Nxënësit e SHF “Përparimi” vizituan organizatën rinore “YEP”

16.03.2018

Nxënësit e klasave të nënta të Shkollës Fillore “Përparimi” e fshatit Çegran, në kuadër të lëndës mësimore Edukimi qytetar, të shoqëruar nga profesorët e tyre, vizituan një nga organizatat qytetare të të rinjve që vepron në komunën e Gostivarit, “Youth Empowerment Platform – YEP”.

Për aktivitet e kësaj organizate foli drejtuesi i saj Arlind Musliu, si dhe disa nga anëtarët e kësaj organizate, të cilët njoftuan se organizata ka për mision fuqizimin e intelektit të të rinjve, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme.

Nxënësit gjithashtu u njoftuan nga afër me disa nga aktivitet e kësaj organizate siç është “Tech up” si dhe u informuan për aktivitete të ndryshme vullnetare në të mirë të shoqërisë. Mbi të gjitha nxënësit mësuan për rolin e shoqatave qytetare, për funksionimin, punën që bëjnë, anëtarësimin si dhe mënyrën se si demokracia vendoset në lëvizje përmes tyre.
Nxënësit ishin mjaft kureshtar për të kuptuar rolin e organizatave qytetare.

Shërbimi për informim

U nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet SHMEK “Gostivar” dhe shoqatës “Aksion Paqësor”

16.03.2018

Shkolla e mesme ekonomike komunale “Gostivar” dhe shoqata “Aksion Paqësor nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për projektin “Mbështetje e procesit për arsim të ingtegruar të shkollave”.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, duke e kuptuar rëndësinë e procesit për integrim ndëretnik në arsim (INA) me qëllim që të rindërtohen arritjet e mëtutjeshme të të njëjtit, të dy palët dakordohen për aktivitete të përbashkëta: analiza (anketa), programe trajnues për tre mësimdhënës nga SHMEK “Gostivar”, punëtori me prezantime të kolegëve nga shkolla, punëtori me nxënës, si dhe bashkëpunim me shkollën partner SHMK “Gostivar” me mbështetje financiare dhe teknike prej 60.000 den.

Projektin “Mbështetje e procesit për arsim të integruara nëpër shkolla”, e zbaton shoqata Aksion Paqësor në partneritet me Qendrën për studime paqësore në Zagreb (Kroaci), ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian dhe Civica Mobilitas.

Shërbimi për informim

Demiri: Ja si kanë menaxhuar në arsim ata që ia morën kompetencat Komunës së Gostivarit

15.03.2018

Temë e press-konferencës së sotme në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, ishte arsimi, respektivisht keqmenaxhimi në shkollën e mesme teknike “Gostivar”, gjatë mandatit 2013-2017.

“Ndonëse ka  keqpërdorime të shumta në këtë shkollë të mesme, ne sot do t’ju njoftojmë vetëm me disa prej tyre. I diplomuari në farmaci, ka qenë ë i angazhuar me fond të plotë prej 20 orësh për lëndët matematikore. Inxhinier i arkitekturës ka qenë i  angazhuar për lëndën e gjuhës angleze, ndërsa ajo që është më interesante,  i diplomuari në biznes ka qenë i angazhuar 4 orë për testim ekstern, 2 orë për fotokopje dhe 2 orë për Facebook”, informoi zëdhënësi i Komunës së Gostivarit, Jasin Demiri.

Ai, si dëshmi, ofroi kopjet e aktvendimeve për marrëdhënie pune për rastet e përmendura të mospërfilljes së normave ligjore.

“Angazhim i këtyre kuadrove, është bërë vetëm se këta individë kanë qenë aktivistë partiakë dhe të dëgjueshmit e patronit të tyre”, nënvizoi Demiri.

Përkujtojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nën trysninë e BDI – dega në Gostivar, ia mori kompetencat kryetarit të komunës së Gostivarit, Arbe Taravari, në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve.

Shërbimi për informim

Ligjërata për ajër të pastër në shkollat fillore të Gostivarit

14.03.2018

Në tre shkolla fillore të komunës së Gostivarit, respektivisht në SHF “Ismail Qemali”, SHF “Goce Dellçev” dhe SHF “Bashkimi” u mbajtën ligjërata për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ku në fokus ishte ajri ambinetal.

Aktivitetet u realizuan nga Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” – Tetovë, ndërsa ligjëratat i ndoqën të gjithë nxënësit e klasave të shtata, teta dhe të nënta.

