nga rajoni më i gjerë, një delegacion i komunës së Gostivarit në përbërje Seadin Ejupi – shef i kabinetit të kryetarit, Jasin Demiri – zëdhënës i komunës dhe Rijat Abdullai – këshilltar i jashtëm i komunës, realizuan dje një takim pune në Komunën e Prishtinës.

Ata u pritën nga z. Muhedin Nushi – drejtor i Drejtorisë së Administratës pranë Komunës së Prishtinës dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë vizitës, delegacionin e komunës së Gostivarit, nikoqirët e njoftuan nga afër me mënyrën e funksionimit të administratës komunale dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis dy komunave, sidomos në aspekt të rritjes së transparencës se komunës ndaj qytetarëve dhe kontributin direkt të tyre në procesin e vendimmarrjes për probleme që i tangojnë ata.

Ejupi, Demiri dhe Abdullai i uruan udhëheqësit komunalë për fitoren e dytë, si një konfirmim për punën e tyre të suksesshme në mandatin e parë të qeverisjes.

Drejtori i Drejtorisë së administratës pranë Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi i cili njëkohësisht është edhe zëvendës i kryetarit Shpend Ahmeti, tha se planifikojnë që së shpejti të realizojnë një vizitë në komunës e Gostivarit dhe urimet për zgjedhjen e tij personalisht t’ia shprehin kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Shërbimi për informim 

Hapet në Gostivar ekspozita udhëtuese “Ana Frank – Historia për sot”

14.12.2017

Mbrëmë në Qendrën për kulturë në Gostivar, u Ekspozita udhëtuese “Ana Frank – Historia për sot” organizuar nga Forumi Rinor Arsimor. Në hapjen solemne të ekspozitës morën pjesë kryesisht nxënës të shkollave të mesme të Gostivarit, të cilët u njoftuan me mesazhet e gazetares dhe shkrimtares Ana Frank, si simbol i qëndresës dhe paqes.

Të pranishmit, në emër të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i përshëndeti përfaqësuesja e kabinetit të tij, Afërdita Hamza.

Përgëzoj organizatorët për këtë aktivitet, njëkohësisht i falënderoj që përzgjodhën qytetin tonë për mbajtjen e kësaj ekspozite. Komuna e Gostivarit, është e hapur për bashkëpunim me sektorin joqeveritar dhe do t’i mbështesë ata në organizime të këtilla të cilat dërgojnë mesazhe për paqe dhe tolerancë”, theksoi znj. Hamza.

Ekspozita “Ana Frank – Historia për sot” është një koleksion prej tridhjetë e nëntë paneleve ekspozuese, të përkthyera në gjuhën maqedonase dhe shqipe, të cilat mbajnë detaje të shumta rreth jetës së vogëlushes Ana dhe familjes së saj, nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 30 dhjetor 2017, dhe hyrja është falas.

Ѕhërbimi për informim

Nxënësit e dalluar të gjimnazit, qëndruan dhjetë ditë në Bursa të Turqisë

15.12.2017

Në kuadër të Programit Erazmus plus, gjashtë nxënësit më të dalluar dhe më meritor të gjimnazit të Gostivarit, të udhëhequr nga profesoresha Arbena Solejmani, prej 2 deri më 12 dhjetor qëndruan në Bursa të Turqisë. Nxënësit shqiptarë, maqedonas dhe turq nga Gostivarit morën pjesë në aktivitetit e organizuar me temë “All start with Music” (Çdo gjë fillon me muzikën) ku morën pjesë edhe të rinj nga Turqia dhe Italia prej të cilëve një pjesë me prejardhje nga Pakistani.

Muzika ishte ajo e cila e kishte qëllimin që te afrojë njerëzit më afër njëri-tjetrit. Aktivitetet tona ishin nga më të ndryshmet si p.sh. këndim në sheshin e qytetit dhe në një qendër të madhe tregtare me instrumente, intervistë kalimtarëve rreth muzikës që dëgjonin, këndim me koreografi nga vetë pjesëmarrësit, prezantim i specialiteteve te shteteve nga vinin pjesëmarrësit, krijimi i lojërave fëmijërore duke përdorur muzikën ne lojë dhe të tjera”, shpjegon profesoresha Arbena Solejmani.

