19.02.2019

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka dhe konsuli i nderit Imer Selmani, takuan sot kryetarin e komunës së Gostivarit Arben Taravari, për ti shprehur atij dhe qytetarëve të Gostivarit ngushëllime për viktimat e 13 shkurtit dhe për të dëshiruar shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.

“Ambasadori Reka erdhi për vizitë në komunën tonë për tu shprehur ngushëllime qytetarëve të Gostivarit por edhe mua si kryetar për viktimat nga tragjedia që ndodhi ditë më parë. E njoftova ambasadorin se unë jam vazhdimisht në kontakt me ekipet mjekësore dhe me pacientët e shtrirë në spital dhe se shumica e tyre janë në gjendje stabile, përveç tre pacientëve të cilët janë në gjendje kritike, mirëpo unë shpresoj që ata ta tejkalojnë këtë situatë, pasi besoj në kapacitetin e personelit mjekësor dhe ngase bëhet fjalë për pacientë të moshës relativisht të re. Ndryshe, duhet të theksoj se me ambasadorin kemi raporte shumë korrekte dhe miqësore, por edhe kontakte për investime potenciale të biznesmenëve shqiptarë në Maqedoni”, deklaroi Taravari pas takimit.

Ambasadori Reka tha se bashkë me konsulin e nderit Imer Selmani kanë ardhur sot në komunën e Gostivarit që ta takojnë kryetarin Taravari për ti shprehur atij ngushëllime dhe për t’i dëshiruar që të lënduarit të shërohen dhe sa më shpejtë ta lëshojnë spitalin.

“Ne solidarizohemi me dhimbjen tuaj dhe jemi të gatshëm për të dhënë çdo gjë për të cilën keni nevojë. Urojmë që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë. Për këtë fatkeqësi kaq të rëndë është shumë e vështirë të gjenden fjalë ngushëlluese”, nënvizoi Reka.

Ngushëllimet e tija për gostivarasit dhe familjarët e viktimave shprehu edhe konsuli i nderit Imer Selmani

“Dhashtë Zoti të mos na përsëriten kësisoj tragjedish dhe le të jetë kjo një leksion për institucionet shtetërore se shumë më tepër duhet të ndërmerren masa për të shmangur tragjedi të këtilla”, theksoi mes tjerash Selmani.

Shërbimi për informim