18.03.2018
Për rreth 300 amvisëri të fshatit Balindoll të cilat deri më tani nuk shfrytëzonin ujin e pijshëm nga ujësjellësi i qytetit ose kishin presion shumë të ulët të ujit, në ditën e Fitër Bajramit u vu në funksion linja e re e ujësjellësit. Ky ishte edhe premtimi i kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe drejtorit të NP “Komunalec”, Isak Lazami në ditën kur filloi realizimi i këtij projekti, respektivisht 23 maj.
Në përurimin e linjës së re të ujësjellësit mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili nënvizoi se edhe përkundër obstruksioneve të shumta, Koumna dhe ndërmarrjet publike komunale, punojmë dhe realizojnë projekte shumë të rëndësishme për qytetarët e komunës së Gostivarit.
“Përurojmë sot linjën e re të ujësjellësit në fshatin Balindoll në gjatësi prej 2000 metra për rreth 200 shtëpi që deri më tani nuk kishin ujësjellës dhe furnizoheshin me ujë nëpërmjet bunarëve. Ndërsa, edhe 100 shtëpi tjera ku linja ekzistuese kishte shtypje shumë të ulët të ujit tash do të ketë shtypje shumë më të madhe, kështu që linja e re e ujësjellësit do tu shërbejë 300 shtëpive”, theksoi Taravari.
Krahas kësaj, kryetari Taravari njoftoi se në vijim do të bëhet asfaltimi i dy rrugëve në këtë fshat, premtim ky i dhënë në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar.
“Jam krenar që për një kohë rekorde arritëm t’i realizojmë punimet dhe ta përurojmë këtë investim për Fitër Bajram. Prej këtu tani do të zhvendosemi në Debresh dhe në Zdunjë dhe të gjitha ato investime që i kemi premtuar do t’i realizojmë në kohë rekorde”, nënvizoi drejtori i NP Komunalec – Isak Lazami.
Banorët e fshatit Balindoll shprehën u falënderime publike kryetarit Taravari dhe drejtorit Lazami, ndër të cilët edhe ish kryetari I komunës së Gostivarit Xhemail Rexhepi dhe imami i fshatit Sead Fetai.

Shërbimi për informim