Komuna e Gostivarit, zbaton mënyrën elektronike të pagesës së taksave komunale

15.02.2018

Prej sot, në Qendrën për shërbime komunale pranë Komunës së Gostivarit, filloi të zbatohet mënyra elektronike e pagesës së taksave komunale për kërkesa të ndryshme.

Zbatimi i pagesës përmes kartelave elektronike, bëhet me qëllim që qytetarët të mos enden dhe të mos presin në radhë të gjata nëpër banka, për të bërë pagesat e taksave komunale për kërkesa të ndryshme.

Përveç kursimit të kohës dhe shmangies së maltretimit, duke paguar me kartela bankare, qytetarët do tu ikin edhe provizioneve të larta të bankave për transaksion.

Po ashtu, pagesat do të mund të bëhen edhe gjatë festave të caktuara, kur bankat e vendit nuk punojnë, ndërsa për administrata komunale punon.

Shërbimi për informim

“E vërteta për BDI-në” – Abuzim me shpenzimet për karburant

15.02.2018

Zëdhënësi i komunës së Gostivarit, Jasin Demiri, në një konferencë për shtyp prezantoi faktet për abuzime me furnizimin me karburant të automjeteve në pronë të komunës dhe shpenzimet pa mbulesë të NP “Higjiena” – Çegran.

Në vazhdim jua përcjellim në mënyrë integrale:
“Të nderuar gazetarë, në konferencën e sotme për shtyp, do t’ju njoftojmë me shpenzimet e Komunës së Gostivarit për karburant për veturat zyrtare në periudhën 2014-2017, si dhe për shpenzimet e NP Higjiena – Çegran për periudhën 2015-2017.

Për periudhën 2014-2017, revizioni i brendshëm ka konstatuar se për automjetet në pronësi të Komunës janë harxhuar 5.089.907 denarë për karburant. Ndoshta s’ka asgjë për tu habitur, por vetëm në shikim të parë. Nëse analizohet se cilat automjete me çfarë karburanti janë furnizuar, do të habiten edhe vetë konstruktorët e tyre.
Automjetet të cilat harxhojnë benzinë, janë furnizuar me dizel, ndërsa ato që harxhojnë dizel janë furnizuar me benzinë. Kostoja e karburantit joadekuat është 74.496 denarë, që nëse marrim një mesatare prej 50 denarësh për litër, i bie që automjetet e komunës të kenë harxhuar 1500 litra karburant joadekuat: në vend dizel, benzinë dhe në vend benzinë dizel. Kjo gjithsesi është një mashtrim dhe patjetër të supozojmë se me paratë e qytetarëve janë furnizuar të dëgjueshmit dhe militantët partiakë. Por, nga ana tjetër, me të drejtë mund të supozojmë se vlera e karburantit adekuat me të cilin janë furnizuar automjete private, me siguri është shumëfish më i madh se vlera që u cek më lartë.

– Evidenca për furnizim me karburant, e përgatitur nga revizioni i brendshëm i Komunës tregon se brenda një dite veturat zyrtare të komunës janë nga 3 herë.
Në vazhdim do t’ju njoftojmë me keqpërdorimet e bëra në Ndërmarrjen Publike “Higjiena” të fshatit Çegran, themelues i së cilës është Komuna e Gostivarit dhe që kryen shërbime komunale në territorin e fshatit Çegran.
Në këtë ndërmarrje, revizioni i brendshëm, për periudhën 2015-2017 ka konstatuar shpenzime të pabazuara.

1. Më datë 02.11.2017 është realizuar shpenzim i dyshimtë për materiale për mirëmbajtje të rrjetit ujësjellës në lartësi prej 720.000 denarë (rreth 11.800 euro) furnitorit Merkator ANG-Gostivar. Në dokumentacionin e ndërmarrjes figuron vetëm pro-fatrura nr.096/2017, por nga kjo kompani pohojnë se NP Higjiena, as ka pranuar ofertën, as ka bërë pagesën e mjeteve.
Ju vëmë në dispozicion Raportin nga revizioni i brendshëm, pro-faturën dhe deklaratën nga Merkator ANG, si dhe ekstraktin nga Ditari i akrës së NP “Higjiena” (për shkak të llogarisë së bllokuar pagesat janë bërë me para të gatshme)

