Kemi dëgjuar shpesh për fjalinë “Bashkimi bën fuqi”. Një fjali, që në rrethana dhe kushte të ndryshme, gjithmonë e ka vërtetuar kuptimin e saj. Periudha aktuale, të cilën po e përjetojmë na nxorri në pah edhe një herë nevojën e kësaj thënie. Kësaj rradhe, ky armiku jonë i padukshëm arriti që të na ndaj fizikisht, por si asnjëherë më parë krijoi dëshirën dhe nevojën për tu bashkuar shpirtërisht.

Armiku në fjalë arriti që literalisht të prek në çdo kulm dhe secilin prej nesh në mënyra të ndryshme. Përveç tjerash kjo gjendje arriti që të prek dhe një prej shtyllave bazë të formimit të shoqërisë, arsimin dhe procesin arsimor. Dhe kjo, drejtëpërdrejtë ndikoi, preku krijesat më të çmueshme, fëmijët. Shumë fëmijë e gëzojnë fatin që mënyrat alternative të procesit mësimor t’i ndjekin pa problem, por një pjesë e nxënësve nga kushte dhe dhe rrethana nga më të ndryshmet, me javë të tëra nuk kanë mundësinë që t’iu bashkangjiten shokëve dhe shoqeve të tyre. Ky grup i nxënësve që në Gostivar i afrohet numrave katërshifror edhe përkundër dëshirës për të ndjekur procesin arsimor, nga gjendja e rëndë sociale, pamundësia ekonomike, nuk gëzojnë të drejtën për të vazhduar mësimin si fëmijët e tjerë. Nxënës të moshave të ndryshme nga pamundësia për të poseduar një nga pajisjet teknologjike (llaptop, tablet, smartphone), mungojnë në takimet e orës mësimore.

Të dashur bashkëqytetarë, të dashur prindër dhe ju mërgimtarë dhe kompani, duke e ditur që fëmijët janë arma jonë më e fuqishme dhe më e ndjeshme njëkohësisht, ju bëjmë thirrje që t’i bashkangjiteni kësaj iniciative që ka për qëllim sigurimin e një pajisjeje për secilën familje dhe fëmijë të prekur nga kjo dukuri.

Nëqoftëse në raftet e shtëpisë keni një telefon, llaptop tepër, dhurojeni. Sipas dëshirës dononi me aq sa keni mundësi.

Le të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë edhe më shumë në zhvillimin e fëmijëve tanë. Ato janë ardhmëria jonë, ardhmëria e këtij vendi.

Jemi të bindur që një ditë, ndihma juaj, do të bëj të krenoheni me arritjet e tyre.
Jini pjesë e suksesit të fëmijëve që tani kanë më së shumti se kurrë nevojë për ndihmën tuaj.

Pajisjet, mund t’i sillni prej ditës së martë deri të еnjten nga ora 11:00-14:00 në hapësirat e Komunës së Gostivarit.

Dizajni: Vigan Demiri