Taravari dhe Ristemi promovuan Fitness zonën në Gostivar

14.08.2018

Kryetari i komunës së Gostıvarıt, Arben Tarvari dhe zv/drejtorı i Agjencisë për Rini dhje Sport, Gazmend Ristemi promovuan sot Fitness zonën në Gostivar.

“Është kjo hera e parë për këto nëntë muaj, që Qeveria e Republikës së Maqedonisë bën një investim në komunën e Gostivarit. Falënderoj nga zemra zv/drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, Gazmend Ristemi për angazhimin e tij që ky projekt të realizohet në Gostivar dhe të kemi edhe ne si qytet një fitness qendër. Po ashtu, shpresoj se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dua të njoftoj se në kuadër të qendrës rekreativo-sportive, respektivisht përreth kësaj Fitness qendre, do të ndërtohen edhe disa fusha tenisi dhe terren basketbolli”, deklaroi kryetari Taravari.

Ai njoftoi po ashtu se hapësira përreth, do të gjelbërohet, do të mbillen drunj dhe rregullisht do të mirëmbahet pastërtia në këtë pjesë.

“Terreni ka dimensione prej 19.5 me 10 metra, ku janë vendosur 8 rekuizite për persona të moshës mbi 12 vjeç dhe një rekuizit për persona me handikap. Investimi kap vlerën prej 35 mijë eurosh, ndërsa Agjencia për Rini dhe Sport do të vazhdojë me investime tjerash në gjithë vendin, e sidomos në komunën e Gostivarit”, deklaroi zyv/drejtori Ristemi.

Fittnnes zona gjendet në afërsi të stadiumit ndihmës të qytetit, respektivisht në një lokacion të paraparë për Qendër rekreativo-sprotive.

Shërbimi për informim

 

Kryetari Taravari priti speleologët italianë – fillon zbatimi i projektit për eksplorim të Shpellës “Bukuroshja”

14.08.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij speleologët italianë dhe anëtarët e Klubit Speleologjik “Korabi” nga Gostivari.

Vizita e speleologëve italianë në Komunën e Gostivarit lidhet me fillimin e zbatimit të projektit “Fuqizimi i aktorëve lokalë për eksplorim, kërkimin dhe konservim të trashëgimisë natyrore të shpellës Bukuroshja”, projekt ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa realizohet nga ana e Klubit Speleologjik “Korabi” në partneritet me Komunën e Gostivarit.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, kryetari Taravari njoftoi se buxheti i projektit është 75.800 dollarë dhe se ky projekt ka për qëllim forcimin e shkathtësive dhe menaxhimin e aktorëve lokalë të cilët në të ardhmen do të kenë përgjegjësinë që të mbrojnë, konservojnë dhe të monitorojnë trashëgiminë natyrore të shpellës Bukuroshja në fshatin Gjonovica.

“Përmes këtij projekti do të bëhet promovimi dhe përmbajtje e pasuruar turistike në Komunën e Gostivarit përmes ofertës që do të mundësojë një destinacion turistik për speleologët, por edhe për të tjerët”, nënvizoi kryetari Taravari.

Për rëndësinë e projektit dhe për bashkëpunimin me Komunën e Gostivarit dhe Shoqatën Korabi, foli speleologu italian Matteo Tartaglini, ndërsa kryetari i Shoqatës “Korabi” – Jeton Osmani, falënderoi Zyrën për implementim të projekte pranë Komunës së Gostivarit për përgatitjen e suksesshme të aplikacionit për të fituar këtë grant kaq të rëndësishëm.

Promovimi i projektit, ku do të jepen edhe të gjitha detajet rreth implementimit të tij, do të bëhet nesër në ora 11:00 në restorantin “Igantia” në Gostivar.

Shërbimi për informim

LAJMËRIM

Lajmërohen të gjithë qytetarët të cilit shfrytëzojnë rrugën rajonale Gostivar – Sërmnovë, se nesër do të vazhdojnë punët ndërtimore për rikonstruktim të plotë të segmentit Llakavicë – Sërmnovë.

