“E vërteta për BDI-në” – Bejta ka lëshuar aktvendime për legalizim pa nënshkirmin e shefit të urbanizmit

22.02.2018

Në konferencën e sotme për shtyp në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, zëdhënësi i komunës së Gostivarit, përmes dokumenteve zyrtare zbardhi rastet e shkeljeve flagrante në sferën e urbanizimit nga ana e ish kryetarit të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Fillimisht ju rikujtojmë se kur Nevzat Bejta ishte ministër i pushtetit lokal në vitin 2011, ai në mbledhje të qeverisë kërkoi marrjen e ingerencave në sferën e urbanizmit Komunës së Gostivarit në kohën kur me të udhëhiqte Rufi Osmani. Qeveria e atëhershme VMRO-BDI këtë edhe e bëri më 29 janar 2012, pikërisht në kohën kur në fuqi ishin dy ligje paralele, respektivisht Ligji për ndërtim dhe Ligji për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje. Asokohe, inspektorët evidentuan 52 objekte në ndërtim, pa dokumentacionin adekuat dhe këto objekte edhe sot e kësaj dite kanë probleme me zgjidhjen e statusit juridik. Respektivisht për të gjitha këto objekte u përgatitën Procesverbale dhe Aktvendime për prishje dhe evidentohen si ndërtime të egra për tu prishur, që nënkupton se as mund të legalizohen, e as të lëshohet leje ndërtimi për to”, shpjegoi Demiri

“Por, për “të fortin e Gostivarit ligjet nuk vlejnë” dhe ai, pra Nevzat Bejta, kur kanë qenë në pyetje interesat personale, me siguri për përftime materiale, ka qenë në gjendje të suprimojë ligjet dhe të anashkalojë shërbimet përkatëse dhe vetë-personalisht të nënshkruajë aktvendime për legalizim të ndërtimeve të egra”, tha në vazhdim zëdhënësi i komunës së Gostivarit.

Ai, shpalosi para gazetarëve edhe aktvendimet në të cilat, mungon nënshkrimi i udhëheqësit të Sektorit të urbanizimit, e kjo flet qartë se i njëjti, të paktën në këtë rast nuk ka dashur të bëhet pjesë e krimit.

Shërbimi për informim

 

Kryetari Taravari priti ambasadorin shqiptar Fatos Reka

22.02.2018

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, qëndroi për vizitë zyrtare në Komunën e Gostivarit, me ç’rast u prit nga kryetari i komunës, Arben Taravari.

Në një takim të ngrohtë miqësor, kryetari Taravari njoftoi ambasadorin Reka me sfidat me të cilat ballafaqohet udhëheqësia e re komunale, si dhe me sukseset e arritura duke zbatuar një qasje të re të menaxhimit në këto tre-katër muajt e para të mandatit.

Kënaqësi dhe nder që sot ta kemi të pranishëm Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka. Biseduam për të gjitha projektet që mund t’i realizojmë së bashku ne si Komunë e Gostivarit me Bashkitë e Shqipërisë. Raportet tona janë korrekte dhe do të mundohemi që së bashku të bëjmë më të mirën për qytetarët e të dyja vendeve ,gjatë periudhës së ardhshme katër vjeçare”,tha në prononcimin e tij për media Taravari.

Meqë kjo ishte vizita e parë e Ambasadorit shqiptar në Komunën e Gostivarit pas zgjedhjeve lokale, Reka ia uroi Taravarit marrjen e detyrës, duke i dëshiruar punë të suksesshme, duke e siguruar atë për mbështetje dhe thellim të bashkëpunimit në mes të Komunave të Maqedonisë dhe Bashkive të Shqipërisë

Ishte nder i veçantë që isha sot mysafir i z.Taravarit. Unë erdha për ta uruar për detyrën e re si dhe për të biseduar rreth rritjes së efikasitetit për vjeljen dhe implementimin e fondeve të BE-së. Unë e sigurova z Taravarin se ne do ta mbështesim atë për të gjitha nismat në dobi të qytetarëve. Besoj se ashtu si në në detyrat e më përparshme, z.Taravari do të ketë sukses edhe në detyrën e kryetarit të komunës së Gostivarit”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka.   

