Pritet druri në fazë të kalbjes, përskaj rrugës për në Llakavicë

14.02.2018

Me kërkesë të banorëve të fshatit Llakavicë, ekipet e NP “Parkingje publike dhe gjelbërime” mënjanuan drurin e vjetër që gjendej përskaj rrugës që çon për në brendi të fshatit.

Inxhinierët e ndërmarrjes, konstatuan se druri i vjetër ishte në fazë të kalbjes dhe se i njëjti nuk mund të mirëmbahet dhe se është e domosdoshme prerja e tij, ngaqë paraqiste rrezik potencial për kalimtarët dhe automjetet.

Shërbimi për informim

Sanohen dëmet e shkaktuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut

14.02.2018

Si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kapluan territorin e komunës së Gostivarit, u shkaktuan dëme të caktuara materiale, ndër të cilat edhe shkulja e drunjve.

Ekipet e NP “Parkingje publike dhe gjelbërime” dolën në terren dhe intervenuan për eliminimin e pasojave, siç ishte rasti me drurin që ishte përplasur mbi objektin në kuadër të Stacionit të autobusëve në Gostivar.

Shërbimi për informim

Do të hapen kopshte për fëmijë në Forinë dhe Raven

09.02.2018

Komuna e Gostivarit ka përfituar grant nga UNICEF-i në vlerë prej rreth 18 mijë euro për hapjen e dy Qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror. Një paralele për fëmijë të moshës prej 3 deri më 5 vjeç, do të hapet në fshatin Forinë, ndërsa tjetra në fshatin Raven.

Në bazë të memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim me UNICEF, Komuna e Gostivarit obligohet që të kofinancojë 10 mijë euro, mjete këto të nevojshme për të përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për mësonjëtoret që do të funksionojnë në kuadër të godinave ekzistuese shkollore.

Nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë komunës së Gostivarit, njoftojnë se pas ndjekjes së procedurave përkatëse, menjëherë  do të kalohet në realizimin e punëve përkatëse dhe Qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror në Forinë dhe Raven të fillojnë të funksionojnë brenda këtij viti.

Komuna e Gostivarit do të angazhohet që përmes granteve dhe mjeteve të veta buxhetore, të hapë sa më shumë qendra të këtilla dhe me përkujdesje dhe edukim, të përfshihen edhe fëmijët e moshës parashkollore nga zonat më të thella rurale.

Shërbimi për informim 

“E vërteta për BDI-në” – Nga 5 mijë euro në muaj më shumë i janë paguar partnerit privat për parkim zonal në Gostivar

08.02.2018  

Në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, konferencë për shtyp sot mbajti zëdhënësi i NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, Rasim Abduli, me ç’rast informoi për kontratën abuzive të lidhur në mandatin e shkuar, me parterin privat për parkim zonal.

“Ashtu siç informuam në pres konferencën e kaluar në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në“, për parregullsitë dhe shkeljet që hasëm në këtë ndërmarrje, sot do të veçojmë  kontratën e nënshkruar për parkim zonal ndërmjet ndërmarrjes tonë dhe partnerit privat ‘Duna Kompjuters’ nga Shkupi. Vlerësojmë se përqindja që i është ndarë partnerit privat  ka qenë tepër e lartë, ndërsa janë hasur po ashtu edhe shkelje tjera. Në fakt, sipas kontratës 38% është paraparë për kompaninë e lartpërmendur dhe 62% për ndërmarrjen publike.  Përqindja ka qenë e paraparë në neto, ndërkaq tërë kohës pagesa e është bërë në bruto. Pra, ndërmarrja publike  është dëmtuar për mesatarisht 300.000 denarë ose 5 mijë euro në muaj”, deklaroi Abduli.

Ai shfrytëzoi nga rasti të informojmë qytetarët e Gostivarit, se shkaku i këtyre keqpërdorimeve, nga dita e djeshme kontrata me parterin privat është shfuqizuar, dhe se  parkimi zonal do të jetë i lirë deri në afat të pacaktuar.

“I shqyrtojmë të gjitha mundësitë, shpresojmë për një zgjidhje sa më të mirë dhe sigurisht  do t’ju informojmë në ditët në vijim për zgjidhjen përfundimtare”, nënvizoi zëdhënësi  i ndërmarrjes,  Rasim Abduli.

Shërbimi për informim

Krasiten drunjtë përreth rrugësnë fshatin Llakavicë, rritet siguria në trafik

05.02.2018

Me kërkesë të banorëve lokalë dheme urdhër të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” gjatë fundjavës që lamë pas bëri krasitjen e drunjve dhe mënjanimin e vegjetacionit të padëshirueshëm përreth rrugë rajonale Gostivar-Sërmnovë, në segmentin që kalon përskaj fshatit Llakavicë.