Përderisa do të zgjasin punët ndërtimore, trafiku në këtë segment rrugor, në pjesë dhe periudha të caktuara, do të zhvillohet me vështirësi, andaj luten të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të bëjnë kujdes dhe qarkullimin ta përshtatin me kushtet e rrugës.

Nga Komuna e Gostivarit, falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin.

Shërbimi për informim

NJOFTIM

14.08.2018

Me qëllim të ruajtjes së pastërtisë dhe vënies rend në shitjen e kurbaneve, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Ndërmarrjen “Progres pazari”, si lokacion për shitjen e kurbaneve të Bajramit ka caktuar parkingun e Tregut të Madh të Qytetit në anën e rrugës “Beliçica”.

Njoftohen blegtorët se lokacionin në fjalë do të mund ta shfrytëzojnë pa kompensim dhe se shitja e kurbaneve jashtë lokacionit të caktuar, ndalohet rreptësisht.

Inspektorati komunal do të jetë aktiv në terren dhe do të ndërmarrë masa përkatëse kundër shkelësve të ligjit për pastërti publike.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari ndoqi realizimin e projekteve infrastrukturore

08.08.2018
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ndoqi realizimin e punimeve për asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe në fshatin Forinë.

Në fillim, Taravari ndoqi ecurinë e punëve në afërsi të Shkollës Fillore “Goce Dellçev” ku riasfaltohen tri rrugë me gjatësi të përgjithshme prej mbi 1000 metrash me gjerësi mesatare prej 9 metrash, ku dha edhe deklaratë për media.

“Nuk punohet vetëm këtu, por punohet në të katër anët. Këtu bëhet fjalë për tre rrugë me gjatësi mbi 1.000 metra dhe me gjerësi prej rreth 9 metrash, ndërsa kostoja e investimit arrin vlerën prej mbi 200.000 euro. Janë këto rrugë të ndërtuara që prej viteve të 70-ta dhe asnjëfarë intervenimi nuk ka pasur. Vendosëm që këtë punë ta kryejmë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe sipas informatave që i marr nga ndërmarrja realizuese, brenda tri javësh do të duhet të përfundojë gjithçka”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Më pas, kryetari Taravari qëndroi në fshatin Forinë ku po ashtu janë vijim punët për asfaltimin e dy rrugëve në këtë fshat. Rrugët që do të asfaltohen në këtë fshat, kanë gjatësi prej mbi 1.100 metrash, ndërsa pjesa që do të asfaltohet do të ketë gjerësinë prej 5 metrash. Kostoja e investimit arrin vlerën prej 10 milion denarë.
Te rrugët në qytet, aktualisht punohet në gërryerjen e shtresës së vjetër të asfaltit, ndërsa në Forinë bëhet tamponimi dhe përgatitja për asfaltim.
Vizitën në fshatin Forinë, kryetari Arben Taravari e shfrytëzoi për të bashkëbiseduar me banorët e fshatit dhe për tu njoftuar nga afërmi me problemet dhe nevojat e tyre. Banorët e Forinës u shprehën falënderues për angazhimin e kryetarit për të përmirësuar infrastrukturën e fshatit të tyre.

Shërbimi për informim

Filloi asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë, investohen 22,5 milion denarë mjete komunale

08.08.2018

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë me operatorët ekonomikë për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin komunës së Gostivarit, si dhe kompletimin e gjithë dokumentacionit të duhur dhe marrjes së pëlqimeve përkatëse, sot ka filluar asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë.

