Maqedonia të kapë trenin evropian dhe të fitojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

06.12.2017

Në kuadër të vizitës së tij dyditore në Bruksel, kryetar i komunës së Gostivarit njëherit dhe sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari realizoi takime të rëndësishme me miq të Republikës së Maqedonisë në Parlamentin Evropian, për të diskutuar agjendën evropiane të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe të Maqedonisë në veçanti.

Taravari u takua me eurodeputetin slloven, Ivo Vajgëll dhe me atë sllovak, Eduard Kukan, që të dy anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe ndër euro-deputetët më të zëshëm për integrimin evropian të Ballkanit dhe të Republikës së Maqedonisë.

Në këto takime, palët biseduan për situatën politike në Maqedoni dhe për nevojën për përshpejtimin e reformave gjatë muajve në vijim në mënyrë që Maqedonia të kapë trenin evropian dhe të fitojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian para Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së të qershorit 2018. Kryetari Taravari theksoi se agjenda reformatore e qeverisë së Maqedonisë mund të zbatohet dhe ka kuptim vetëm nëse ajo përcillet me reforma rrënjësore të partive të ish-regjimit, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Euro deputetët Vajgëll dhe Kukan përshëndetën rolin konstruktiv të Aleancës për Shqiptarët brenda Qeverisë së Maqedonisë dhe theksuan nevojën për stabilitet brenda koalicionit qeverisës.

Në fund, palët shprehën vullnetin e tyre për të mbajtur dialog të rregullt në rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Shërbimi për informim