Përfundoi rikonstruimi i rrjetit të kanalizimit në një pjesë të lagjes “Lajthia”

02.01.2017

Problemi me të cilin banorët e rrugës Drage Todorovski në lagjen “Lajthia”, janë ballafaquar tash e 17 vjet sa herë që ka pasur të reshura intensive, përfundimisht u zgjidh ditë më parë.

Me këtë rast, të dielën, lagjen në fjalë e vizitoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ku u prit nga banorët e lagjes dhe bashkëbisedoi me ta.

“Zgjidhja e problemit me rrjetin e kanalizimit në këtë pjesë të lagjes Lajthia, ishte një nga premtimet tona parazgjedhore. E vizituam këtë lagje para tri javësh dhe menjëherë filluam me rikonstruimin e plotë të rrjetit të kanalizimit atmosferik dhe fekal. Ekipet e Ndërmarrjes publike Komunalec, me sukses i përfunduan punët për një kohë të shkurtë dhe shpresoj se problemi që kanë pasur banorët lokalë që prej vitit 2000, nuk do të përsëriten më”, deklaroi kryetari Taravari.

Ai njoftoi me këtë rast, se realizimi i këtij projekti ka kushtuar 2,5 milion denari dhe se do të vazhdohet të punohet në terren për të përmbushur të gjitha premtimet e dhëna, një nga një.

Banorët e lagjes, u shprehën falënderues për këtë ndërhyrje të shpejtë dhe efikase të Komunës së Gostivarit për tejkalimin e problemit jetik të tyre.

Shërbimi për informim

Punohet në sanimin e defektit në tubacionin kryesor të ujësjellësit

26.12.2017

Ekipe të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” janë duke punuar intensivisht në sanimin e defektit disavjeçar në tubacionin kryesor të ujësjellësit në fshatin Zdunjë.

Punimet kanë filluar mëngjesin e sotëm në ora 8:30 dhe për këtë shkak qyteti dhe fshatrat për rreth që furnizohen me ujë nga ujësjellësi i qytetit, për momentin kanë ndërprerje.

“Bëhet fjalë për një defekt shumë të madh në tubacionin kryesor Ф-500 në fshatin Zdunjë, defekt ky që daton prej 3-4 vitesh më parë dhe për pasojë kemi humbje të sasisë së ujit deri në 30 për qind. Ekipet tona punojnë intensivisht dhe shpresojmë se rreth mbrëmjes ta sanojmë defektin”, njofton Isak Lazami, drejtor i ndërmarrjes.

Krahas sanimit të këtij defekti, ndërprerja në furnizim me ujë të pijshëm shfrytëzohet edhe për sanim të tubacionit Ф-350 në afërsi të rezervuareve ne fshatin Vërtok.

Nga NP “Komunalec” dhe Komuna e Gostivarit kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët për ndërprerjen aktuale të ujit të pijshëm.

Shërbimi për informim

Pastrohet kanali për ujitje dhe rregullohen oborret e banesave kolektive

26.12.2017

Ndërmarrja publike “Parkingjet publike dhe gjelbërimet”, në vazhdën e aksioneve për rregullimin e hapësirave publike dhe gjelbërimeve, këtyre ditëve punon në rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra te blloku i banesave në anën e majtë të lumit Vardar, respektivisht përballë tregut të madh të qytetit.

“Aktualisht punohet te blloku i banesave kolektive në rrugën Kej Vardar përballë tregut të qytetit, ku bëhet prerja e degëve të drunjve që pengojnë qarkullimin normal të këmbësorëve”, njoftojnë nga kjo ndërmarrje.

Krahas rregullimit hortikulturor, punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, bëjnë edhe pastrimin e kanalit për ujitje.

“aJemi duke punuar në pastrimin e kanalit për ujitje në gjithë gjatësinë e tij që kalon nëpër qytet. Pritet vegjetacioni i padëshiruar dhe mënjanohen mbeturinat. Në këtë mënyrë mënjanojmë pamjen e pahijshme, por edhe aftësojmë kanalin për të qenë funksional”, njoftojnë nga NP “Parkingje publike dhe gjelbërime”.

Intervenohet në kanalizimin në lagjen Lajthia, Taravari ndjek nga afër punimet

11.12.2017

Një delegacion i komunës së Gostivarit i kryesuar nga kryetari Arben Taravari doli në vendngjarje, që nga afër t’i përcjellë punimet që po kryhen për rikonstruim të rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza, duke njoftuar banorët se ky problem do të zgjidhet brenda tri ditëve.

“Edhe pse jemi vetëm 5 javë në Komunë, sot po bëhet një punë e rëndësishme e cila i ka munduar banorët për 15 vite. Sot fillon investimi në kanalizimin fekal për ujëra të zeza në lagjen Lajthia. Ishte ky një nga premtimet tona parazgjedhore dhe shpresojmë se për 3 ditë ky problem do të zgjidhet”, theksoi kryetari Taravari, duke rikujtuar me këtë rast edhe investimin që po bëhet në fshatin Debresh për ndërtimin e kanalizimit për nevojat e një pjese të fshatit.

