10.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari organizoi një takim joformal me gazetarët lokalë. Në takimin i cili kaloi në një atmosferë miqësore, kryetari i njoftoi ata, se prej javës së ardhshme do të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë shërbimi për informim dhe se mangësitë eventuale në ditët e para të mandatit të tij do të tejkalohen.

“Ju siguroj se së shpejti do të kemi një ekip të konsoliduar të PR-it dhe se në kohë reale do të jeni të informuar me të gjitha ngjarjet që janë me interes për ju si gazetarë për të informuar publikun e gjerë. Ekipi i PR-it do të jetë i hapur për bashkëpunim, ndërsa do të keni qasje të shpejtë edhe për çdo informatë me karakter publik”, theksoi Taravari dhe shtoi se takimet e këtilla joformale do të jenë praktikë e rregullt e që do të organizohen të paktën një herë në muaj.

Brifingun, gazetarët e shfrytëzuan edhe për tu informuar në lidhje me aktualitetet në Komunë, në ditët e para të mandatit të kryetarit Arben Taravari.
Ata u informuan nga kryetari se tashmë në postin ushtrues detyre në Ndërmarrjen publike “Komunalec” është caktuar Isak Lazami, ndërsa Sektorin e urbanizmit do ta udhëheq ekip treanëtarsh në përbërje Sefedin Bilalli, Vanço Aleksoski dhe Bekim Aliu, ku të tre do të nënshkruajnë çdo dokument që del nga ky sektor.
Në lidhje me caktimin ushtruesve të detyrës në shkollat fillore dhe të mesme, kryetari Taravari njoftoi gazetarët se prej të hënës do të zhvillojë takime me kuadrin mësimor dhe prej tyre do të kërkojë që të paraqesin listë prej tre personash, prej të cilëve kryetari do ta përzgjedh njërin.

“Këtë do ta bëj me qëllim që të realizoj atë që kam pasur synim dhe që kam premtuar në fushatë, tas depolitizojmë dhe departizojmë arsimin si një sferë e cila tangon më të dashurit tonë, fëmijët, dhe që duhet të na sigurojë një të ardhme të ndritur”, theksoi Taravari, duke nënvizuar se për emërimin e drejtorëve me mandat të plotë, do të shpallen konkurse përkatëse dhe do të ndiqet proceduar e rregullt.
Gazetarët, u interesuan edhe në lidhje me konstituimin e Këshillit të Komunës, me ç’rast morën përgjigje se tashmë është siguruar shumica e nevojshme me tendencë që ajo të zgjerohet në të ardhmen e afërt.

“Presim që brenda ditëve në vijim, të marrim përgjigje pozitive edhe prej BDI-së në lidhje me konvokimin e mbledhjes konstituive të Këshillit të Komunës. Dëshiroj që të kemi një konsensus sa më të gjerë në vendimmarrje dhe kjo njëherit të reflektojë si shembull i mirë edhe për nivelin qendror”, potencoi kryetari i komunës dhe shtoi se për kryetar të këshillit do të jetë i propozuar bartësi i listës së Aleancës për Shqiptarët, dr. Besim Memedi.

Shërbimi për informim

.c-article-list .article-image a { height: 250px; }