Dje në Gostivar u hap manifestimi “Ditët e Mërgimtarëve”

16.07.2018

Manifestimi “Ditët e Mërgimtarëve” që mbahet nën patronazhin e kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me moton “Mirë se vini mërgimtarë”, u hap dje me transmetimin e finales së Kupës Botërore në Futboll dhe me Stand Up komedinë e humoristit të mirënjohur Hasim Memishi Sopi.

Përmes këtij manifestimi duam që mërgimtarëve tanë tu dëshirojmë mirëseardhje dhe tua bëjmë sa më tërheqës qëndrimin e tyre në vendlindje. Shkaku asaj se ata qëndrojnë në vendlindje një kohë shumë të shkurtër gjatë vitit, patjetër ndaj tyre të kemi një qasje si ndaj turistëve edhe pse Gostivari është vendlindja e tyre. Gjatë manifestimit do të ketë organizime të shumta në sfera të ndryshme, kulturore, sportive, argëtuese, rekreative, edhe atë për të gjitha moshat dhe komunitetet”, deklaroi kryetari Taravari.

Transmetimi i ndeshjes finale Francë:Kroaci, si dhe Stand Up komedia e Hasim Memishi Sopit u mbajt në sheshin e qytetit të Gostivarit dhe u ndoqën nga një numër i madh i qytetarëve dhe mërgimtarëve.

Ngjarja e radhës do të mbahet nesër në ora 18:30 në Qendrën për kulturë në Gostivar, ku një trup teatrore e studentëve të artit dramatik pranë UT-së, do të shfaqet me komedinë “Ëndrra e shtatë studentëve”.

Shërbimi për informim

I kthehet shkëlqimi amfiteatrit veror buzë Vardarit

13.07.2018

Në prag të aktiviteteve të shumta në kuadër të projektit “Mirë se vini mërgimtarë”, u bë lyerja e mureve të amfiteatrit veror të Gostivarit që gjendet në shëtitoren e lumit Vardar.

Krahas lyerjes së mureve, do të bëhet edhe pastrimi dhe rregullimi plotësues i sipërfaqes përreth, ngase gjatë javëve në vijim në këtë amfiteatër, i cili është një nga shenjat dalluese të qytetit të Gostivarit, do të realizohen aktivitete të shumta në kuadër të projektit Mirë se vini mërgimtarë”, thotë Jasin Demiri – zëdhënës i Komunës së Gostivarit.

Vlen të theksohet se në amfiteatrin veror buzë lumit Vardar, janë planifikuar të mbahen 5-6 aktivitete kulturore dhe argëtuese në dy javët e ardhshme.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari, me apel deri te qytetarët dhe policia me rastin e ardhjes së mërgimtarëve

13.07.2018

Me rastin e ardhjes së mërgimtarëve, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, qytetarëve dhe policisë së Gostivarit iu drejtua me një apel në të cilin fton ata të tregohen më zemërgjerë dhe më mikpritës.

Apelin e kryetarit Taravari jua përcjellim të plotë në vijim:

Të nderuar qytetarë të komunës së Gostivarit,

Këtyre ditëve, mërgimtarët tanë po vijnë në vendlindje për të kaluar pushimet. Fluksi më i madh pritet gjatë kësaj fundjave dhe në ditët në vazhdim. Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim edhe me institucione tjera dhe me shoqata të ndryshme qytetare, angazhohen që këtë vit qëndrimin në vendlindje, mërgimtarëve tua bëjë sa më të këndshëm dhe sa më tërheqës.

Mërgimtarët vijnë vetëm për pak ditë në vendlindje, Gjatë atyre pak ditëve, ata shpenzojnë dhe investojnë aq shumë para, saqë mbajnë të gjallë ekonominë e vendit.

Nëse një pjesë e vogël e tyre, kryesisht të moshës rinore, nuk janë sa duhet të disiplinuar në trafikun rrugor, dhe bashkë edhe me të rinjtë tjerë të qytetit tonë bëjnë veprime të cilat pak më vështirë mund t’i pranojnë gjeneratat më të vjetra, duhet të tregohemi pak më zemërgjerë dhe më tolerantë përderisa veprimet e tyre nuk lënë pasoja, ose nuk paraqesin ndonjë shkelje më të rëndë të ligjit dhe normave ligjore.

Andaj, edhe sivjet bëj apel deri tek Stacioni i Policisë në Gostivar, respektivisht deri te komandanti i policisë së Gostivarit, që të mobilizojë efektivët për të qenë në nivel të detyrës, të ndikojnë më shumë në mënyrë preventive dhe të asistojnë sa më shumë që të menaxhohet me sukses fluksi i rritur në trafik, pa mos pasur nevojë për masa ndëshkuese.

