Kryetari Arben Taravari u takua me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në RMV, Milan Predan

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka realizuar takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkëlqesinë e tij, Milan Predan.

Në takim u bisedua për zhvillimin lokal por edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.

“Biseduam për zhvillimin në nivel lokal, thellim të bashkëpunimit dhe miqësisë mes komunës sonë dhe Republikës së Sllovenisë, binjakëzim me ndonjë nga komunat e këtij vendi, investimet e mundshme nga kompani me kapital slloven në Gostivar dhe tema të tjera me karaktare lokal. Biseduam edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe aktivitetet korrekte që do të ndërmerren në periudhën që vijon për vendin tonë për integrim në BE”, theksoi kryetari Taravari pas takimit.

Në takim, ambasadori Predan shfaqi shpresën se Sllovenia përmes përvojës së saj do të ndihmojë Maqedoninë e Veriut që me sukses të përfundojë procesin negociues.