Mirëmbajtje e rregullt e sipërfaqeve të gjelbra publike

10.04.2018

Ndërmarrja publike “Parkingje dhe gjelbërime” – Gostivar, në vazhdimësi kujdeset për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra publike në territorin e komunës së Gostivarit.

Këtyre ditëve aktivitetet janë koncentruar në lagjen Maleardi dhe në afërsi të Thertores industriale “Gorni Pollog”, Në këto lokacione kositet bari dhe pastrohen mbeturinat nga sipërfaqet e gjelbra, sidomos në oborret e banesave kolektive dhe përgjatë brezit të gjelbër të bulevardit “Vëllezërit Gjinoski”.

Nga NP “Parkingje dhe gjelbërime” – Gostivar, thonë se aksionet e këtilla do të vazhdojnë në lokacione tjera, si në qytet ashtu edhe vendbanimet rurale.

Shërbimi për informim

Këshilli rinor dhe nxënësit e mjekësisë, shënuan Ditën e shëndetësisë

06.04.2018

Këshilli Rinor i komunës së Gostivarit, me rastin e 7 Prillit – Ditës ndërkombëtare të shëndetësisë, në sheshin e qytetit, organizoi sot kontrolle dhe konsultime falas për shëndetin.

Bartës i aktivitetit ishte Departamenti i shëndetësisë pranë Këshillit Rinor, ndërsa aktiviteti u realizua në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së mesme të mjekësisë dhe me përkrahje të Komunës së Gostivarit.

Me rastin e Ditës së shëndetësisë, e organizojmë këtë aktivitet ku ofrojmë matjen e shtypjes së gjakut dhe nivelit të glukozës në gjak, si dhe ofrojmë këshilla mjekësore falas për kalimtarët e rastit. E gjithë kjo bëhet me qëllim të ndërgjegjësimit të popullatës për kontrolle të rregullta dhe për të reaguar në mënyrë preventive për çrregullimet në shëndet”, sqaroi Miran Ismaili udhëheqës i Departamentit për shëndetësi pranë Këshillit rinor të komunës së Gostivarit.

Për të promovuar të ushqyerit dhe mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, organizatorët me duhanpirësit shkëmbenin cigare për mollë.

Shërbimi për informim

 

Aksion gjakdhurimi me rastin e 8 Prillit

05.04.2018

Me moton “Edhe gjaku yt mund të shpëtojë jetë njeriu”, sot në mjediset e komunës së Gostivarit u realizua një aksion gjakdhurimi. Aksioni në fjalë i organizua me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ndërsa u përkrah edhe nga Komuna e Gostivarit.

“Është ky aksioni i parë i gjakdhurimit në Maqedoni e më gjerë, që organizohet në Ditën ndërkombëtare të romëve. Krahas aspektit human, për të shpëtuar jetë njerëzisht, nëpërmjet këtij aksioni ne romët synojmë që të tregojmë se edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe duam që të jemi të barabartë me të gjithë tjerët, por edhe të kontribuojmë për shoqërinë.

Ky aksion është vetëm një prej aktiviteteve të shumta të cilat sivjet i kemi në agjendën e shënimit të festës tonë, 8 Prillit”, theksoi Bari Abduli, nëpunës në Komunën e Gostivarit.

Në aksionin e sotëm dhuruan gjak edhe administratorët komunalë, ndër të cilët edhe Seadin Ejupi – shef i kabinetit të kryetarit Arben Taravari.

Shërbimi për informim

Taravari priti Mjeshtrin e madh të arteve marciale, Bekim Nuhija

03.04.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti në kabinetin e tij Mjeshtrin e madh të arteve marciale Bekim Nuhija.

“Siç e theksoj vazhdimisht, sportistët i konsideroj ambasadorët më të mirë të një populli apo komuniteti. Një ndër ta është edhe Mjeshtri i madh i arteve marciale, Bekim Nuhija, i cili radhit sukseset një pas një në Evropë dhe në vendet tejoqeanike, duke na bërë neve si gostivaras mjaft krenarë”, theksoi Taravari.

Bekim Nuhija, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, ndërsa me prejardhje është nga fshati Reçan i Gostivarit, falënderoi kryetarin Taravari për mikpritjen e ngrohtë dhe për respektin që tregon ndaj sportistëve si dhe angazhimet e tija për të ngritur nivelin e festë sportive në Gostivar.

Për rezultatet e arritura kulmore në fushën e sporteve marciale, kryetari Taravari i ndau mirënjohje Bekim Nuhijës.

Shërbimi për informim

Gostivari shënoi Ditën Botërore e luftës kundër autizmit

02.04.2018

Dita Botërore për Luftën kundër Autizmit, në Gostivar u shënua me aktivitete të shumta. Në shënimin e kësaj dite, krahas Komunës së Gostivarit u përfshinë Qendra ditore për fëmijë me nevoja speciale – Gostivar Organizata Komunale e Kryqit të Kuq – Gostivar, SHFK “Bashkimi” – Gostivar, sektori i biznesit dhe shoqata civile dhe ekspertë nga Maqedonia dhe Shqipëria që merren me trajtimin e fëmijëve autikë.

Aktivitetet filluan me një marshim për ndërgjegjësimin për luftë kundër autizmit, prej Qendrës ditore deri te sheshi i qytetit ku restoranti “New Albis” nga Gostivari, ndau 70 procione me ushqim për fëmijët autikë. Pjesëmarrësit në marsh mbanin bluza me moton“Shine on light of autism” (Rreze drite për autizmin)

Në SHFK “Bashkimi”, në bashkëpunim me OK KK – Gostivar u organizua një treg bamirësie ndërsa fondet e mbledhura janë destinuar për të ndihmuar një familje të varfër me një fëmijë me nevoja të veçanta.

Aktivitete për të shënuar Ditën Botërore kundër autizmit u finalizuan me një ligjëratë në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit në temë: Të tejkalojmë dallimet, të njohim njëri-tjetrin”. Ligjëratë u ndoq nga përfaqësues të Sektorit për veprimtari publike të Komunës së Gostivarit, pedagogët dhe psikologët e shkollave fillore komunale, defektologët dhe logopedët nga rajoni i Gostivarit, si dhe prindërit e fëmijëve me autizëm, ndërsa ligjërues ishin ekspertë të njohur nga qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me autizëm në Shqipëri.

Vlen të përmendet se aktivitetet për hapjen e Qendrës për fëmijët autikë në objektin e Konviktit komunal të nxënësve “Branko Stanoeviq” – Gostivar kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të vihet në funksion.

Shërbimi për informim