Aslian Snopçe: Ekskursionet shkollore do të realizohen sipas planit

30.04.2018

Udhëheqësja e Sektorit për arsim pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe, bëri të ditur sot për mediat, se të gjitha ekskursionet shkollore do të realizohen sipas plan-programit të paraparë dhe se nxënësit dhe prindërit nuk duhet të shqetësohen.

“Dua të njoftojë opinionin publik, e sidomos nxënësit dhe prindërit e tyre se ekskursionet shkollore do të realizohen në bazë të planit të paraparë të MASH-it dhe se ne si Komunë as duam as mundemi të ndërhymë këtu, në një situatë kur na janë marrë ingerencat në sferën e arsimit”, njoftoi znj. Snopçe.

Ajo sqaroi se spekulimet për kinse mosrealizim të ekskursioneve janë paraqitur pas parashtrimit të ankesës nga një agjenci turistike për te gjimnazi i Gostivarit dhe se procedura do të vazhdojë përmes rrugës gjyqësore dhe se kjo nuk do të ndërlidhet me realizimin e ekskursioneve.

“Kur është në pyetje interesi i nxënësve, Komuna e Gostivarit asnjëherë nuk do të bëjë problem dhe asnjë veprim i yni nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëfarë prapavije politike.

Shërbimi për informim

Nxënësit e SHF “Goce Dellçev” vizituan Komunën e Gostivarit

26.04.2018
Nxënësit e klasës së katërt, paralelet në gjuhën maqedonase, pranë Shkollës Fillore Komunale “Goce Dellçev” – Gostivar, të shoqëruar nga mësueset e tyre, ishin sot për vizitë në Komunën e Gostivarit, për tu njoftuar me mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.

Gjatë vizitës ata takuan kryetarin e komunës Arben Taravari dhe bashkëpunëtorët e tij si dhe vizituan ambientet ku i kryejnë detyrat administratorët komunalë.

Kryetari i komunës Arben Taravari dhe pjesëtarët e kabinetit të tij, i njoftuan nxënësit me mënyrën e funksionimit të vetëqeverisjes lokale me një gjuhë të kuptueshme për moshën e tyre, duke u dëshiruar atyre që kur të rriten edhe ata të bëhen pjesë e administratës komunale, të marrin poste udhëheqëse dhe dikush të bëhet edhe kryetar komune.
Gjatë vizitës, nxënësit e SHF “Goce Dellçev” bashkëbiseduan me kryetarin Taravari dhe i parashtruan atij pyetje të shumta.

Shërbimi për informim

 

Drejtorët e dhunshëm të BDI-së shpallin konkurse të paligjshme

24.08.2018

BDI-ja arriti që me anë të presioneve të ndryshme mbi qeverinë Zaev, t’ia merr kompetencat në arsim kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ata duke aluduar në atë se do të venë rend në arsim, sollën drejtorë të dhunshëm dhe drejtorë shkelës të çdo norme ligjore.

Së fundmi, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, drejtori Agron Alili, më datë 23.04.2018 shpalli konkurs për vende pune për kohë të caktuar deri më 31.08.2018, për vendet e njëjta të punës në të cilat paraprakisht janë të angazhuar profesorë dhe pedagogu i shkollës, me kontratë nga 18.01-31.08.2018.

Duke marrë parasysh se drejtori hap konkurs pune pa pasur nevojë urgjente apo mungesë kuadri, në kohën që ka mësimdhënës të angazhuar për periudhën e njëjtë kohore, ai bën shkelje ligjore, e cila s’ka tjetër se si të shpjegohet përveç se me revanshizëm politik, i cili rëndë dëmton ecurinë kualitative të procesit mësimor dhe të drejtat e punëtorit që është në marrëdhënie të punës.

Kërkojmë publikisht, ndërsa do të kërkojmë edhe në formë institucionale nga organet kompetente si Inspektorati shtetëror për arsim, Inspektorati për punë, Avokati i popullit etj. mbrojtjen e mësimdhënësve dhe pedagogut të shkollës së mesme të mjekësisë.

Shërbimi për informim

Nxënësit e klasës së katërt u njoftuan me funksionimin e pushtetit lokal në Gostivar

13.04.2018

Nxënësit e klasës së katërt pranë Shkollës Fillore Komunale “Goce Dellçev” të shoqëruar nga mësueset e tyre, ishin sot për vizitë në Komunën e Gostivarit, për tu njoftuar me mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.

Gjatë vizitës ata takuan kryetarin e komunës Arben Taravari, ndërsa vizituan edhe sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit dhe zyrat e administratës komunale.