Drejtori i SHMK “Gostivar”, Dritan Imeri njoftоi se krahas punëtorisë dhe kreativitetit që treguan nxënësit, ata kanë vizituar qytetin e Bursës dhe më gjerë, kanë kontaktuar me qytetarë të Bursës, ndër të cilët shumica kanë qenë me prejardhje nga viset tona.

Shërbimi për informim

“Karvani për fëmijëri pa pengesa” zbarkoi në Gostivar

Taravari: Fëmijët me pengesa në zhvillim, t’i përfshijmë në institucionet së bashku me fëmijët tjerë

14.12.2017

UNICEF-i në partneritet me Festivalin e filmik Shkup, organizoi sot një mini festival filmik të titulluar“Karvani për fëmijëri pa pengesa”, që ka për qëllim të promovojë të drejtat dhe aftësitë e fëmijëve me pengesa në zhvillim.

Fjalë përshëndetëse, para emetimit të filmave të animuar me renome ndërkombëtare me tema që lidhen me fëmijët me nevoja speciale, mbajti kryetari i komunës së Gostivarit i cili theksoi se kjo kategori e fëmijëve duhet të kenë mbështetje të fuqishme si në nivel nacional ashtu edhe në nivel lokal, dhe ata në tërësi të jenë të kyçur në shoqëri bashkë me fëmijët tjerë.

Duhet seriozisht të mendojmë për metodën e inkluzionit dhe fëmijët të cilët kanë pengesa në zhvillim të përfshihen nëpër institucione së bashku me fëmijët tjerë. Ma merr mendja se në vitet në vijim do të fillojmë ta zbatojmë këtë metodë për fëmijët me nevoja speciale ashtu siç është praktikë në vendet e zhvilluara”, theksoi kryetari Arben Taravari, me ç’rast falënderoi organizatorët që në karvanin e tyre kanë përfshirë edhe qytetin e Gostivarit.

Të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Elisabeth Ericson e cila porositi fëmijët që mesazhet që jepen në këto filma të animuara, t’i zbatojnë në jetën e tyre të përditshme.

Karvani për fëmijëri pa pengesa” është pjesë e fushatës “Bëhu korrekt. Për fëmijëri Pa pengesa”, ku theks i veçantë vihet mbi nevojën për tu çliruar potenciali nga secili fëmijë.

Paraprakisht festivali filmik u shfaq në Sveti Nikole, Kavadar, Manastir, Shtip dhe Kërçovë.

Shërbimi për informim

Takohen përfaqësuesit e BERZH-it dhe Bankës Komerciale me përfaqësuesit e Komunës së Gostivarit – Bihet dakord që bashkëpunimi të vazhdojë

12.12.2017

Përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Komerciale, zhvilluan një takim me përfaqësues të kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ku u shqyrtuan modalitetet për vazhdimin e bashkëpunimit dhe realizimit të transhës së dytë të kredisë.

Në takim u konstatua se Komuna e Gostivarit i servison obligimet e marra dhe se qëndron në dispozicion për korrigjim e lëshimeve të bëra gjatë realizimit të projektit që u kreditua nga Banka Komerciale, respektivisht ndërtimi i urës mbi lumin Vardar.

Palët u dakorduan që pas përmirësimeve të nevojshme të bëhet pranimi teknik i projektit në fjalë dhe më pas të akordohen edhe mjetet financiare të transhës së dytë.

Shërbimi për informim

Intervenohet në kanalizimin në lagjen Lajthia, Taravari ndjek nga afër punimet

11.12.2017

Një delegacion i komunës së Gostivarit i kryesuar nga kryetari Arben Taravari doli në vendngjarje, që nga afër t’i përcjellë punimet që po kryhen për rikonstruim të rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza, duke njoftuar banorët se ky problem do të zgjidhet brenda tri ditëve.

“Edhe pse jemi vetëm 5 javë në Komunë, sot po bëhet një punë e rëndësishme e cila i ka munduar banorët për 15 vite. Sot fillon investimi në kanalizimin fekal për ujëra të zeza në lagjen Lajthia. Ishte ky një nga premtimet tona parazgjedhore dhe shpresojmë se për 3 ditë ky problem do të zgjidhet”, theksoi kryetari Taravari, duke rikujtuar me këtë rast edhe investimin që po bëhet në fshatin Debresh për ndërtimin e kanalizimit për nevojat e një pjese të fshatit.