Qëllimi i kësaj ligjërate ishte ngritja e vetëdijes së nxënësve për mbrojtjen e mjedisit jetësor me fokus të veçantë ajrin, i cili në rajonin e Pollogut sipas matjeve zyrtare është më i ndoturi në vend dhe më gjerë

“Ligjëratat e sotme oi ndoqën mbi 160nxënës të klasave të shtata, teta dhe nënta në të tri shkolla. Qëllimi i ligjëratave ishte edukimi dhe informimi i nxënësve për mbrojtjen e mjedisit. Krahas ligjëratave, nxënësve u ndamë edhe broshura edukative me titull Bëhu shembull për të tjerët“, njofton Arianit Xhaferi – kryetar i Shoqatës Eco Guerilla, i cili edhe i mbajti ligjëratat.

Vlen të theksohet, se me insistimin e kryetarit Arben Taravari, në ministria e dikasterit instaloi stacion matës për cilësinë e ajrit ambiental në Gostivar, ndërsa matjet tregojnë shifra shqetësuese.

Shërbimi për informim

Në shkollat ​​e Gostivarit, implementohet projekti “Respekto diversitetin”

13.03.2018

Me mbështetjen e Komunës së Gostivarit, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, në shkollat e Gostivarit ​​e implementon projektin “Respekto diversitetin” qëllimi i të cilit është të tejkalohen paragjykimet, të mos ketë dhunë dhe dallimet të shihen benefit, e jo si problem.

Punëtoria e parë u mbajt në Shkollën fillore “Goce Dellçev” në Gostivar. Punëtoria ishte interaktive dhe në prezantimet moërn pjesë vetë nxënësit të cilët i bartën dhe i ndanë përvojat dhe dituritë e tyre.

“Me punëtoritë e këtilla ngrihet vetëdija e të rinjve në drejtim të respektimit të multietnicitetit dhe parandalimit të dhunës. Ne si Komunë, edhe në të ardhmen do të mbështesim aktivitete të tilla”, thotë Seadin Ejupi, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Shkolla jonë tash e disa vite realizon projekte në bashkëpunim me Departamentin për parandalim të Ministrisë së Brendshme. Çdo vit shkollor organizohen punëtori që trajtojnë tema siç është dhuna, abuzimi me substanca psikotrope dhe të ngjashme. Ngjarjet e këtilla, janë një ndihmë e madhe për nxënësit”, thotë Saso Shareski, drejtor i Shkollës fillore” Goce Dellçev “në Gostivar.

Projekti “Respekto diversitetin” do të realizohet edhe në shkollat “Bashkimi” dhe “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar, si dhe në tri shkolla në Tetovë.

Projekti është planifikuar të zgjasë rreth dy muaj.

Shërbimi për informim

Në Gostivar me rrethinë mënjanohen shkurret dhe pastrohen hedhurinat

13.03.2018

Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” vazhdon me aksione gjithëpërfshirëse për rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra publike nëpër gjithë territorin e komunës së Gostivarit, si dhe në rregullimin e sipërfaqeve përskaj rrugëve lokale dhe rajonale.

“Krahas aktiviteteve të përditshme për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe parkingjeve publike, kohë pas kohe ndërmarrim aksione të cilat tejkalojnë obligimet tona, siç është mirëmbajtja e brezit të rrugëve rajonale, me të vetmin qëllim që të mundësojmë qarkullim të lirshëm dhe më të sigurt në trafikun rrugor. Këtyre ditëve jemi duke punuar në disa lokacione, siç janë hyrja në fshatin Debresh, hyrja në fshatin Llakavicë, parku i madh i qytetit dhe këndi i lojërave për fëmijë”, informon drejtori i kësaj ndërm.arrjeje Muzafer Zulbehari.

Në hyrje të fshatit Debresh mënjanohen shkurret përskaj rrugës rajonale, si dhe pastrohen hedhurinat. Në hyrje të fshatit Llakavicë ku vegjetacioni i padëshiruar kishte kapluar madje edhe rrugën, mënjanohet i njëjti duke u krijuar kushte për qarkullim të lirshëm dhe dukshmëri më të madhe.

Në parkun e madh të qytetit punohet në anën e djathtë të lumit Vardar, ku pastrohen degët e rëna nga reshjet e shiut dhe era e fortë, ndërsa këndi i lojërave pastrohet dhe rinovohet, që të mundet i njëjti të shfrytëzohet.

