Gjatë fundjavës u mbushën gropat goditëse në të gjitha rrugët e qytetit të Gostivarit

23.04.2018

Ndërmarrja Publike “Komunalec”, me mbështetje të Komunës së Gostivarit, gjatë fundjavës që kaloi përmbylli aksionin për mbushjen e gropave goditëse në të gjitha rrugët e qytetit.

“Aksionin që e filluam me ardhjen e pranverës, gjatë fundjavës së kaluar e përfunduam dhe tashmë të gjitha gropat në rrugët e qytetit janë të mbushura me çka është mundësuar lëvizja normale e automjeteve”, thotë drejtori i Ndërmarrjes publike “Komuanlec”, Isak Lazami.

Këtë vit, Komuna e Gostivarit planifikon të asfaltojë rreth 15 rrugë lokale në qytet dhe në zonat rurale.

Shërbimi për informim

Me vetëiniciativë të banorëve dhe me ndihmën e Komunës së Gostivarit, rregullohet lagja rome “Dupka”

21.04.2018

Banorët e lagjes së margjinalizuar rome “Dupka” në Gostivar, realizuan një aksion për pastrimin e vendbanimit të tyre, ndërsa në ndihmë u doli Komua e Gostivarit përmes Ndërmarrjes publike “Komunalec”.

Banorët lokalë i pastrojnë mbeturinat dhe i grumbullojnë në një vend, ndërsa Ndërmarrja publike bën bartjen e tyre, rrafshimin e rrugës dhe pastrimin e kanalit për ujërat atmosferik.

Komuna e Gostivarit i mbështet dhe ndihmon të gjitha aksionet e banorëve të vendbanimeve të ndryshme në qytet dhe nëpër fshatra, si dhe inicion aksione të këtilla.

Ndryshe, lagjja rome “Dupka” ekziston disa dekada, por ka qenë totalisht e margjinalizuar edhe nga pushteti lokal edhe nga ai qendror. Udhëheqësia aktuale e Komunës së Gostivarit, angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e saj.

Shërbimi për informim

NJTKZ pajiset me 10 shtretër – donacion nga Komuna e Gostivarit

20.04.2018

Me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës për të punësuarit në Njësinë Territoriale Kundërzjarrit – Gostivar, Komuna e Gostivarit ndau donacion prej 10 shtretërish.

Jusuf Bajrami koordinator i autorizuar nga Komuna e Gostivarit në NJTKZ, falënderoi kryetarin e komunës Arben Taravari për këtë donacion, duke bërë me dije se përmirësimi i kushteve të punës në këtë njësi, do të jetë një proces permanent.

“Zjarrfikësit profesionalë, detyrat e tyre i kryejnë në turne prej 12 orësh dhe në përputhje me ligjin, gjatë orarit të punës mund edhe të pushojnë, respektivisht të flenë në periudha të caktuara. Shtretërit me të cilat dispononte NJTKZ ishin jashtë çdo standardi, kështu që në emër të zjarrfikësve, falënderoj kryetarin Taravari që kujdeset për të siguruar kushte sa më të mira që ata t’i kryejnë detyrat e tyre të punës”, theksoi koordinatori Bajrami.

Vlen të theksohet se paraprakisht NJTKZ-së të Gostivarit nga Republika e Turqisë iu dhuruan edhe uniforma pune për 5 zjarrfikës, ndërsa në mungesë të dotacioneve të mjaftueshme nga pushteti qendror, Komuna e Gostivarit do të ndajë mjete nga buxheti i vet për përmirësimin e kushteve të punës, kushteve teknike dhe hapësinore, me qëllim të mundësimit të funksionimit sa më efikas të personave të cilët kryejnë një punë kaq fisnike, siç është profesioni i zjarrfikësit.

Njësia Territoriale Kundërzjarrit – Gostivar, mbulon gjithë territorin e komunës së Gostivarit dhe asaj të Vrapçishtit, si dhe një pjesë të komunës Mavrovë-Rostushë, respektivisht një territor me rreth 100 mijë banorë, ndërsa dotacionet që vijnë nga pushteti qendror, nuk plotësojnë as një të tretat e nevoja reale për funksionim të mirëfilltë të kësaj njësie.

Shërbimi për informim

Njoftim

18.04.2018

Njoftohen banorët e rrugëve “Boris Kidriç” (prej te Kisha deri te Marketi “Montenegro”), “Dimitar Vllahov” dhe “Mlladen Grujevski”, se sot prej në ora 12 deri në ora 15, do të kenë shtypje të reduktuar të ujësjellësit.

Kjo si pasojë e punimeve që po realizohen për sanimin e defektit në tubacionin kryesor Ф 100.

Nga NP Komunalec kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët.

Shërbimi për informim

Njoftim 2

18.04.2018

Njoftohen qytetarët se asfaltimi i rrugëkryqit te Kompleksi “Barok” do të bëhet nesër në mëngjes.