“Ishte kërkesë e banorëve të fshatit Llakavicë dhe banorëve të fshatrave të Malësisë të cilët gravitojnë nga kjo rrugë, që të krasiten drunjtë dhe të mënjanohet vegjetacioni i padëshiruar që shkaktonte zvogëlim të dukshmërisë dhe rrezikonte sigurinë në trafikun rrugor. Intervenime të këtilla kemi pasur në vazhdimësi edhe në rrugë tjera lokale dhe rajonale në territorin e komunës së Gostivarit”, theksoi drejtori i ndërmarrjes, Muzafer Zulbeari.

Vlen të theksohet se rruga që kalon përskaj fshatit Llakivicë është pjesë e rrugës rajonale Gostivar-Sërmnovë për mirëmbajtjen e së cilës kompetencat i takojnë Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”. Por për shkak të mosinetervenimit të kësaj ndërmarrjeje, Komuna e Gostivarit, me qëllimqë të mos pësojnë qytetarët, detyrohet që me mjete të veta të bëjë intervenimet e domosodoshme.

Shërbimi për informim

Pastrohet shtrati i lumit Jahorka në fshatin Forinë

02.02.2018

Ndërmarrja publike “Komunalec” këtyre ditëve është duke realizuar një aksion për pastrimin e shtratit të lumit Jahorka në fshatin Forinë.

Shtrati i këtij lumi ishte shqetësimi të cilën banorët e këtij fshati ia shpalosën kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari me rastin e vizitës së tij që ia bëri paradokohe këtij fshati.

“Për të realizuar këtë aksion kemi angazhuar mekanizimin tonë dhe punonjësit tanë dhe gjithë këtë e bëjmë me mjete vetanake të ndërmarrjes. Ishte kjo kërkesë e banorëve lokalë, që të mundësohet rrjedha e papenguar e ujit, por edhe të shmanget pamja e shëmtuar e këtij lumi i cili kalon përmes të fshatit”, thekson drejtori i ndërmarrjes, Isak Lazami.

Banorët e fshatit Forinë shprehen mirënjohës për këtë intervenim të shpejtë nga ana e kryetarit të Komunës së Gostivarit, për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Shërbimi për informim

Krasiten drutë në rrugën Çajlë – Forinë, mundësohet qarkullimi i lirshëm i automjeteve

31.01.2018

Gjatë vizitës së kryetarit Arben Taravari në fshatin Forinë, të realizuar paradokohe, banorët e kësaj ane shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me rrugën Çajlë-Forinë, ku degët e drunjve përskaj rrugës pengojnë qarkullimin e lirë të automjeteve.

Me urdhër të kryetarit Taravari, Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” është duke realizuar krasitjen e drunjve në gjithë gjatësinë e rrugës.

“Në këtë segment të rrugës rajonale, që njëherit është edhe më i ngushtë, degët e drunjve përskaj rrugës, zvogëlojnë dukshmërinë, e sidomos vështirësojnë qarkullimin e automjeteve të kategorive më të mëdha, me çka rrezikohet edhe siguria në trafikun rrugor. Me kërkesë të banorëve të kësaj ane dhe me urdhër të kryetarit Arben Taravari, e ndërmorëm këtë aksion dhe i njëjti është para përfundimit”, theksoi drejtori i ndërmarrjes, Muzafer Zulbeari.

Vlen të theksohet se rruga Çajlë-Forinë është segment i rrugës rajonale Gostivar-Çegran-Tetovë që është në kompetencë të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Por, për shkak të neglizhencës së kësaj ndërmarrjeje, Komuna e Gostivarit, me qëllim që të mos pësojnë qytetarët, është e detyruar që të bëjë intervenime të caktuara me mjete vetanake.

Shërbimi për informim

Taravari vizitoi NP Komunalec, u njoftua nga afër me sfidat e ndërmarrjes

22.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, vizitoi Ndërmarrjen Publike “Komunalec” me ç’rast nga afër u njoftua me sfidat me të cilat përballet kjo ndërmarrje.

Drejtori i ndërmarrjes Isak Lazami e njoftoi kryetarin Taravari, se si pasojë e menaxhimit të keq në mandatin e shkuar kjo ndërmarrje ballafaqohet me shumë probleme, sidomos në aspektin financiar dhe material. Ai, po ashtu e njoftoi kryetarin se për këto dy-tre muaj sa është në krye të ndërmarrjes ka arritur të krijojë një ekip efikas menaxherial dhe se punët kanë filluar të marrin të mbarën, duke realizuar edhe disa projekte të rëndësishme krahas aktiviteteve të përditshme.

Kryetari Taravari e inkurajoi drejtorin Lazami për punën që bën, duke e siguruar atë se do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gostivarit, që kjo ndërmarrje të mund t’i kryejë me sukses shërbimet të cilat i mbulon dhe të cilat janë me rëndësi jetike për qytetarët e Gostivarit.