Kryetari i komunës Arben Taravari dhe pjesëtarët e kabinetit të tij, i njoftuan nxënësit me mënyrën e funksionimit të vetëqeverisjes lokale me një gjuhë të kuptueshme për moshën e tyre, duke u dëshiruar atyre që kur të rriten edhe ata të bëhen pjesë e administratës komunale, të marrin poste udhëheqëse dhe dikush të bëhet edhe kryetar komune.

Gjatë vizitës, 55 nxënësit nga tre paralelet e klasës IV pranë SHFK “Goce Dellçev”, kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij u parashtruan pyetje aq përmbajtjesore, saqë edhe të rritur do tua kishin lakmi.

Shërbimi për informim

Gostivari shënoi Ditën Botërore e luftës kundër autizmit

02.04.2018

Dita Botërore për Luftën kundër Autizmit, në Gostivar u shënua me aktivitete të shumta. Në shënimin e kësaj dite, krahas Komunës së Gostivarit u përfshinë Qendra ditore për fëmijë me nevoja speciale – Gostivar Organizata Komunale e Kryqit të Kuq – Gostivar, SHFK “Bashkimi” – Gostivar, sektori i biznesit dhe shoqata civile dhe ekspertë nga Maqedonia dhe Shqipëria që merren me trajtimin e fëmijëve autikë.

Aktivitetet filluan me një marshim për ndërgjegjësimin për luftë kundër autizmit, prej Qendrës ditore deri te sheshi i qytetit ku restoranti “New Albis” nga Gostivari, ndau 70 procione me ushqim për fëmijët autikë. Pjesëmarrësit në marsh mbanin bluza me moton“Shine on light of autism” (Rreze drite për autizmin)

Në SHFK “Bashkimi”, në bashkëpunim me OK KK – Gostivar u organizua një treg bamirësie ndërsa fondet e mbledhura janë destinuar për të ndihmuar një familje të varfër me një fëmijë me nevoja të veçanta.

Aktivitete për të shënuar Ditën Botërore kundër autizmit u finalizuan me një ligjëratë në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit në temë: Të tejkalojmë dallimet, të njohim njëri-tjetrin”. Ligjëratë u ndoq nga përfaqësues të Sektorit për veprimtari publike të Komunës së Gostivarit, pedagogët dhe psikologët e shkollave fillore komunale, defektologët dhe logopedët nga rajoni i Gostivarit, si dhe prindërit e fëmijëve me autizëm, ndërsa ligjërues ishin ekspertë të njohur nga qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me autizëm në Shqipëri.

Vlen të përmendet se aktivitetet për hapjen e Qendrës për fëmijët autikë në objektin e Konviktit komunal të nxënësve “Branko Stanoeviq” – Gostivar kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të vihet në funksion.

Shërbimi për informim

Në shkollat e Gostivarit mbahen debate rinore për integrimin e të rinjve në arsim

23.03.2018

Në tre shkolla fillore komunale të Gostivarit, në vijim është pilot-projekti “Integrimi i të rinjve në arsim”. Projektin e implementon Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) në bashkëpunim me Sektorin e arsimit pranë Komunës së Gostivarit.

“Fillimisht ky pilot-projekt realizohet në shkollat fillore Bashkimi dhe Goce Dellçev të qytetit dhe në SHF ‘Çajla’ të fshatit Çajlë, ndërsa në të ardhmen do të përfshihen edhe shkollat tjera komunale. Projektin e implementon USAID-i në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar debate rinore, ku ekspertë të fushës përmes bashkëbisedimit detektojnë kërkesat dhe nevojat e të rinjve për integrimin e të rinjve në arsim”, shpjegon Aslijan Snopçe – udhëheqëse e Sektorit për arsim.

Debatet rinore realizohen me grupe të përbëra prej 20 nxënësish.

Shërbimi për informim

Nxënësit e SHF “Përparimi” vizituan organizatën rinore “YEP”

16.03.2018

Nxënësit e klasave të nënta të Shkollës Fillore “Përparimi” e fshatit Çegran, në kuadër të lëndës mësimore Edukimi qytetar, të shoqëruar nga profesorët e tyre, vizituan një nga organizatat qytetare të të rinjve që vepron në komunën e Gostivarit, “Youth Empowerment Platform – YEP”.

Për aktivitet e kësaj organizate foli drejtuesi i saj Arlind Musliu, si dhe disa nga anëtarët e kësaj organizate, të cilët njoftuan se organizata ka për mision fuqizimin e intelektit të të rinjve, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme.

