U prezantua para qytetarëve Propozim-Programi zhvillimor 2020 i Komunës së Gostivarit

11.11.2019

Qytetarët e Gostivarit shfrytëzuan sot mundësinë që të njoftohen drejtpërsëdrejti me propozim-Programin zhvillimor të Komunës së Gostivarit për vitin 2020. Në debatin publik të organizuar për këtë qëllim mori pjesë kryetari i komunës Arben Taravari, kryetari i Këshillit Besim Memedi, këshilltarë komunalë, administratorë përfaqësues të bashkësive lokale dhe qytetarë të tjerë të interesuar.

“Është ky viti i dytë që udhëheqësia e re komunale përpilon program zhvillimor dhe njëlloj siç vepruam vitin e kaluar, ashtu edhe sivjet para jush e shpalosim atë në formë propozimi që të mundeni ju qytetarë të nderuar, të jepni vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e juaja. Unë me bashkëpunëtorët e mi në administratën komunale kemi realizuar vizita në çdo vendbanim dhe kërkesat e banorëve gjatë këtyre takimeve bashkë me ato që kanë arritur drejtpërsëdrejti në administratën komunale i kemi inkorporuar në këtë propozim-program. Transparenca në menaxhim dhe pjesëmarrja direkte e qytetarëve në vendimmarrje është një përcaktim i yni konsistent”, theksoi kryetari Arben Taravari.

Prezantimin e detajuar të propozim-programit e bëri përgjegjësi i Zyrës së ZHEL-it Besim Dogani i cili që në fillim tërhoqi vërejtjen se i në të njëjtin janë përfshirë të gjitha nevojat dhe kërkesat e arsyeshme të qytetarëve por për shkak të buxhetit të limituar, do të realizohen аq projekte sa lejojnë mjetet financiare në dispozicion duke u dhënë prioritet projekteve imediate.

“Projektet më të mëdha të parapara do të financohen nga donatorë të jashtëm si Agjencia zvicerane SECO, Banka Evropiane për Investime dhe Banka Botërore, një pjesë me financim nga nivelet më të larta të pushtetit, disa me ko-financim të komunës ose me partneritet publiko-privat, si dhe një pjesë me mjete vetëm nga buxheti themelor komunal. Projekte kryesisht janë nga sfera e infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimeve, gjelbërimit dhe parkingjeve, mirëmbajtje etj. por edhe riparime në institucionet arsimore, investime në ndriçimin rrugor dhe projekte nga sfera e kulturës”, theksoi Dogani.

Pas prezantimit, u zhvillua një debat ku të pranishmit shpalosën propozimet e tyre, të cilat u evidentuan nga administrata komunale dhe do të inkorporohen në propozim- programin i cili do të duhet të miratohet në seancën e radhës të Këshillit të Komunës së Gostivarit të konvokuar për ditën e enjte në ora 10:00.

Në bazë të programit zhvillimor do të përpilohet edhe buxheti për vitin 2020, i cili po ashtu do të shpaloset para qytetarëve në një debat publik.

Nga Komuna e Gostivarit inkurajojnë qytetarët që sa më masovikisht, ashtu si sot, të marrin pjesë në debate publike dhe të bëhen aktorë aktivë në procesin e vendimmarrjes.

Shërbimi për informim

FTESË PUBLIKE

08.11.2019

Të nderuar qytetarë,

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ju fton të merrni pjesë në:

DEBATIN PUBLIK
për Propozim-Programin zhvillimor të Komunës së Gostivarit për vitin 2020

Debati do të mbahet në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, të hënën (11.11.2019) me fillim në ora 11:00.

Pjesëmarrësit në debat do të mund të shpalosin vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me Programin e propozuar. Të gjitha sugjerimet e arsyeshme do të merren parasysh dhe do të inkorporohen në propozim-Program.

Inkurajohen këshilltarët komunalë, ekspertët, punonjësit joqeveritar, përfaqësuesit e bashkësive lokale dhe në përgjithësi qytetarët e interesuar, që të marrin pjesë në debat dhe të japin kontributin e tyre për hartimin e përbashkët të Propozim-programit zhvillimor të Komunës së Gostivarit për vitin 2020, me qëllim që ai të reflektojë nevojat reale të qytetarëve dhe të jetë i zbatueshëm.