Banorët e lagjes Lajthia të Gostivarit sot pas 15 vitesh, po i gëzohen zgjidhjes së problemit me rrjetin e kanalizimit, defekti i të cilit pasonte me vërshime nëpër oborret dhe bodrumet e tyre, sa herë që reshjet e shiut binin me një intensitet më të lartë.

Vetëm një javë më parë ata u vërshuan për herë të fundit duke kërkuar ndihmë nga institucionet kompetente që ky problem të zgjidhet.

Shërbimi për informim

Punëtori për planin territorial të punësimit

11.12.2017

Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me UNDP, organizuan sot një punëtori në temë: Plani Territorial i Punësimit në komunën e Gostivarit që ka për qëllim krijimin e një strategjie për punësime inkluzive në këtë komunë.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të Komunës së Gostivarit, institucioneve arsimore, organizatave joqeveritare, Qendrës për punë sociale, Qendrës për punësim, afaristë të suksesshëm dhe të tjerë, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Papunësia paraqet problem krucial për pjesën më vitale të shoqërisë dhe kjo rezulton me mërgim masovik të rinisë sonë. Gostivari zë vendin e dyti në nivel shtetëror për nga migrimi i të rinjve në shtetet e Evropës perëndimore dhe ato tejoqeanike. Duhet të bëjmë ç’mos që ky trend të ndërpritet, andaj Komuna e Gostivarit do të bashkëpunojë në nivel të partneritetit me UNDP-në dhe me të gjitha organizatat tjera që trajtojnë këtë temë dhe asistojnë në këtë lëmi”, theksoi Taravari.

Gjetjet dhe rekomandimet nga vlerësimi i Plani Territorial të Punësimit (TEP) në Komunën e Gostivarit, i shpalosi konsulenti Visar Ademi – ekspert i ekonomisë.

Shërbimi për informim

Të premten fillon me punë Zyra për mërgimtarët

11.12.2017

Më 15 dhjetor (e premte), do të hapet Zyra për Mërgimtarët pranë Komunës së Gostivarit.

Kjo zyrë do të funksionojë në formën e një sporteli, ndërsa orari i punës do të zgjasë prej orës 08:00 deri në orën 20:00.

Hapja e kësaj zyre bëhet me qëllim që të lehtësojmë për të gjithë mërgimtarët tanë në maksimumin e mundshëm procedurat administrative pranë Komunës, Policisë apo Gjykatës.

Kjo zyrë do të qëndrojë e hapur deri më 15 janar të vitit 2018 për t’u rihapur sërish në kohën e verës kur është sezoni i fluksit të mërgimtarëve.

Zyra do gjendet pranë Qendrës Informative të Komunës.

Mirë se vini në shtëpi mërgimtarë!

Shërbimi për informim

Taravari uron përvjetorin e UNICEF-it

Më 11 dhjetor të vitit 1946, në kohën kur Lufta e Dytë Botërore ishte e freskët me plagët e saj, një mjek polak i quajtur Ludwik Rajchman do të themelonte Fondin Ndërkombëtar të Emergjencës për Fëmijë i njohur botërisht si UNICEF.

Që atëherë UNICEF-i u krijua me qëllimin fisnik që të kujdesej për shëndetin e fëmijëve të pasluftës, për të drejtat dhe nevojat e tyre. 

Sot UNICEF ka ditëlindjen, duke pasur prapa krahëve një histori humanizmi, dashurie, suksesi dhe modeli! Ai është avokat i miliona fëmijëve dhe nënave të cilat fatkeqësisht edhe pse në Kohët Moderne gjenden në kushte të mbijetesës dhe kërcënimit për jetë!

Urime UNICEF!

Me rastin e përvjetorit të themelimit tuaj, gjej rastin të apeloj në Maqedoni se: Fëmijët janë zemra e shoqërisë, duhet kujdesur me çdo kusht që ata të jenë të lumtur çdo ditë!

Faleminderit UNICEF!