Nxënësit gjithashtu u njoftuan nga afër me disa nga aktivitet e kësaj organizate siç është “Tech up” si dhe u informuan për aktivitete të ndryshme vullnetare në të mirë të shoqërisë. Mbi të gjitha nxënësit mësuan për rolin e shoqatave qytetare, për funksionimin, punën që bëjnë, anëtarësimin si dhe mënyrën se si demokracia vendoset në lëvizje përmes tyre.
Nxënësit ishin mjaft kureshtar për të kuptuar rolin e organizatave qytetare.

Shërbimi për informim

U nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet SHMEK “Gostivar” dhe shoqatës “Aksion Paqësor”

16.03.2018

Shkolla e mesme ekonomike komunale “Gostivar” dhe shoqata “Aksion Paqësor nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për projektin “Mbështetje e procesit për arsim të ingtegruar të shkollave”.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, duke e kuptuar rëndësinë e procesit për integrim ndëretnik në arsim (INA) me qëllim që të rindërtohen arritjet e mëtutjeshme të të njëjtit, të dy palët dakordohen për aktivitete të përbashkëta: analiza (anketa), programe trajnues për tre mësimdhënës nga SHMEK “Gostivar”, punëtori me prezantime të kolegëve nga shkolla, punëtori me nxënës, si dhe bashkëpunim me shkollën partner SHMK “Gostivar” me mbështetje financiare dhe teknike prej 60.000 den.

Projektin “Mbështetje e procesit për arsim të integruara nëpër shkolla”, e zbaton shoqata Aksion Paqësor në partneritet me Qendrën për studime paqësore në Zagreb (Kroaci), ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian dhe Civica Mobilitas.

Shërbimi për informim

Demiri: Ja si kanë menaxhuar në arsim ata që ia morën kompetencat Komunës së Gostivarit

15.03.2018

Temë e press-konferencës së sotme në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, ishte arsimi, respektivisht keqmenaxhimi në shkollën e mesme teknike “Gostivar”, gjatë mandatit 2013-2017.

“Ndonëse ka  keqpërdorime të shumta në këtë shkollë të mesme, ne sot do t’ju njoftojmë vetëm me disa prej tyre. I diplomuari në farmaci, ka qenë ë i angazhuar me fond të plotë prej 20 orësh për lëndët matematikore. Inxhinier i arkitekturës ka qenë i  angazhuar për lëndën e gjuhës angleze, ndërsa ajo që është më interesante,  i diplomuari në biznes ka qenë i angazhuar 4 orë për testim ekstern, 2 orë për fotokopje dhe 2 orë për Facebook”, informoi zëdhënësi i Komunës së Gostivarit, Jasin Demiri.

Ai, si dëshmi, ofroi kopjet e aktvendimeve për marrëdhënie pune për rastet e përmendura të mospërfilljes së normave ligjore.

“Angazhim i këtyre kuadrove, është bërë vetëm se këta individë kanë qenë aktivistë partiakë dhe të dëgjueshmit e patronit të tyre”, nënvizoi Demiri.

Përkujtojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nën trysninë e BDI – dega në Gostivar, ia mori kompetencat kryetarit të komunës së Gostivarit, Arbe Taravari, në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve.

Shërbimi për informim

Ligjërata për ajër të pastër në shkollat fillore të Gostivarit

14.03.2018

Në tre shkolla fillore të komunës së Gostivarit, respektivisht në SHF “Ismail Qemali”, SHF “Goce Dellçev” dhe SHF “Bashkimi” u mbajtën ligjërata për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ku në fokus ishte ajri ambinetal.

Aktivitetet u realizuan nga Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” – Tetovë, ndërsa ligjëratat i ndoqën të gjithë nxënësit e klasave të shtata, teta dhe të nënta.

Qëllimi i kësaj ligjërate ishte ngritja e vetëdijes së nxënësve për mbrojtjen e mjedisit jetësor me fokus të veçantë ajrin, i cili në rajonin e Pollogut sipas matjeve zyrtare është më i ndoturi në vend dhe më gjerë

“Ligjëratat e sotme oi ndoqën mbi 160nxënës të klasave të shtata, teta dhe nënta në të tri shkolla. Qëllimi i ligjëratave ishte edukimi dhe informimi i nxënësve për mbrojtjen e mjedisit. Krahas ligjëratave, nxënësve u ndamë edhe broshura edukative me titull Bëhu shembull për të tjerët“, njofton Arianit Xhaferi – kryetar i Shoqatës Eco Guerilla, i cili edhe i mbajti ligjëratat.

Vlen të theksohet, se me insistimin e kryetarit Arben Taravari, në ministria e dikasterit instaloi stacion matës për cilësinë e ajrit ambiental në Gostivar, ndërsa matjet tregojnë shifra shqetësuese.

Shërbimi për informim