“Ashtu siç u paralajmërua, paraditen e sotme filluan punët ndërtimore për riasfaltimin e rrugëve të dëmtuara përqark SHF “Goce Dellçev” në Gostivar ku do të mënjanohet shtresa e vjetër e asfaltit dhe do të vendoset asfalti i ri, si dhe i dy rrugëve në fshatin Forinë të cilat më pas bashkohen në një, respektivisht prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave. Rrugët te shkolla kanë një gjatësi prej 1000 metra, ndërsa kostoja arrin në 12,5 milion denarë, ndërsa rrugët në fshatin Forinë kanë një gjatësi prej 1.100 metra me gjerësi prej 5 metrash ndërsa kostoja arrin në 10 milion denarë”, theksoi Jasin Demiri – zëdhënës i Komunës së Gostivarit.

Ai sqaroi po ashtu se te shkolla Goce Dellçev do të intervenohet edhe te tehoret e rrugës sepse një opjesë janë të dëmtuara, si dhe sqaroi se obstruksione nga organet tejra nuk ka pasur dhe se bashkëpunimi është në nivel, gjë që uron të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Punimet janë duke vijuar sipas planit të paraparë, ndërsa qytetarët luten për mirëkuptim dhe kujdes gjatë realizimit të punëve ndërtimore.

Nga Zyra për implementim të projekteve njoftojnë se në muajt në vazhdim, deri sa të ketë kushte të volitshme atmosferike, do të realizohen më shumë projekte kapitale të parapara, për të cilat tashmë janë siguruar mjete financiare.

Shërbimi për informim

 

NJOFTIM: Të shtunën, dezinsektimi i dytë nga toka në territorin e komunës së Gostivarit

07.08.2018

Njoftohen qytetarët se më datë 11.08.2018 (e shtunë), do të bëhet dezinsektimi i dytë nga toka në territorin e Komunës së Gostivarit për zhdukjen e mushkonjave të rritura dhe dëmtuesve të tjerë.
Dezinsektimi do të kryhet pas mesnate, deri në orët e hershme të mëngjesit, vetëm në kushte të mira atmosferike.
Lokacionet në të cilat do të bëhet dezinsektimi nga toka janë me sa vijon:

Rr. “Zhivko Brajkoski” – Parku i i qytetit nga ana e majtë e lumit Vardar, rr. “M.Ç Filiposki” – Parku i qytetit nga ana e djathtë e lumit Vardar, Spitali i qytetit, rr. “JNA” deri te udhëkryqi i Zdunjës, shtrati i lumit Vardar në atarin e fshatit Raven, kanali prej udhëkryqit të Zdunjës – Zona e VI – Maleardi – rr. Boris Kidriç – rr.Beliçica deri në lagjen Fazaneria- vendbanimi Banjicë – bulevari i Vëllezërit Gjinoski, përmes Sheshit të qytetit deri në dalje të qytetit kah fshati Çajlë e deri tek lumi Jahorkë në fshatin Forinë .

Në rast të kohës me shi ose me erë të fortë dezinsektimi do të anulohet për ditën e ardhshme ose për ndonjë ditë tjetër me kushte më të mira atmosferike. Për dezinsektim do të përdorët Aurodil i tretur në bazë të prospekteve të prodhuesit për përdorim, edhe atë 50 ml / 5 l.

Luten kultivuesit e bletëve që të marrin masat e duhura mbrojtëse, që do të thotë të strehojnë bletët në kutitë e tyre, të sigurojnë sasi të nevojshme të ujit për mbajtjen e bletëve të mbyllura minimum 5-6 orë pas trajtimit të territorit.
Dezinsektimin do ta kryejë SHPTSHP “PLANT MEDIKA”.

Shërbimi për informim

 

NJOFTIM

NJOFTIM

06.08.2018

Njoftohen qytetarët se më datë 08.08.2018 (e mërkurë) me fillim në ora 09:00, do të fillojë realizimi i punëve ndërtimore për riasfaltimin e rrugëve rreth e përqark SHF “Goce Dellçev” – Gostivar.

Për shkak të natyrës së punimeve, për një periudhë të caktuar kohore, qarkullimi i makinave në këtë pjesë të qytetit do të jetë në ndërprerje.