Banorët e lagjes Lajthia të Gostivarit sot pas 15 vitesh, po i gëzohen zgjidhjes së problemit me rrjetin e kanalizimit, defekti i të cilit pasonte me vërshime nëpër oborret dhe bodrumet e tyre, sa herë që reshjet e shiut binin me një intensitet më të lartë.

Vetëm një javë më parë ata u vërshuan për herë të fundit duke kërkuar ndihmë nga institucionet kompetente që ky problem të zgjidhet.

Shërbimi për informim

Ndërtohet linjë e re kanalizimi fekal në fshatin Debresh

07.12.2017

Ndërmarrja publike “Komunalec”, ka filluar ndërtimin e kanalizimit për ujërat e zeza, për një pjesë të fshatit Debresh në vlerë prej 4,5 milion denarësh.
Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, njoftoi se janë eliminuar të gjitha bllokadat për fillimin e punëve ndërtimore dhe se bëhen përpjekje maksimale që punët ndërtimore të realizohen sipas dinamikës së paraparë.

“Siç e shihni, filluam sot me realizimin e punëve për ndërtimin e kanalizimit fekal për një pjesë të fshatit Debresh. Linja e kanalizimit që do të ndërtohet është në gjatësi prej 800 metrash. Projekti financohet prej Ministrisë së ekologjisë me një vlerë prej 4,5 milion denarësh”, theksoi drejtori i NP “Komunalec” Isak Lazami.

Lazami njoftoi, po ashtu, se udhëheqësia e re ka arritur të tejkalojë të gjitha bllokadat që i janë bërë dhe se bën maksimumin që projektet e parapara t’i realizojnë në afatet e parapara.
Punët ndërtimore, pritet që të realizohen në afat prej 15 ditësh.

Shërbimi për informim

NP “Komunalec”: Punohet intensivisht për tejkalimin e problemit me ujin e pijshëm në Debresh

01.12.2017

Si pasojë e rreshjeve të vërshueshme të shiut, sidomos gjatë natës së mbrëshme në rajoin e Pollogut, uji nga burimi, mbërrin i turbullt në rezervuarin nga i cili furnizohet një pjesë e fshatit Debresh.
Shkaku i kësaj, furnizimi me ujë për momentin është ndërprerë në këtë fshat, ndërsa ekipet mobile të NP “Komunalec”, me mbështjetje edhe të Qendrës Rajonale për Menaxhim me Kriza dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, punojnë intensivisht në drejtim të tejkalimit sa më të shpejtë të problemit.

“Për shkak të natyrës së problemit, nuk mund të vlerësojmë me saktësi se sa kohë do të nevojitet për tejkalimin e tij. Por ne do të angazhohemi në maksimum që kjo të ndodhë sa më shpejtë. Deri në tejkalimin e problemit, do të sigurojmë ujë të pijshëm për banorët nga cisternat e Njësisë së zjarrfikësve”, thotë Isak Lazami, drejtor i NP Komunalec.

Komuna e Gostivarit dhe NP “Komunalec”, kërkojnë mirëkuptim nga banorët e fshatit Debresh.

Shërbimi për informim

Konsultime për fazën e dytë të projektit për përmirësim të furnizimit me ujë në komunën e Gostivarit

01.12.2017
Konsulentë të angazhuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), në kuadër të Programit për ujësjellës dhe kanalizim, zhvilluan një takim pune me drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Isak Lazami dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në kuadër të mbështetetjes që Komuna e Gostivarit e merr nga KfW Bank për hartimin e një Master Plani për furnizim me ujë, u propozua që të realizohet një pako e pranueshme masash të cilat do të financohen nga ana e KfW Bank dhe SECO në Hapin 2 të Fazës 2, me ç’rast nga SECO është shprehur qëllimi për të siguruar mjete financiare për investime plotësuese.

Nga Ndërmarrja publike, shprehën gatishmëri për bashkëpunim me konsulentët me qëllim të realizimit sa më të sukseshëm të fazave të mbetuar të projektit në fjalë.

Shërbimi për informim

NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi” aksion për krasitjen e drunjve dhe pastrimin e shtartit të luimit në fshatin Debresh

29.11.2017

Në vigjilie të stinës së dimrit, Ndërmarrja publike “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, është para përmbylljes së aksionit për krasitjen e drunjve në sipërfaqet publike në qytetin e Gostivarit.

“Për momentin jemi duke punuar në krasitjen e drunjve në parkun e vogël të qytetit dhe aksioni tashmë është në fazën përfundimtare. Do t’i shfrytëzojmë në maksimum ditët me mot të përshtatshëm për punë, që gjelbrimin dhe drunjtë t’i sjellim në një gjendje të kënaqshme”, thotë drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Muzafer Zulbeari.

Nga ana tjetër, po kjo ndërmarrje ka ndërmarrë aksion edhe për pastrimin e shtratit të lumit përreth Xhamisë në fshatin Debresh. Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se askioni i këtillë ndërmerret shkaku se i njëjti ka qenë përplot me hedhurina dhe se aksioni i këtillë ka qenë një kërkesë e banorëve të fshatit.

Aksione për pastrimin e shtretërve të lumenjve nëpër fshatrat e komunës së Gostivarit, do të realizohen në kontinuitet, varësisht nga nevoja.

Shërbimi për informim