Nga NP “Parkingje dhe gjelbërime”, njoftojnë se aksione të këtilla do të realizohen në vazhdimësi.

Shërbimi për informim

THIRRJE PUBLIKE PËR ORGANIZATA CIVILE PËR PARASHTRIMIN E PROPOZIM PROJEKTEVE NË KUADËR TË PROGRAMIT RAJONAL PËR DEMOKRACI LOKALE NË BALLKANIN PERËNDIMOR (ReLOaD)

KOMUNA E GOSTIVARIT NË PARTNERITET ME PROGRAMIN PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA (UNDP) SHPALL:

THIRRJE PUBLIKE PËR ORGANIZATA CIVILE PËR PARASHTRIMIN E PROPOZIM PROJEKTEVE NË KUADËR TË PROGRAMIT RAJONAL PËR DEMOKRACI LOKALE NË BALLKANIN PERËNDIMOR (ReLOaD)

Programi rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) është i financuar nga Unioni Evropian dhe e zbaton Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në gjashtë vende/territore nga Ballkani Perëndimor. Projekti do të zgjasë deri në janar të vitit 2020 dhe do ta ketë për qëllim fuqizimin e demokracisë participative (pjesëmarrëse) dhe proceset për integrim të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Unionin Evropian përmes fuqizimit të shoqërisë civile për pjesëmarrje aktive të tij në procesin e vendimmarrjes.

Me projektin ReLOaD është paraparë që të përfshihen 5 komuna në vendin tonë: Strumicë, Resnjë, Kavadar, Gostivar dhe Kumanovë.

Komuna e Gostivarit dhe projekti ReLOaD i ftojnë të gjitha organizatat civile në vendin tonë të parashtrojnë propozim projekte të cilat janë konsekuente për qëllimet zhvillimore të komunës së Gostivarit dhe me të cilat janë përfshirë fushat vijuese prioritare:

1. Arsim
2. Ambient jetësor
3. Liritë dhe të drejtat e njeriut, jodiskriminim dhe inkluzion social
4. Zhvillim ekonomik lokal
5. Art dhe kulturë, të rinj dhe sport

Shuma e mjeteve për projektet e miratuara do të lëviz prej 307.000,00 MKD deri 1.845.000,00 MKD .

Organizatave të shoqërisë civile u lejohet të parashtrojnë më shumë se një propozim projekt nëse shuma totale e alokuar nuk kalon 3.690.000,00 MKD për tërë kohëzgjatjen e projektit ReLOaD (deri në janar të vitit 2020).

Komuna e Gostivarit dhe UNDP e rezervojnë të drejtën të mos i ndajnë fondet në dispozicion nëse projekt propozimet nuk i plotësojnë kriteret e specifikuara. Projektet mund të jenë për një kohëzgjatje prej 6 deri në 8 muaj. Projektet e përzgjedhura duhet të zbatohen në periudhën nga maji 2018 deri në dhjetor 2018.

PËRSHTATSHMËRI:
Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur, në baza të barabarta, për të gjitha organizata të shoqërisë civile të regjistruara formalisht (shoqata/organizata ose fondacione) në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Të gjitha organizatat e interesuara të shoqërisë civile mund të gjejnë informacione të hollësishme rreth kushteve të aplikimit dhe kritereve për financimin e projekteve në Udhëzimet për aplikuesit, të cilat janë pjesë përbërëse e dokumentacionit për thirrjen publike.

DOKUMENTACION:
Dokumentacioni për aplikim për thirrjen publike në komunën e Gostivarit do të jetë në dispozicion nga data 13.03.2018, përmes dërgimit të një kërkesë në adresën vijuese Bulevardi Vëllezërit Gjinoski nr.61, Gostivar dhe/ose në email: info@gostivari.gov.mk, në të cilën është theksuar emri i organizatës së interesuar, ose personalisht në komunën e Gostivarit, rruga: Bulevardi Vëllezërit Gjinoski nr.61, Gostivar. Të gjitha informacionet e nevojshme dhe versioni elektronik nga e gjithë pakoja e aplikacionit mund gjithashtu të shkarkohen edhe nga faqja zyrtare e internetit e komunës (www.gostivari.gov.mk), si dhe në faqen e internetit të UNDP-së (www.mk.undp.org).

Sesioni informues (dita e hapur) për thirrjen me parashtruesit e interesuar përkatësisht organizata të shoqërisë civile do të mbahet në komunën e Gostivarit më datën 20.03.2018, me fillim në orën 11:00 në lokalet e komunës.