Taravari e informoi Ambasadorin edhe për formimin e Unionit të Bashkive Shqiptare, qendra e së cilës do të jetë në Tiranë. Stafi I këtij Unioni do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha qendrave shqiptare . Detyra e unionit do të jetë që me anë të projekteve konkrete, të shfrytëzojë IPA fondet për bashkëpunim regjional të komunave shqiptare të Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit, në kuadër të IPA programit për bashkëpunim ndërkufitar, ka realizuar projekt të përbashkët me Bashkinë e Korçës, ndërsa synimet janë që të vendoset bashkëpunim i drejtpërdrejtë dhe shkëmbim përvojash me më shumë komuna të Shqipërisë.

Shërbimi për informim 

Në Gostivar, do të mbahet debat publik me OJQ-të

21.02.2018

Komuna e Gostivarit është përzgjedhur si një nga pilot-komunat ku fillon të implementohet projekti i UNDP – Programi Regjional për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor. Në saje të aktiviteteve të parapara të projektit, OJQ dhe komuna do të mbindërtojnë njohuritë themelore rreth modelit transparent të financimit të OJQ si dhe do të krijohet metodologji për financimin e OJQ-ve nga buxheti komunal.

Në kuadër të aktiviteteve të këtij projekti të hënën (26.02.2018) me fillim në ora 13:30, në sallën e Këshillit rinor pranë Komunës së Gostivarit, do të mbahet debat publik.

“Ftojmë organizatat joqeveritare për pjesëmarrje në debatin publik në të cilin do të diskutohen Prioritetet e definuara duke pritur nga përfaqësues të OJQ-ve mendimet, sugjerimet dhe propozimet rreth të njëjtave. Pas diskutimit të prioriteteve në këtë ngjarje do të përzgjidhen dy anëtarë të cilët do të propozohen nga ana e OJQ-ve, anëtarë dhe zv/anëtarë në komisionin për vlerësim të aplikimeve”, thotë Dashmir Osmani – koordinator i projektit ReLOaD.

Në takimin e paraparë do të merr pjesë edhe ekipi i projektit të UNDP-së.

 Shërbimi për informim

Kryetari Taravari vizitoi fshatin Reçan, do të intervenohet për parandalim të rrëshqitjes së tokës

21.02.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, vizitoi fshatin Reçan, me ç’rast u njoftua nga afër me problemet me të cilat ballafaqohen banorët e këtij fshati.

Pika e parë në të cilën u ndal Taravari ishte hyrja e fshatit, ku si pasojë e rrëshqitjes së tokës në rrugën kryesore, një shtëpie i kanoset rreziku. Në vendngjarje u konstatua se situata është alarmante dhe kryetari Taravari premtoi zgjidhje urgjente të problemit, respektivisht ndërtimin e murit mbajtës me të cilin do të pengohej rrëshqitja e tokës.

Taravari dhe bashkëpunëtorët e tij, vizituan po ashtu edhe shkollën e fshatit. U konstatua se në objektin shkollor janë të nevojshme ndërhyrje të caktuara për përmirësim të kushteve. Siç intervenuam për riparimin e ndriçimit në këtë shkollë gjatë fundjavës së shkuar, theksoi Taravari, do të bëjmë edhe ndërhyrje të tjera të nevojshme me qëllim që nxënësve dhe mësimdhënësve tu mundësohen kushte optimale për realizimi të procesit edukativo-arsimor.

Gjatë vizitës në fshatin Reçan, Taravari u takua dhe bashkëbisedoi me banorët lokalë, të cilët e njoftuan atë me problemet me të cilat ballafaqohen fshatarët, si dhe shprehën falënderim që udhëheqësia komunale shpreh gatishmëri për tu dalë në ndihmë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Shërbimi për informim

Lyhen hapësirat e brendshme të SHF “Forina”

19.02.2018

Me kërkesë të prindërve, drejtoresha e Shkollës fillore “Forina” të fshatit Forinë të Gostivarit, Zeqije Musliu, ngriti iniciativë për lyerjen e hapësirave të brendshme të godinës shkollore, ndërsa e njëjta u mbështet nga Komuna e Gostivarit.