2. Krahas kësaj janë bërë edhe shpenzime të tjera të paarsyeshme, të pabazuara ose të paargumentuara siç janë:
– Personi përgjegjës, gjatë vitit 2017 ka marrë 40.000 denarë për punë jashtë orarit të punës për muajt janar, shkurt, mars, prill, maj, korrik, gusht dhe shtator (me siguri për muajt në vazhdim janë harxhuar mjete dhe s’ka pasur më çka të merr), dhe

– Më datë 27.01.2017 me paratë e ndërmarrjes ka udhëtuar në Gjermani. Meqë nuk janë cekur arsyet e këtij udhëtimi, mund të supozojmë se udhëtimi është bërë për arsye private.
Po ashtu, edhe për këtë që cekëm, ju vëmë në dispozicion ekstrakt nga Ditari i arkës dhe Njoftimi nga Agjencia turistike.

Do ta ripërsëris atë që e thotë kryetari Arben Taravari, se qëllimi i fushatës “E vërteta për BDI-në” bëhet me qëllim që qytetarët ta dinë se si janë shpenzuar paratë e tyre, si dhe të njoftohen organet kompetente se në shumë raste ka bazë të dyshuar për ngritje të procedurës penale. Asnjë strukturë udhëheqëse nuk është e përjetshme. Pas nesh, do të vijnë të tjerë dhe le të zbardhin edhe ata të gjitha rastet ku dyshohet për keqpërdorime.

Ju faleminderit.”

Shërbimi për informim

 

Kryetari Taravari vizitoi Universitetin ndërkombëtar VISION në Gostivar

13.02.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga udhëheqësja e Sektorit për arsim, Aslian Snopçe dhe zëdhënësit të komunës, Jasin Demiri, vizituan Universitetit ndërkombëtar VISION në Gostivar.

Delegacioni i komunës së Gostivarit u prit nga rektori i universitetit prof.dr. Fadil Hoxha dhe stafi akademik, të cilët i njoftuan ata me kushtet dhe mbarëvajtjen e procesit arsimor në këtë institucion.

Kryetari Taravari përgëzoi stafin akademik për punën të cilët e bëjnë dhe shprehu gatishmëri që bashkëpunimi ekzistues midis Komunës së Gostivarit dhe Universitetit VISION të thellohet në të ardhmen.

Rektori Hoxha, falënderoi kryetarin Taravari për vizitën duke shprehur fjalë miradije për angazhimin e tij për rritjen e cilësisë së arsimit në komunën e Gostivarit.

Në takim u bisedua për projekte të cilat dy institucionet do të mund t’i realizonin bashkërisht.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari, shpalosi të arriturat në 100 ditëshin e parë të mandatit

12.02.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, para gazetarëve, shpalosi të arriturat e udhëheqësisë së re komunale në 100 ditët e para të mandatit 2017-2021.
“E depolitizuam arsimin duke bërë emërime të drejtorëve kryesisht të propozuar nga vetë kolektivet e shkollave. Kuadrin arsimor joadekuat e zëvendësuam me kuadër të profilit të caktuar. E depolitizuam, po ashtu, edhe Këshillin Rinor të komunës së Gostivarit, pa mos ndikuar fare në zgjedhjen e kryesisë. Për vetëm 100 ditë, duke racionalizuar skajshmërisht shpenzimet joproduktive, kemi arritur të paguajmë mbi 300 mijë euro borxhe të trashëguara. Te transporti i nxënësve, duke mos favorizuar kompani përkatëse, arritëm që të kursejmë 250 mijë euro për një vit, mjete këto të cilat do t’i shfrytëzojmë për investime për përmirësimin e kushteve nëpër shkollat publike”, theksoi kryetari Taravari në fillim të konferencës për shtyp.