Pyetje në lidhje me thirrjen publike mund të parashtrohen përmes adresës registry.mk@undp.org, me shenjën për thirrjen publike. Pyetjet mund të dorëzohen deri më 28.03. 2018 dhe përgjigjet do të jepen në formë të shkruar në afat prej 3 ditë pune nga data e pranimit të pyetjeve. Për të siguruar transparencë, pyetjet do të publikohen në faqen e internetit të UNDP-së.

PARASHTRIMI I APLIKACIONEVE:
Aplikacionet e plotësuara (me dokumentacion të plotë) duhet të dorëzohen në tri (3) kopje të shtypura dhe një version elektronik (në CD ose USB), në një zarf të mbyllur me një njoftim se është për thirrjen publike, me rekomande përmes postës ose personalisht, në ditë pune (premte-e hënë) nga ora 09:00 deri në orën 15:00 në adresën vijuese:

Komuna e Gostivarit
Rruga:Bulevardi Vëllezërit Gjinoski 61
Numri postar: 1230

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 09.04.2018, deri në orën 15:00. Aplikimet që do të dorëzohen pas këtij afati përfundimtar do të merren parasysh vetëm nëse në vulën postare qëndron data dhe koha e dërgimit përpara afatit përfundimtar. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të jetë emri i thirrjes për dorëzimin e propozim projekteve, emri i plotë dhe adresa e aplikuesit, emri i plotë i projektit dhe shënimi “Të mos hapen para hapjes zyrtare”. Nëpunësi komunal do të lëshojë një vërtetim për marrjen e dokumenteve të parashtruara. Të gjithë parashtruesit e propozim projekteve, pa marrë parasysh nëse propozim projektet pranohen ose refuzohen, do të njoftohen në formë të shkruar për vendimin në lidhje me propozimin e tyre në afat prej 30 ditëve pune nga mbyllja e thirrjes publike. Rezultatet do të publikohen në faqen e internetit të komunës (www.gostivari.gov.mk) dhe/ose në tabelën komunale dhe në faqen e internetit të UNDP (www.mk.undp.org)

Aneks 1 – Propozim proekt – Gostivar
Aneks 2_Pasqyra e Buxhetit_Gostivar
Aneks 3 – Korniza logjike – Gostivar
Aneks 4 – Plan i aktiviteteve dhe dukshmeri_Gostivar
Aneks 5 – Formular me te dhena administrative – Gostivar
Aneks 6 – Formuar per te dhena financiare -Gostivar
Aneks 7 – Deklarate per pershtatshmeri_Gostivar
Aneks 8 – Lista per kontrollim_Gostivar
Aneks 9 – Udhezime per parashtruesit_Gostivar

Punë efikase e Sektorit për urbanizëm pranë Komunës së Gostivarit

12.03.2018

Prej marrjes së mandatit nga ana e kryetarit Arben Taravari dhe formimit të ekipit të ri udhëheqës në Sektorin e urbanizimit, Komuna e Gostivarit ka lëshuar gjithsej 24 leje ndërtimi, prej të cilave 16 për objekte individuale banesore, 3 për ridedikim, adaptime dhe rikonstruktime, 1 për Stacion matës për ajër ambiental, 2 për Hidrocentrale të vogla dhe 2 për rikonstruktim të rrugëve.

Meqë në media doli informacioni se Komuna   e Gostivarit nuk ka lëshuar asnjë leje për ndërtim në muajin janar të këtij viti, ndjejmë për obligim që qytetarët t’i informojmë drejtë  dhe t’i demantojmë të dhënat të cilat  i liferon Enti Shtetëror i Statistikave.

Krahas kësaj, informacioni se në janar të vitit 2017 janë lëshuar 37 leje ndërtimi është po ashtu i pasaktë. Konkretisht, në janar 2017 janë lëshuar  vetëm 7 leje ndërtimi.

Nga ana tjetër, për 21 kërkesa për leje ndërtimi, procedura nga ana e Komunës ka përfunduar, respektivisht është llogaritur kompensimi për komunalie, për të cilat pritet të bëhen pagesat dhe të lëshohenLejet e ndërtimit.

Puna efektive dhe efikase e ekipit të ri udhëheqës në Sektorin e urbanizimit pranë Komunës së Gostivarit, jep rezultate edhe në sferën e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje. Për vetëm 3 muaj, respektivisht në periudhën dhjetor 2017- shkurt 2018, janë zgjidhur gjithsej 654 lëndë, prej të cilave 166 pozitivisht.

