16.03.2020

Shtabi i emergjencës i komunës së Gostivarit, në mbledhjen e sotme konstatoi se ndonëse situata është serioze, por se nuk ka aspak vend për panik. 

“Në komunat e Pollogut – Gostivar, Vrapçisht dhe Bogovinë nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me coronavirus. Porosi e përbashkët ishte se të gjithë duhet të ndihmojmë në situatën e krijuar duke ndenjur në shtëpi me familjarët e tyre dhe të kenë sa më pak kontakte me njerëzit. Te tre komunat janë duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitete në përputhje me rekomandimet e qeverisë siç janë dezinfektimi i institucioneve lokale”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit në konferencën e përbashkët me kryetarin e komunës së Vrapçishtit Isen Shabani dhe atë të Bogovinës Albon Xhemaili. 

Taravari informoi po ashtu se janë formuar edhe ekipe mobile në të tri komunat, ekipe këto që do t’i ndihmojnë në mënyra të ndryshme njerëzit në nevojë.

Si mesazh i përbashkët i kryetarëve të tre komunave ishte: Shëndeti publik është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve! 

Shërbimi për informim