Vlen të theksohet se një pjesë e keqpëdorimeve të shumta në NP Komunalec u shpalosën në kuadër të fushatës “E vërteta e BDI-së”, ndërsa një komision i veçantë punon për të konstatuar edhe raste të tjera, me të cilat do të njoftohet opinioni publik.

Shërbimi për informim

Tamponohet një rrugë në lagjen Mllaki

15.01.2018

Ndërmarrja publike “Komunalec” është duke realizuar një projekt në lagjen Mllaki, ku bëhet nivelimi dhe tamponimi i një rruge.

Kjo rrugë është me gjatësi prej 180 metrash dhe me gjerësi prej 3,5 metrash. Banorët e kësaj lagjeje ballafaqoheshin me baltë dhe pluhur, dhe ishte kërkesë e tyre që të intervenohet si një zgjidhje e përkohshme duke e shtruar me tampon këtë rrugë”, thekson drejtori i NP “Komunalec” – Gostivar, Isak Lazami.

Projekti në fjalë financohet në tërësi nga ana e NP “Komunalec”.

Shërbimi për informim

Fushata “E vërteta për BDI-në”, zbardhen keqpërdorimet në NP “Komunalec” – Gostivar

11.01.2018

Udhëheqësit e Ndërmarrjes publike “Komunalec”, mbajti sot konferencë për shtyp me ç’rast në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, shpalosi një pjesë të keqpërdorimeve të bëra në mandatin e shkuar nga kuadrot e BDI-së.
“Do t’ju njoftojmë sot vetëm me keqpërdorimet që janë bërë në Njësinë punuese Mekanizimi, ndërsa me keqpërdorimin në njësitë tjera të ndërmarrjes komunale do t’ju njoftojmë në press konferencat e radhës”, theksoi zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje Mirtezan Selimi.

Ai numëroi 13 keqpërdorime të bëra të cilat i ka konstatuar revizioni i brendshëm, dhe të cilat i dëshmojnë edhe vetë të punësuarit në këtë njësi të ndërmarrjes.
“Mungojnë thika për pastrim të borës, të cilat me dijeninë e ish udhëheqësisë së Komunës i ka marrë një firmë e afërt me ta. Një traktor për pastrimin e borës me gjithë thikën është marrë me urdhrin e ish drejtorit dhe tani gjendet në punëtorinë për mekanizmin në fshatin Zdunjë. Dy muaj para zgjedhjeve lokale është shitur një buldozer në gjendje të rregull i markës Tege Dreser. Një javë para zgjedhjeve është shitur edhe një eskavator ICB, ndërsa ish shoferi i drejtorit të ndërmarrjes ka marrë një kiper të markës Mercedes”, njoftoi Selimi.

Më pas ai njoftoi edhe për marrjen e automobilit Volvo në gjendje të rregullt të cilin po ashtu e ka shfrytëzuar një vjet e gjysëm ish shoferi i drejtorit, ndërsa e ka kthyer vetëm guacën (karrocerinë).
“Mungon edhe automobili Mercedes me ngjyrë të verdhë dhe një automobil i markës Honda Akord për të cilët nuk kemi dijeni se ku gjenden. Ndërsa një veturë Lada edhe sot e kësaj dite gjendet te një ish i punësuar në fshatin Reçan”, nënvizoi Selimi.

Ai më pas numëroi edhe disa makina pune, pronë e kësaj ndërmarrjeje, të cilat po ashtu mungojnë ose janë dhuruar në mënyrë të paligjshme.
“Makinën për shenjëzim të rrugëve e ka marrë ish udhëheqësi i Departamentit për komunikacion pranë Komunës së Gostivarit, kuadër i BDI-së. Po ashtu nuk kemi dijeni se ku gjendet freza për prerje të asfaltit, ndërsa mungojnë edhe mjete tjera pune për punë të përditshme. Në mënyrë të paligjshme, Stacionit të Policisë në Gostivar i janë dhuruar 29 piramida për bllokim të rrugës gjatë punimeve”, sqaroi Selimi.

Drejtori i ndërmarrjes, Isak Lazami njoftoi gazetarët se për momentin nuk mund të caktohet vlera e saktë për dëmin e shkaktuar, por se nga të dhënat e paraqitura, edhe vetë qytetarët mund të konstatojnë se bëhet fjalë për një dëm të madh, sidomos kur kihet parasysh gjendja e vështirë financiare-materiale e ndërmarrjes.

Lazami bëri po ashtu me dije se ata si ndërmarrje e kanë për obligim të detektojnë keqpërdorimet e bëra, ndërsa ftoi organet kompetente të hetuesisë dhe gjyqësisë që t’i kryejnë procedurat e mëtutjeshme në përputhje me ligjin.

Shërbimi për informim