Deri te vonesa e asfaltimit vjen si pasojë e një defekti të makinës të ndërmarrjes realizuese të punimeve.

Nga SHA “Pellagonija”, kërkojnë falje publike dhe mirëkuptim nga ana e qytetarëve të Gostivarit për vonesën.

Shërbimi për informim

Njoftim

18.04.2018

Komuna e Gostivarit i njofton qytetarët se në rrjedhë është aksioni për sanimin e rrugëve të dëmtuara në territorin e qytetit të Gostivarit.

Për këtë arsye, nëpër shumë rrugë të qytetit është bërë heqja e asfaltit të dëmtuar dhe po bëhet përgatitja për shtrimin e asfaltit të ri.

Arnimi i gropave në rrugët “Beliçica”, “Kej Vardar” dhe lagjen “Banjeshnica” do të behet gjatë ditës së sotme, ndërsa në rrugët tjera në ditët në vijim.

Apelojmë deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm gjatë vozitjes dhe njëkohësisht i falënderojmë për mirëkuptimin.

Shërbimi për informim

Taravari: Kërkojmë nga MPB – mos t’i mbrojë banditët

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot mbajti një konferencë për shtyp në lidhje me incidentin që ndodhi në gjimnazin e Gostivarit.

“Në historinë e Gostivarit asnjëherë nuk ka ndodhur që militantë partiakë të futen në shkollë dhe të rrahin profesorë. Dhuna ndaj dy profesorëve është ushtruar nga një ish i burgosur dhe truproje apo shofer i Nevzat Bejtës dhe nga djali i drejtorit të shkollës që po ashtu njihet si njeri problematik. Ata janë futur në shkollë të armatosur, ndërsa e tërë situata ka qenë e orkestruar nga drejtori i shkollës, i cili nga mëngjesi i ka thënë njërit prej profesorëve të rrahur se – do ta shikosh sot se çka do të të ndodhë. Ashtu edhe ndodhi, dy profesorët përfunduan me lëndime serioze në neuro-kirurgji në Shkup”, sqaroi kryetari i komunës, Arben Taravari.

Ai kërkoi që Ministria e Arsimit t’ia kthejë kompetencat kryetarit të komunës ndërsa organet kompetente të bëjnë zbardhjen e plotë të rastit dhe dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

“ Ne thamë se marrja e ingirencave në arsim do të sjellë pasoja dhe ja ku i shohim pasojat. Ne kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të na i kthejnë kompetencat, të suspendohet drejtori i gjimnazit si orkestrues i këtij sulmi, kërkojmë që Ministria e Arsimit të informojë komunën se çfarë hapash janë ndërmarrë për rastin konkret. Ne si komunë kemi formuar komision i cili po merret me hulumtime se përse ka ardhur deri në këtë incident të dhunshëm, ndërsa nga MPB kërkojmë që të mos i mbrojë banditët dhe ta zbardh rastin. Unë jam shumë i sigurt se nëse atë ditë, sulmues do të ishin aktivistë të ASH-së, ata sot do të ishin në burg. Ndërsa dy personat që rrahën profesorët, shëtisin lirshëm dhe u kanosen qytetarëve dhe aktivistëve të tjerë të ASH-së”, deklaroi Taravri

Taravari kërkoi gjakftohtësi nga të gjithë qytetarët ndaj provokimeve të këtilla. Ai tha se nuk dëshiron hakmarrje por se insiston që organet kompetente ta kryejnë detyrën në favor të drejtësisë.

“Fatkeqësisht, shteti shpesh ka insistuar që shqiptarët të kenë luftë në mes veti. Unë këtë nuk do ta lejoj. Unë kam kërkuar tolerancë nga të gjithë qytetarët, por edhe nga anëtarët e ASH-së që të jenë gjakftohtë ndaj provokimeve të këtilla, me qëllim që organet kompetente t’i zgjidhin këto punë.

Ai tha se do të dëshironte që dega e BDI-së në Gostivar të udhëhiqej nga një njeri meritor, me të cilin do të bashkëpunonin dhe do të ndërtonin strategji të përbashkëta në favor të qytetarëve.

Rregullimi i parkut të qytetit drejt finalizimit

14.04.2018

Pas nivelimit të tokës dhe instalimit të sistemit nëntokësor të ujitjes në parkun e madh të qytetit, në anën e djathtë të lumit Vardar, punët dalë ngadalë shkojnë drejt finalizimit. Për momentin punohet në rregullimin e shtegut të këmbësorëve, respektivisht shtrimi me pllaka bekatoni.