Shërbimi për informim – Komuna e Gostivarit

Rikonstruktim i plotë i një rruge në Zonën VI të Gostivarit

06.11.2019

Në vazhdën e ndërtimit dhe rikonstruktimit të rrugëve të qytetit, aktualisht punohet në rikonstruktimin e plotë të një rruge në lagjen Zona VI të Gostivarit.

“Vlerësuam se kjo rrugë është e ngushtë dhe mjaft e dëmtuar, ndërsa edhe trotuari mjaft i ngushtë vetëm në disa pjesë të rrugës shkakton vështirësi për qarkullim të lirë të këmbësorëve dhe automjeteve. Përveç për nevojat e banorëve të kësaj pjese të lagjes, kjo rrugë përmbledhëse e rrugicave përreth, shërben e edhe si rrugë transite alternative, sidomos kur rritet fluksi i automjeteve gjatë muajve të verës”, thekson Besim Dogani – përgjegjës i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal pranë Komunës së Gostivarit.

Rruga ka gjatësi prej 370 metrash, ndërsa trup i i rrugës pas rikonstruktimit do të ketë gjerësi prej 6 metrash dhe trotuare nga të dyja anët me nga 1,5 metra gjerësi. Rikonstruktimi parasheh gërmimin e asfaltit dhe vendosjen e shtresës së re prej 7 centimetrash, sanim të plotë trotuarit ekzistues dhe ndërtim të trotuarit të ri.

Realizues i punëve ndërtimore është kompania që fitoi në tenderin e shpallur – “Lendi Group”, ndërsa kostoja e projektit, në bazë të kontratës së nënshkruar është 5.291.994 denarë (me TVSH), mjete këto të ndara nga buxheti i Komunës së Gostivarit.

Krahas kësaj, do të bëhet edhe nivelizimi i pusetave dhe forcimi i ndriçimit publik

Shërbimi për informim

Ndërtimi i parqeve në vendbanimet rurale të Gostivarit, nisi nga fshati Raven

05.11.2019

Ndërmarrja Publike Komunale “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, është duke ndërtuar një park në fshatin Raven, ndërsa nga kjo ndërmarrje njoftojnë se parqe të këtilla do të ndërtohen edhe në vendbanimet tjera rurale të komunës së Gostivarit, respektivisht atje ku ka kushte për një ndërhyrje të këtillë.

“Në kuadër të përpjekjeve të udhëheqësisë së re komunale në krye me kryetarin Arben Taravari, ne si ndërmarrje publike e pamë të arsyeshme që pas zgjerimit të sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe rregullimin horitukulturor të oborreve të shumicës së shkollave komunale, të vazhdojmë me ndërtimin e parqeve në vendbanimet rurale. Filluam me fshatin Raven ku në përputhje me kërkesat e banorëve lokalë, caktuam një lokacion të përshtatshëm”, thekson drejtori Bekim Çelebiu.

Parku i ri në fshatin Raven kap një sipërfaqe të përgjithshme prej 2000 metër katrorë, ku është bërë rrafshimi i sipërfaqes, është instaluar sistemi për ujitje me tajmer, është bërë mbjellja e barit, druve dhe fidanëve dekorativë dhe luleve të stinës, si dhe janë vendosur gurë dekorativë me ngjyra të ndryshme.

Vlera e projektit kap shifrën rreth 300 mijë denarë mjete këto të siguruara nga vetë ndërmarrja.

Me realizim e parqeve nëpër fshatra, synohet krijimi i kushteve të barabarta si për banorët e qytetit ashtu edhe për ata që jetojnë në vendbanimet rurale.

Shërbimi për informim

L A J M Ë R I M

Në përputhshmëri me Udhëzuesin për mënyrën e udhëheqjes së procedurës për sjelljen dhe pregaditjen e Akteve të përgjithshme për fshatra, Akti i përgjithshëm për fshatin Zdunjë dhe Propozim – Vendimi për të njejtën do të shpallet në veb faqen e komunës së Gostivarit , për shkak të mundësisë së kqyrjes publike në kohë zgjatje prej 15 ditë pune, gjegjësisht prej 05.11.2019 vit deri më 25.11.2019 vit.

Në këtë afat të gjithë qytetarët e përfshirjes së këtij plani mundet të dorëzojnë propozime, sugjerime ose ankesa, për të cilat do të vendose komisioni që ka përpunuar Propozim Vendimin.

Shërbimi për informim

Artan

PREDLOG Odluka NASLOVNA ZDUNJE.

PREDLOG Odluka Opst Akt ZDUNJE