Ishte kërkesë e prindërve të nxënësve të shkollës sonë, që të lyhen hapësirat e brendshme të godinës shkollore. E pashë si të arsyeshme këtë kërkesë dhe ngrita iniciativën, ndërsa hasa në vullnet të mirë për përkrahje edhe nga Komuna e Gostivarit”, thekson drejtoresha e shkollës, Zeqije Musliu.

Në shkollën fillore “Forina” mësimin e ndjekin rreth 250 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntë, ndërsa brenda vitit do të hapet edhe një paralele për zhvillim të hershëm fëmijëror.

Shërbimi për informim

Aksion i gjerë i NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”

Aksion i gjerë i NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”

19.02.2018

Ndërmarrja Publike ‘Parkingjet publike dhe gjelbërimi” nga Gostivari, këtyre ditëve është duke realizuar një aksion të gjerë për përmirësimin e gjendjes me gjelbërimin në sipërfaqet publike në Gostivar, si dhe të sipërfaqeve përskaj rrugëve lokale në territorin e komunës së Gostivarit.

Reshjet intensive të shiut dhe borës javëve të fundit, shkaktuan shkulje dhe thyerje të degëve të më shumë drunjve te parku i madh i qytetit, në sipërfaqet tjera publike, si dhe të drunjve përskaj rrugëve lokale dhe rajonale.

Ekipe të ndërmarrjes intervenuan menjëherë në rastet emergjente, ndërsa këtyre ditëve po vazhdojnë me një aksion gjithëpërfshirës, duke mënjanuar degët e thyera, shkurret dhe vegjetacionin tjetër të padëshirueshëm .

Nga kjo ndërmarrje thonë se aksioni do të vazhdojë përderisa kushtet klimatike do ta mundësojnë atë.

Shërbimi për informim

Pritet druri në fazë të kalbjes, përskaj rrugës për në Llakavicë

14.02.2018

Me kërkesë të banorëve të fshatit Llakavicë, ekipet e NP “Parkingje publike dhe gjelbërime” mënjanuan drurin e vjetër që gjendej përskaj rrugës që çon për në brendi të fshatit.

Inxhinierët e ndërmarrjes, konstatuan se druri i vjetër ishte në fazë të kalbjes dhe se i njëjti nuk mund të mirëmbahet dhe se është e domosdoshme prerja e tij, ngaqë paraqiste rrezik potencial për kalimtarët dhe automjetet.

Shërbimi për informim

Një donator nga fshati, sanoi nyjet sanitare të SHF “Përparimi” – Çegran

11.02.2018

Synimi i Komunës së Gostivarit për të përmirësuar kushtet në shkollat fillore dhe të mesme dhe për të rritur cilësinë e procesit edukativo-arsimor, është mirëpritur nga qytetarët e komunës së Gostivarit dhe ka nxitur ata që të ndihmojnë në këtë proces.

Një banor i fshatit Çegran, me vetiniciativë dhe me pëlqim nga shkolla dhe Komuna, gjatë fundjavës ka renovuar nyjet sanitare të shkollës, të cilat ishin në një gjendje shumë të keqe.

Shërbimi për informim

Sanohet tavani i dëmtuar në Konviktin e nxënësve

11.02.2018

Në kuadër të aksionit “E shtuna aktive”, Komuna e Gostivarit realizoi intervenime të ndryshme në institucionet arsimore themelues i të cilave është ajo.

Përveç në objektet e disa shkollave fillore dhe të mesme komunale, u intervenua edhe në Konviktin e nxënësve, me ç’rast u sanua tavani i dëmtuar i një hapësire në këtë konvikt.

Komuna e Gostivarit, në vazhdimësi do të kujdeset për përmirësimin e kushteve në këtë konvikt.

Shërbimi për informim

Shkolla Fillore Periferike në fshatin Reçan, pajiset me llamba LED

11.02.2018

Prej ditës së hënë, nxënësit e shkollës fillore periferike “Liria” të fshatit Reçan, do të kenë në shkollë ndriçim më të mirë.

Të gjitha llambat klasike nëpër mësonjëtore, korridore dhe mjediset tjera të shkollës, janë zëvendësuar me llamba LED.

Llambat LED bëjnë dritë më të fuqishme, ndërsa harxhojnë 5 herë më pak energji elektrike se llambat klasike.

Shërbimi për informim