“Pranverën do ta quaja stina e ndërmarrjes sonë.  Jemi duke rregulluar të gjitha sipërfaqet e gjelbra, bëjmë mbjelljen e drunjve dekorativë, do të vendosen ulëse të reja dhe do të bëjmë të mundur që qytetarët e Gostivarit ta shijojnë stinën e  pranverës ashtu siç duhet”, theksoi  Muzafer Zulbeari, drejtor i NP “Parkingje dhe Gjelbërime”, ndërmarrje kjo e cila realizon projektin në fjalë.

Krahas rregullimit të parkut të qytetit, punohet rregullisht edhe në përmirësimin e gjendjes me gjelbërimin në të gjitha sipërfaqet tjera publike, siç janë oborret e banesave kolektive, qarkoret, brezi i gjelbër i bulevardeve, parqet e vogla nëpër qytet dhe sipërfaqet tjera publike, si dhe mënjanohet vegjetacioni i padëshiruar përgjatë rrjedhës së lumit Vardar dhe përskaj rrugëve lokale dhe rajonale në territorin e komunës së Gostivarit.

Shërbimi për informim

Nxënësit e klasës së katërt u njoftuan me funksionimin e pushtetit lokal në Gostivar

13.04.2018

Nxënësit e klasës së katërt pranë Shkollës Fillore Komunale “Goce Dellçev” të shoqëruar nga mësueset e tyre, ishin sot për vizitë në Komunën e Gostivarit, për tu njoftuar me mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.

Gjatë vizitës ata takuan kryetarin e komunës Arben Taravari, ndërsa vizituan edhe sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit dhe zyrat e administratës komunale.

Kryetari i komunës Arben Taravari dhe pjesëtarët e kabinetit të tij, i njoftuan nxënësit me mënyrën e funksionimit të vetëqeverisjes lokale me një gjuhë të kuptueshme për moshën e tyre, duke u dëshiruar atyre që kur të rriten edhe ata të bëhen pjesë e administratës komunale, të marrin poste udhëheqëse dhe dikush të bëhet edhe kryetar komune.

Gjatë vizitës, 55 nxënësit nga tre paralelet e klasës IV pranë SHFK “Goce Dellçev”, kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij u parashtruan pyetje aq përmbajtjesore, saqë edhe të rritur do tua kishin lakmi.

Shërbimi për informim

Kryetari i Akhisarit me bashkëpunëtorët e tij për vizitë në Komunën e Gostivarit

13.04.2018

Kryetari i komunës së Akhisarit të Republikës së Turqisë, Sali Hızlı, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot komunën e Gostivarit ku u prit nga kryetari Arben Taravari dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Në komunën e Gostivarit, sipas regjistrimit të fundit, jetojnë mbi 82 mijë banorë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët, ndërsa pasojnë maqedonasit, turqit dhe romët. Bashkësitë etnike në Gostivar jetojnë në një harmoni të shkëlqyer, e sidomos shqiptarët dhe turqit të cilët kryesisht njohin gjuhën e njëri-tjetrit dhe festat, dasmat dhe varrimet i bëjnë bashkë. Gostivari dhe Akhisari janë dy komuna të vëllazëruara dhe bashkëpunimin i cili daton prej shumë herët, me siguri se do ta thellojmë akoma më shumë dhe do ta shtrijmë në më shumë fusha”, theksoi Taravari në takimin në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, duke ftuar pjesëtarët e delegacionit që gjatë qëndrimit në Gostivar të ndjehen si në qytetin e tyre.

Edhe kryetari i komunës së Akhisarit bëri një prezantim të komunës me të cilën ai udhëheq tashmë tre mandate.

“Komuna e Akhisarit ka rreth 170 mijë banorë dhe 109 vendbanime. Viteve të fundit kemi pasur një zhvillim të madh ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Por në Gostivar nuk vijmë që vetëm të përcjellim përvojat tona, por edhe të mësojmë nga përvojat tuaja. Kemi dëshirë që një delegacion i gjerë nga komuna e Gostivarit të na vizitojë kështu siç ju vizitojmë ne juve, ndërsa për këtë do t’ju bëjmë së shpejti edhe ftesë zyrtare”, theksoi mes tjerash z. Hızlı.

Ndryshe, delegacioni i komunës së Akhisarit përbëhej prej udhëheqësve të sektorëve pranë komunës dhe të disa këshilltarëve komunalë. Gjatë qëndrimit në Komunën e Gostivarit, u zhvillua një bashkëbisedim i gjerë me ç’rast të dyja palët u njoftuan më për së afërmi me sukseset dhe sfidat e komunave përkatëse, si dhe u shkëmbyen përvoja pozitive.

Kryetarët Taravari dhe Hızlı shkëmbyen dhurata të cilat simbolizojnë komunat të cilët ata i udhëheqin, ndërsa takimi përfundoi me një koktej rasti.

Gjatë qëndrimit në Gostivar, delegacioni nga Akhisari do të vizitojë SHF “Mustafa K. Ataturk”, Muftininë e Gostivarit dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.

Shërbimi për informim