Me respekt,

Arben Taravari – kryetar i komunës së Gostivarit

Edhe lagjja Maleardi në Gostivar bëhet me kënd fëmijësh

29.02.2018

Kanë përfunduar punimet për ndërtimin edhe të këndit të ri për fëmijë tek banesat kolektive në lagjen Maleardi në Gostivar, si pjesë e projektit të Komunës së Gostivarit për ndërtimin e katër këndeve të reja dhe riparimin e dy këndeve ekzistuese të lojërave në territorin e komunës.

“Edhe ky kënd për fëmijë tashmë është në funksion dhe mund të shfrytëzohet nga fëmijët që banojnë në këtë pjesë. Si Komunë jemi të kënaqur që arritëm të përfundojmë ndërtimin e këndeve të reja dhe riparimin e këndeve ekzistuese, sidomos shkaku i faktit që në këtë periudhë i kemi në vendlindje edhe mërgimtarët tanë, kështu që të njëjtat sivjet do të mund t’i shfrytëzojnë edhe fëmijët e tyre”, thekson Aslian Snopçe – udhëheqëse e Sektorit për veprimtari publike.

Paraprakisht u ndërtuan këndet e lojërave te shkolla “Faik Konica” në fshatin Debresh, përballë Gjykatës në Gostivar, te banesat kolektive në afërsi të tregut të madh, ndërsa në dy kënde ekzistuese u vendosën rekuizite të reja.

Komuna e Gostivarit ka ndarë nga buxheti i saj rreth 2,3 milion denarë. Por, krahas këndeve që janë planifikuar për këtë fazë, në periudhën e ardhshme do të ndërtohen edhe disa të tjera në qytet dhe nëpër fshatra.

Shërbimi për informim

Takimi i dytë informativ për propozim-ribalancin e buxhetit të komunës së Gostivarit

06.07.2018

Sektori për financa dhe buxhet pranë Komunës së Gostivarit, organizon takim e dytë informativ në të cilin do të prezantohet propozim-ribalanci i buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2018.

Takimi informativ do të mbahet në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, më 13.07.2018 (e premte) prej në ora 15:00 deri në ora 16:00.

Ftohen qytetarët, përfaqësuesit e Bashkësive lokale, sektorit civil dhe të gjithë qytetarët e interesuar të marrin pjesë dhe të japin sugjerimet dhe propozimet e tyre për plotësim dhe ndryshime të propozim-ribalnacit të buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2018.

Shërbimi për informim

Gostivar: Aktivitete të shumta kulturore-sportive-rekreative gjatë qëndrimit të mërgimtarëve në Gostivar

10.07.2018

Nën moton “Mirë se vini mërgimtarë”, sivjet Komuna e Gostivarit do t’i mirëpret në mënyrë dinjitoze mërgimtarët tanë dhe do tu mundësojë atyre një qëndrim të këndshëm në vendlindje gjatë pushimeve verore.

Hapi i parë që ndërmori Komuna e Gostivarit në këtë drejtim, është riaktivizimi i Zyrës së Mërgimtarëve në kuadër të administratës komunale prej më 1 korrik dhe e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31gusht, ndërsa ofron shërbime falas nga 12 orë në ditë.

Krahas kësaj, gjatë qëndrimit në vendlindje, mërgimtarëve u mundësohet që pa pagesë t’i dërgojnë fëmijët e tyre të moshës parashkollore në çerdhet e Gostivarit, për çka tashmë Komuna ka siguruar kuadër plotësues, si dhe ndjekjen e kurseve falas të gjuhës shqipe.

Për t’ju dëshiruar mirëseardhje, në ditët kur fluksi i mbërritjes së mërgimtarëve do të jetë më i madh, aktivistët e Forumit Rinor të shoqëruar edhe nga administratorët komunalë, në hyrje të qytetit do tu ndajnë atyre fletushka me agjendën e aktiviteteve kulturore-sportive të projektit ‘Ditët e mërgimtarëve”.

Aktivitetet e ndryshme kulturore-zbavitëse dhe rekreativo-sprotive do të fillojnë më 15 korrik (e diel) në sheshin e qytetit me Stand Up komedinë në performancë të humoristit të mirënjohur Hasim Memishi Sopi. Ndërsa nga aktivitetet kulturore, janë paraparë edhe dy shfaqje tjera teatrale.