Falë donatorëve dhe biznesmenë nga Gostivari, vazhdoi Taravari, bëmë një zgjidhje të përkohshme të problemit me çatinë e shkollës “Goce Dellçev”, ndërsa në një të ardhme të afërt, problemin do ta zgjidhim për afat të gjatë.
Ai theksoi se është arritur marrëveshje me ambasadën e Zvicrës për fillimin e punimeve në deponinë Rusino, ndërsa në muajin prill do të zgjidhet edhe një problem krucial për qytetarët e komunës së Gostivarit, respektivisht do të fillojë me punë Stacioni për filtrimin e ujit.

“Dukshëm e përmirësuam ndriçimin publik, si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra, ndërsa po ashtu u përgatit studim fizibiliti për ndriçimin publik SMART, zbatimi i të cilit do të fillojë brenda disa muajsh nëpër qytet. Formuam ekipin e protokollit dhe marrëdhënieve me publikun, me qëllim që të rrisim transparencën si dhe lehtësuam qasjen e lirë deri te informatat me karakter publik. Kemi emëruar edhe Zëdhënës të Komunës”, nënvizoi Taravari dhe vazhdoi: „Për herë të parë në komunën e Gostivarit u organizua prezantim i propozim-buxhetit para qytetarëve dhe u debatua mbi të njëjtin. Rritëm të hyrat nga tatimet për rreth 20% në muajin janar 2018, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar 2017, gjë që tregon se është rritur besueshmëria e qytetarëve në institucionin komunë”.
Kryetari i komunës së Gostivarit, njoftoi në press-konferencë edhe se është prishur një kontratë e dëmshme me parterin privat për parkim zonal, me të cilën qytetarët e Gostivarit dëmtoheshin për çdo muaj nga mbi 5 mijë euro.
Më pas Taravari përmendi edhe takimet dhe kontakte me shumë biznesmenë dhe investitorë potencialë nga vendi dhe jashtë, me ç’rast është shprehur gatishmërinë që tu ofrohen atyre favore infrastrukturore me qëllim që ata të investojnë në komunën e Gostivarit.

“Kemi realizuar takime të shumta me ambasadorë, si në komunën e Gostivarit , ashtu edhe në selitë e ambasadave. Realizuam takim edhe me kryetarët e dy kryeqyteteve shqiptare Tiranës dhe Prishtinës, gjegjësisht me z. Erion Veliaj dhe z. Shpend Ahmeti”, potencoi ai.
Shpalosjen e të arriturave për 100 ditët e para të mandatit, kryetari Arben Taravari e përfundoi me informatën se Komuna e Gostivarit fitoi grand nga UNDP dhe Bashkimi Evropian në vlerë prej 120 mijë euro, ndërsa më pas u përgjigj edhe në pyetjet e shumta të gazetarëve të pranishëm.

Zëdhënësi i komunës, Jasin Demiri, përmes një prezantimi në power point dha detajet për aktivitetet dhe rezultatet e arritura në 100 ditët e para të mandatit në sfera të ndryshme: arsim, mbrojte sociale, transparencë, infrastrukturë, sektorin joqeveritar, takime protokollare dhe të tjera.

Shërbimi për informim

 

Do të hapen kopshte për fëmijë në Forinë dhe Raven

09.02.2018

Komuna e Gostivarit ka përfituar grant nga UNICEF-i në vlerë prej rreth 18 mijë euro për hapjen e dy Qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror. Një paralele për fëmijë të moshës prej 3 deri më 5 vjeç, do të hapet në fshatin Forinë, ndërsa tjetra në fshatin Raven.

Në bazë të memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim me UNICEF, Komuna e Gostivarit obligohet që të kofinancojë 10 mijë euro, mjete këto të nevojshme për të përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për mësonjëtoret që do të funksionojnë në kuadër të godinave ekzistuese shkollore.

Nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë komunës së Gostivarit, njoftojnë se pas ndjekjes së procedurave përkatëse, menjëherë  do të kalohet në realizimin e punëve përkatëse dhe Qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror në Forinë dhe Raven të fillojnë të funksionojnë brenda këtij viti.

Komuna e Gostivarit do të angazhohet që përmes granteve dhe mjeteve të veta buxhetore, të hapë sa më shumë qendra të këtilla dhe me përkujdesje dhe edukim, të përfshihen edhe fëmijët e moshës parashkollore nga zonat më të thella rurale.