Shërbimi për informim

Komuna e Gostivarit do të binjakëzohet me Komunën Kilis të Turqisë

12.03.2018

Një delegacion i Komunës Kilis të Turqisë, qëndroi dje në Gostivar me ç’rast u takuan me kryetarin e komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Në kuadër të vizitës, kryetari Taravari dhe i autorizuari nga ana e kryetarit Hasan Kara, drejtori për kulturë pranë Komunës Kilis – Mahmut Selxhuk, nënshkruan një marrëveshje të titulluar Karta e qëllimit të mirë, e që nënkupton ndihmë reciproke ndërmjet dy komunave dhe mbajtje gjallë të bashkëpunimit reciprok në të ardhmen.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje hap rrugën për binjakëzimin e dy komunave mike, e që do të formalizohet në një nga seancat e radhës të Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Komuna e Gostivarit dhe Komuna Kilis do të bashkëpunojnë në sferën ekonomike, arsimore, kulturore, sportive dhe në sfera tjera të jetës shoqërore.

Komuna Kilis gjendet në pjesën qendrore-jugore të Turqisë dhe ka rreth 100 mijë banorë.

Shërbimi për informim    

Eko-aksion i banorëve të fshatit Çajlë, pastrohet deponia e egër në Rudinë

11.03.2018

Tash e katërt ditë vijon aksioni i madh ekologjik në vendin e quajtur Rudina, në periferi të fshatit Çajlë. Aksioni i iniciuar nga Bashkësia Lokale e fshatit Çajlë, gjeti mbështetje të gjerë te banorët, afaristët dhe mërgimtarët e fshatit Çajlë, si dhe nga Komuna e Gostivarit dhe shoqatat ekologjike lokale.

Kamionë, traktorë dhe mekanizim adekuat për pastrimin e terrenit, të fshatarëve  dhe afaristëve të fshatit janë vënë në dispozicion për të realizuar këtë aksion, më i madhi deri ë tani në këtë fshat dhe lëndina e Rudinës, ka filluar të merr pamjen e dëshiruar.

Në mbështetje të këtij aksioni, në vendngjarje doli sot edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Ai në një deklaratë për media, informoi se ka paralajmërime për aksione të ngjashme edhe nëpër vendbanimet tjera dhe se Komuna e Gostivarit do të mbështesë dhe inicioi aksione për pastrimin e deponive të egra në çdo fundjavë.

“Çajla dhe Çegrani, dhe në të ardhmen besoj edhe fshatrat tjera, janë duke bërë një punë të madhe me aksionet e këtilla ekologjike. Falënderoj të gjithë qytetarët të cilët në mënyra të ndryshme kontribuojnë në realizimin e aksioneve të tilla. Do të dëshiroja të theksoj se Komuna e Gostivarit ka paraparë në buxhetin e vet nga dy mijë euro për çdo bashkësi lokale për shpenzime të tilla dhe të ngjashme. Ne, si Komunë, së bashku me dy ndërmarrjet publike do të mbështesim të gjitha eko-aksionet dhe shpresoj se çdo fundjavë do të kemi nga një aksion”, theksoi Taravari.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Çajlë, Sinan Elezi, shpjegon se terreni që po pastrohet do të rrethohet, do të vendoset tabelë paralajmëruese që të mos hidhen mbeturina, do të caktohet kujdestar dhe do të mbillen fidanë.

“Falënderoj të gjithë ata të cilët kontribuojnë për realizimin e këtij aksioni, banorët në përgjithësi, anëtarët e kryesisë së Bashkësisë lokale, afaristët, mërgimtarët dhe nënkuptohet Komunën e Gostivarit dhe kryetarin Are Taravari. Siç e shihni, në tre ditët e para kemi bërë shumë punë dhe vazhdojmë me të njëjtin temp. Vendin do ta rrethojmë dhe do të kujdesemi ta mirëmbajmë, ndërsa do të mbjellim edhe pemë që të kemi ajër të pastër dhe të ruajmë shëndetin tonë de të fëmijëve tanë”, theksoi Elezi.

Qëndrimin në mesin e banorëve të fshatit Çajlë, kryetari Arben Taravari e shfrytëzoi edhe për tu informuar në lidhje me problemet dhe nevojat e tyre.

Shërbimi për informim