Në agjendën e pasur janë përfshirë edhe disa koncerte, një me këngë dhe valle folklorike, një me këngë zbavitëses shqipe, një koncert rinor multietnik dhe një me Ilahije.

Për fëmijët do të organizohet një koncert special si dhe një kuiz diturie, ndërsa në agjendë është edhe organizimi i një turniri në futboll të vogël, turnir shahu dhe Tuning Show me automobila.

Komuna e Gostivarit, mërgimtarët i konsideron si një kategori mjaft e rëndësishme qytetarësh, si në nivel lokal  ashtu edhe në nivel qendror, andaj me qëllim që ata të mos i shkëpusin lidhjet me atdheun dhe të vazhdojnë të mbeten faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, do të bëjë përpjekje maksimale që qëndrimin në vendin e tyre të origjinës, t’ua bëjë më tërheqës dhe t’i joshë brezat e rinj që ta vizitojnë rregullisht Gostivarin.

Komuna e Gostivarit synon që në këtë drejtim të shërbejë si një shembull pozitiv që do ta ndjekin edhe komunat tjera të vendit, si dhe Qeveria.

Për vitin e ardhshëm, Komuna e Gostivarit planifikon të zgjerojë aktivitet e saj në periudhën e pushimeve, ndërkaq inkurajon edhe sektorin civil dhe sektorin e biznesit që të ndërmarrin aktivitete të ndryshme dhe të bashkëpunojnë me Komunën, me të vetmin qëllim që Gostivari të bëhet destinacion i preferuar, jo vetëm për mërgimtarët nga Gostivari me rrethinë, por edhe nga komunat fqinje.

Në vazhdim po ua shpalosim edhe agjendën e plotë të aktiviteteve.

Data

Ora

Vendi

Ngjarja

15.07.2018

17:00

Sheshi i qytetit

Stand Up Comedy

20.07.2018

18:00

Qendra për Kulturë

Dramë

22.07.2018

20:00

Amfiteatri

Multiethnic Party

23.07.2018

18:30

Amfiteatri

Dance ballet me fëmijë

24.07.2018

20:30

Amfiteatri

Koncert me ilahi

25.07.2018

18:00

Amfiteatri

Ngjarje për fëmijët me aftësi të kufizuara

26.07.2018

18:30

Sheshi i qytetit

Koncert me këngë dhe valle folklorike

27-29.07.2018

Tuning Show

Gostivari 2018

29.07.2018

Sheshi i qytetit

Turnir shahu

Turnir futboll i vogël

04-05.08.2018

   

Festivali i Vlerave të Harruara

Komuna e Gostivarit përkujton Dëshmorët e Flamurit

Komuna e Gostivarit përkujtoi sot Dëshmorët e Flamurit, të cilët më 9 korrik të vitit 1997 dhanë jetën e tyre në lule të rinisë, për avancimin e të drejtave shqiptare dhe për flamurin kombëtar, Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël, dr.Shpend Iseini nga fshati Forinë dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll.
Në mungesë për shkaqe objektive të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, homazhe mbi varret dhe përmendoret e dëshmorëve, bëri një delegacion nga Komuna e Gostivarit në përbërje: Besim Dogani – shef i kabinetit, Nazmi Jusufi – sekretar i komunës, Seadin Ejupi – shef i administratës komunale, Jasin Demiri – shefi i protokollit dhe PR-it, Aslian Snopçe – udhëheqëse e Sektorit për veprimtari publike, Muzafer Zulbehari – drejtor i NP “Parkingje dhe gjelbërime” dhe Afërdita Hamzai – anëtare e kabinetit të kryetarit Taravari.
Në homazhet te përmendorja e dëshmorit Milaim Dauti, delegacionit të Gostiavrit iu bashkëngjit edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Vrapçishtit, Emir Durmishi dhe bashkëpunëtorët e kryetarit të komunës Isen Shabani.

Rikujtojmë se 9 Korriku i vitit 1997, ishte një nga ndodhitë më domethënëse në mbrojte të kauzës kombëtare që tronditi botën shqiptare dhe që u parapriu shumë kthesave dramatike në Maqedoni dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.
Konstelacioni i vitit 1997 ishte jashtëzakonisht i pafavorshëm për bartësit e fenomenit “flamuri kombëtar” ne Gostivar , duke pasur parasysh kolapsin politik dhe ekonomik  në Shqipëri dhe Kosove dhe vasalitetin e skajshëm të faktorit politike shqiptarë në Maqedoni.
Me 9 korrik 1997 kur ndodhi intervenimit brutal,qeveria e Maqedonisë shpalli devalvimin e denarit për 17%, devalvim ky që u synua te mbulohet me intervenimin brutal policor mbi mijëra qytetarë dhe protestues paqësor të Gostivarit.