Shërbimi për informim 

Komuna e Gostivarit fitoi grand prej 120 mijë euro nga UNDP

09.02.2018

Në kuaër të Programit rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor, kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari nënshkroi dje Memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesen e UNDP-së, Luiza Vinton dhe të Delegacionit të BE-së, Nikolas Bertolini.

Në dy vitet e ardhshme UNDP do t’i ndajë komunës së Gostivarit 120.000 euro grand për projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Komuna e Gostivarit është një ndër 5 komunat e vetme në Maqedoni që përfitojnë grand të këtillë nga UNDP, ndërsa është përzgjedhur sipas disa kritereve, ndërmjet të cilave diversiteti gjeografik, mundësia për kofinancim të granteve dhe financim transparent me shoqëritë civile.

Programi i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i kofinancuar nga UNDP dhe komunat, siguron mbështetje për projektet me interes publik dhe përmirësimin e shërbimeve komunale dhe cilësinë e jetës për banorët në komuna. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet projekteve për përfshirje sociale, barazi gjinore, grupeve të cenueshme, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Shërbimi për informim 

“E vërteta për BDI-në” – Nga 5 mijë euro në muaj më shumë i janë paguar partnerit privat për parkim zonal në Gostivar

08.02.2018  

Në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, konferencë për shtyp sot mbajti zëdhënësi i NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, Rasim Abduli, me ç’rast informoi për kontratën abuzive të lidhur në mandatin e shkuar, me parterin privat për parkim zonal.

“Ashtu siç informuam në pres konferencën e kaluar në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në“, për parregullsitë dhe shkeljet që hasëm në këtë ndërmarrje, sot do të veçojmë  kontratën e nënshkruar për parkim zonal ndërmjet ndërmarrjes tonë dhe partnerit privat ‘Duna Kompjuters’ nga Shkupi. Vlerësojmë se përqindja që i është ndarë partnerit privat  ka qenë tepër e lartë, ndërsa janë hasur po ashtu edhe shkelje tjera. Në fakt, sipas kontratës 38% është paraparë për kompaninë e lartpërmendur dhe 62% për ndërmarrjen publike.  Përqindja ka qenë e paraparë në neto, ndërkaq tërë kohës pagesa e është bërë në bruto. Pra, ndërmarrja publike  është dëmtuar për mesatarisht 300.000 denarë ose 5 mijë euro në muaj”, deklaroi Abduli.

Ai shfrytëzoi nga rasti të informojmë qytetarët e Gostivarit, se shkaku i këtyre keqpërdorimeve, nga dita e djeshme kontrata me parterin privat është shfuqizuar, dhe se  parkimi zonal do të jetë i lirë deri në afat të pacaktuar.

“I shqyrtojmë të gjitha mundësitë, shpresojmë për një zgjidhje sa më të mirë dhe sigurisht  do t’ju informojmë në ditët në vijim për zgjidhjen përfundimtare”, nënvizoi zëdhënësi  i ndërmarrjes,  Rasim Abduli.

Shërbimi për informim

Sektori i arsimit filloi vizitat nëpër shkolla. Aslian Snopçe: Patjetër të kthejmë disiplinën dhe rregullshmërinë

06.02.2018 

Udhëheqësja e Sektorit të arsimit pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe, filloi turin e vizitave nëpër shkollat fillore dhe të mesme komunale të Gostivarit.

Gjatë ditës së sotme, znj. Snopçe vizitoi Shkollën e Mesme Komunale “Gostivar“, me ç’rast u takua me drejtorin Dritan Imeri, shërbimin pedagogjik dhe me kryetarët e klasave të viteve të katërta.

“Qëllimi i vizitës ishte që të ndjekim nga afër se si realizohet procesi mësimor, por edhe të dëgjojmë kërkesat e kuadrit mësimor dhe të nxënësve. Në fokus patëm disiplinën, rregullshmërinë, mbajtjen e uniformave, por edhe të japim sugjerimet se si të përmirësohet gjendja aktuale. Ishte konstatim i përbashkët se nevojitet një angazhim i koordinuar dhe një përkushtim më i madh që me hapa konkrete të rritet niveli i disiplinës dhe të ndërmerren masa disiplinore si ndaj nxënësve ashtu edhe ndaj mësimdhënësve të cilët shkelin kodet e përcaktuara”, thotë znj. Snopçe.