Në të njëjtën ditë, pra  mërkurën, do të fillojë edhe realizimi i punëve ndërtimore për asfaltimin e dy rrugëve në fshatin Forinë, prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave, ku qarkullimi do të jetë i lirë por do të zhvillohet në kushte të vështirësuara.

Luten qytetarët për mirëkuptim dhe kujdes.

Shërbimi për informim 

Kryetari Taravari promovoi asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës në fshatin Debresh të Gostivarit

06.08.2018

Kanë përfunduar punimet për zgjerimin dhe asfaltimin e një segmenti të rrugës kryesore në lagjen Drenica të fshatit Debresh të Gostivarit. Për të promovuar këtë investim, në vendngjarje doli sot kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Segmenti i cili u rikonstruktua ka një gjatësi prej rreth 200 metra dhe kishte gjerësi prej rreth 3 metrash, shtresë shumë të dëmtuar të asfaltit gjë që u shkaktonte telashe gjatë qarkullimit të makinave dhe këmbësorëve.

Shtresa e asfaltit të dëmtuar u mënjanua në të tërësi, ndërsa u vendos shtresë e re e asfaltit me gjerësi prej 4,2 metrash, gjerësi kjo e mjaftueshme për qarkullim me dy korsi.

Në këtë pjesë të rrugës gati se dyzet vjet nuk është intervenuar aspak. Në bisedë me banorët kuptova se janë të kënaqur prej trashësisë dhe cilësisë së asfaltit. Paraprakisht në këtë fshat realizuam ndërtimin e kanalizimit dhe ujësjellësit, ndërsa së shpejti do të shtrojmë me pllaka bekatoni disa rrugica. Praktikisht me këtë do të përmbyllim premtimet të cilat i kemi dhënë për këtë fshat për vitin e parë të mandatit” theksoi kryetari Arben Taravari.

Falënderime publike për punët e realizuara në fshatin e Debresh, shprehën këshilltari komunal Besim Memedi, si dhe Agron Beshiri – banor i lagjes.

Krahas asfaltimit të rrugës në lagjen Drenica, u bë edhe asfaltimi i sipërfaqes  planifikuar për parkim pranë xhamisë së re në këtë fshat. Në emër të xhematit dhe banorëve të fshatit Debresh, Komunës së Gostivarit dhe kryetarit Taravari iu falënderuan Amir Elezi – imam i xhamisë dhe Mustafa Osmani – banor i fshatit.

Kryetari Taravari, para medieve paralajmëroi se prej nesër fillon realizimi i projekteve kapitale në vlerë prej rreth 2 milion euro, siç është asfaltimi i rrugëve rreth e përqark SHF “Goce Dellçev”, asfaltimi i një rruge në fshatin Forinë në gjatësi prej 1.100 metra, kanalizimi në fshatin Banjicë dhe investime tjera kapitale.

Shërbimi për informim

Fëmijët e Qendrës “Fluent”, vizituan Komunën e Gostivarit

03.08.2018

Fëmijët të cilët ndjekin kurse të gjuhëve të huaja në Qendrën “Fluent” në Gostivar, të shoqëruar nga mësimdhënëset e tyre, vizituan sot Komunën e Gostivarit.

Ata i shoqëroi zëdhënësi i i komunës së Gostivarit, Jasin Demiri, i cili u bëri atyre një prezantim të përshtatur për moshën e tyre, të mënyrës së funksionimit të vetëqeverisjes lokale.

Fëmijët vizituan, kabinetin e kryetarit të komunës Arben Taravari, sallën e Këshillit të Komunës, si dhe disa zyra të administratës komunale.

Zëdhënësi Demiri, u dëshiroi sukses në edukimin e tyre, si dhe i përgëzoi për vëmendjen, pyetjet e parashtruara dhe aftësitë për të kuptuar gjëra të cilat ndoshta edhe nuk korrespondojnë me moshën e tyre të re.

Shërbimi për informim