Fakti që politikisht ngjarjet e vitit 1997 u mbyllën me raportin skandaloz të komisionit parlamentar se “policia përdori dhunën në pajtim me ligjin” përkundër pasojave të përgjakshme, argumenton faktin se tragjedia e flamurit e Gostivarit ishte bere nga koalicioni politik maqedono-shqiptar.
Fakti që natën kur ndodhi intervenimi brutal policor, Kuvendi miratoi ligjin të cilin Komuna e Gostivarit e kërkonte në mënyrë demokratike nëpërmjet institucioneve komunale demaskon në tërësi komplotin politikë me sakrifica të mëdha njerëzore.
Gjykata Themelore e Gostivarit, e ndikuar nga politika ditore, u shqiptoi dënime drakonike krerëve komunalë të asaj kohe,kryetari Rufi Osmani u dënua me 13,8 vite burg dhe kryesuesi i këshillit  Refik Dauti, me 7 vite burg.
Përpjekjet institucionale për te realizuar një te drejte te trashëguar kombëtare kishte një sakrificë të madhe që u ekuilibrua me jetën e tre dëshmoreve të flamurit Nazmi Saliut, Shpend Iseinit  dhe Milaim Dautit.
Meritat për valëvitjen zyrtare të flamurit kombëtar shqiptarë para komunës së Gostivarit sot si edhe në vitin 1997 u takojnë dëshmorëve të flamurit kombëtar.
Le te jetë kujtesa historike dhe institucional e përjetshme për dëshmorët e flamurit dhe përgjegjësia për nderimin e tyre dhe të flamurit kombëtar je të jetë detyrim i institucioneve komunale dhe qendrore.

Shërbimi për informim

Telegram-ngushëllimi familjes Hasani

E nderuara familje Hasani,

Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të anëtarit të familjes suaj, Zydi Hasani.

Me ndarjen e tij nga jeta, Njësiti i zjarrfikësve në Gostivar humbi një punëtor të vyeshëm, ndërsa familja e tij një prind dhe bashkëshort të përkushtuar.

Më lejoni që në emrin tim, në emrin be administratës komunale dhe Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit – Gostivar, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Të ndjerin Zoti e mëshiroftë, ndërsa juve jua shtoftë durimin!

Me respekt,

Arben Taravari – kryetar i komunës së Gostivarit

TAKIM INFORMATIV PËR PROPOZIM-RIBALANCIN E BUXHETIT TË KOMUNËS SË GOSTIVARIT

06.07.2018

Sektori për financa dhe buxhet pranë Komunës së Gostivarit, organizon takim informativ në të cilin do të prezantohet propozim-ribalanci i buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2018.

Takimi informativ do të mbahet në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, më 09.07.2018 (e hënë) prej në ora 16:00 deri në ora 17:00.

Ftohen qytetarët të marrin pjesë.

Shërbimi për informim

Edhe një mini-deponi e egër në Gostivar, shndërrohet në sipërfaqe të gjelbëruar

06.07.2018

Komuna e Gostivarit, nëpërmjet Ndërmarrjes publike “Komunalec”, vazhdon me aksionin gjithëpërfshirës për mënjanimin e mini-deponive të egra në gjithë territorin e komunës.

Aksioni i radhës ekologjik u realizua përskaj lumit Vardar në lagjen “Toskallari“ të Gostivarit, një sipërfaqe e lënë pas dore e cila më shumë i ngjante një mini-deponie të egër. Aksioni u realizua me kërkesë të banorëve të kësaj lagjeje, e cila ndonëse ekziston disa dekada, ka qenë skajshmërisht e margjinalizuar.

Nga Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike “Komunalec” njoftojnë se edhe kjo sipërfaqe tashmë e pastruar nga mbetjet dhe e rrafshuar, do të gjelbërohet, do të mirëmbahet dhe monitorohet rregullisht që të mos shndërrohet përsëri në deponi të egër dhe t’i ngjasojë një mini-parku të mirëfilltë buzë lumit Vardar.

Vlen të theksohet se në këto shtatë-tetë muaj qeverisje të udhëheqësisë së re komunale, janë realizuar shumë aksione ekologjike si nga Komuna dhe ndërmarrjet komunale publike, ashtu edhe nga bashkësitë lokale dhe shoqatat e ndryshme ekologjike që janë aktive në Gostivar.

Shërbimi për informim