Ndërkaq drejtori Dritan Imeri theksoi se vizitat e këtilla janë të mirëseardhura dhe se në koordinim dhe bashkëpunim me administratën komunale, mundësitë për ecje para me hapa më të shpejtë, janë më të mëdha.

Në lidhje me ekskursionet e nxënësve që duhet të realizohen kah fundi i viti shkollor, si dhe për festimin e mbrëmjes së maturës  u ra dakord  që të merren parasysh kërkesat e nxënësve, por realizimi i tyre patjetër të bëhet në koordinim dhe me pëlqim të prindërve, drejtorisë së shkollës dhe Sektorit tëarsimit pranë Komunës së Gostivarit.

Vizitat nga ana e përfaqësuesve të Sektorit të arsimit në shkollat fillore dhe të mesme  komunale, si dhe në çerdhet e fëmijëve, do të jenë të rregullta dhe të njëjtat do të realizohen pa agjendë të caktuar.

Kryetari Taravari pa nga afër dëmet nga vërshimet në Padalisht, premtoi se shumë shpejtë ato do të evitohen

05.02.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot fshatin Padalisht ku reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan dëmtim të rrugës lokale që çon deri në këtë fshat.

Gjatë këqyrjes në vendngjarje u konstatua se , jo vetëm moti i ligë ka qenë shkaktar i dëmtimit të rrugës, por edhe faktori njeri.

“Moti i ligë e ka bërë të veten, por edhe faktori njeri në rastin konkret ka ndikuar që dëmet të jenë më të theksuara. Pra, krahas  reshjeve intensive, situatën e kanë rënduar punimet për ndërtimin e një mini-hidrocentrali dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme e që vështirësojnë qarkullimin normal në këtë segment rrugor”, theksoi Taravari.

Ai bëri me dije se nga këqyrja në vendgjarje është konstatuar se si pasojë e punëve ndërtimore është krijuar një ngushticë në rrjedhën e ujit përgjatë rrugës që çon në fshatin Padalisht dhe asfalti nuk ka mundur ta durojë presionin e krijuar nga uji.

“Së shpejti do të përpilohet një procesverbal ku do të përcaktohet shkaku dhe lartësia e dëmit dhe do të kërkohet nga investitori që t’i eliminojë pasojat, normalisht edhe me mbështetjen tonë si administratë komunale. Pra, do të ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkret për tejkalimin e  gjendjes dhe shumë shpejt do rikthehet qarkullimi i lirshëm  për  banorët e këtij fshati dhe të gjithë atyre që e frekuentojnë këtë rrugë”, nënvizoi kryeatri i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Shërbimi për informim

Biznesmenët e Akhisarit të Turqisë, të interesuar për investime në Gostivar

05.02.2018

Në kuadër të vizitës që ia bëri komunës së Akhisarit, kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari realizoi një takim me zv/kryetarin e kësaj komune Ömer İşçi.

Taravari dhe İşçi, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të dy komunave bashkëbiseduan për mundësinë e investimit të biznesmenëve nga Akhisari, por dhe nga Turqia në përgjithësi, në komunën e Gostivarit.

Ata u dakorduan që një delegacion i gjerë i përbërë prej zyrtarëve të Komunës Akhisar dhe përfaqësuesve të Odave Ekonomike të Turqisë, në një të ardhme të afërt të realizojnë një vizitë në komunën e Gostivarit dhe të njoftohen me klimën e biznesit.

Kryetari Taravari tha se qyteti i Gostivarit njihet si qytet mikpritës dhe se do të jetë i nderuar ai dhe qytetarët e Gostivarit që të jenë nikoqir të një delegacioni nga Komuna mike e Akhisarit. Gjatë vizitës në Gostivar, atyre do tu mundësohet që të hulumtojnë tregun në Gostivar me rrethinë, të njoftohen nga afërm me asistencën dhe lehtësimet që ofron shteti në përgjithësi dhe Komuna e Gostivarit në veçanti, për investitorëte huaj.

Shërbimi për informim