Nxënësit e klasës së katërt u njoftuan me funksionimin e pushtetit lokal në Gostivar

13.04.2018

Nxënësit e klasës së katërt pranë Shkollës Fillore Komunale “Goce Dellçev” të shoqëruar nga mësueset e tyre, ishin sot për vizitë në Komunën e Gostivarit, për tu njoftuar me mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.

Gjatë vizitës ata takuan kryetarin e komunës Arben Taravari, ndërsa vizituan edhe sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit dhe zyrat e administratës komunale.

Kryetari i komunës Arben Taravari dhe pjesëtarët e kabinetit të tij, i njoftuan nxënësit me mënyrën e funksionimit të vetëqeverisjes lokale me një gjuhë të kuptueshme për moshën e tyre, duke u dëshiruar atyre që kur të rriten edhe ata të bëhen pjesë e administratës komunale, të marrin poste udhëheqëse dhe dikush të bëhet edhe kryetar komune.

Gjatë vizitës, 55 nxënësit nga tre paralelet e klasës IV pranë SHFK “Goce Dellçev”, kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij u parashtruan pyetje aq përmbajtjesore, saqë edhe të rritur do tua kishin lakmi.

Shërbimi për informim

Kryetari i Akhisarit me bashkëpunëtorët e tij për vizitë në Komunën e Gostivarit

13.04.2018

Kryetari i komunës së Akhisarit të Republikës së Turqisë, Sali Hızlı, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot komunën e Gostivarit ku u prit nga kryetari Arben Taravari dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Në komunën e Gostivarit, sipas regjistrimit të fundit, jetojnë mbi 82 mijë banorë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët, ndërsa pasojnë maqedonasit, turqit dhe romët. Bashkësitë etnike në Gostivar jetojnë në një harmoni të shkëlqyer, e sidomos shqiptarët dhe turqit të cilët kryesisht njohin gjuhën e njëri-tjetrit dhe festat, dasmat dhe varrimet i bëjnë bashkë. Gostivari dhe Akhisari janë dy komuna të vëllazëruara dhe bashkëpunimin i cili daton prej shumë herët, me siguri se do ta thellojmë akoma më shumë dhe do ta shtrijmë në më shumë fusha”, theksoi Taravari në takimin në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, duke ftuar pjesëtarët e delegacionit që gjatë qëndrimit në Gostivar të ndjehen si në qytetin e tyre.

Edhe kryetari i komunës së Akhisarit bëri një prezantim të komunës me të cilën ai udhëheq tashmë tre mandate.

“Komuna e Akhisarit ka rreth 170 mijë banorë dhe 109 vendbanime. Viteve të fundit kemi pasur një zhvillim të madh ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Por në Gostivar nuk vijmë që vetëm të përcjellim përvojat tona, por edhe të mësojmë nga përvojat tuaja. Kemi dëshirë që një delegacion i gjerë nga komuna e Gostivarit të na vizitojë kështu siç ju vizitojmë ne juve, ndërsa për këtë do t’ju bëjmë së shpejti edhe ftesë zyrtare”, theksoi mes tjerash z. Hızlı.

Ndryshe, delegacioni i komunës së Akhisarit përbëhej prej udhëheqësve të sektorëve pranë komunës dhe të disa këshilltarëve komunalë. Gjatë qëndrimit në Komunën e Gostivarit, u zhvillua një bashkëbisedim i gjerë me ç’rast të dyja palët u njoftuan më për së afërmi me sukseset dhe sfidat e komunave përkatëse, si dhe u shkëmbyen përvoja pozitive.

Kryetarët Taravari dhe Hızlı shkëmbyen dhurata të cilat simbolizojnë komunat të cilët ata i udhëheqin, ndërsa takimi përfundoi me një koktej rasti.

Gjatë qëndrimit në Gostivar, delegacioni nga Akhisari do të vizitojë SHF “Mustafa K. Ataturk”, Muftininë e Gostivarit dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.

Shërbimi për informim

Filloi rikonstruktimi i plotë i rrugëkryqit më të frekuentuar në Gostivar

12.04.2018

Ashtu siç u paralajmërua dje, sot filloi rikonstruktimi i plotë i rrugëkryqit më të frekuentuar në Gostivar.

“Bëhet fjalë për rikonstruktimin e plotë të një rrugëkryqi shumë të rëndësishëm në bërthamën e qytetit të Gostivarit, me një sipërfaqe prej rreth 400 m2. Do të punohet intensivisht me qëllim që sa më shpejtë të përfundojnë punimet, që mos të ngarkohet trafiku në qytet. Shpresojmë se deri të shtunën të përfundojë”, deklaroi për mediat kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ai paralajmëroi edhe shumë projekte tjera kapitale që do të realizohen gjatë këtij viti kalendarik, e të cilat kapin shumën prej rreth 1 milion euro mjete buxhetore të komunës së Gostivarit.

“Çdo ditë do të kemi asfaltime dhe punë tjera ndërtimore, të cilat do t’i ndjekim së bashku me mediat dhe qytetarët. Janë rreth 15 rrugë në territorin e komunës së Gostivarit të cilat i kemi caktuar si prioritete për këtë vit kalendarik. Një rrugë në Debresh , një rrugë në Forinë, Llakavicë, rruga për në Tërnovë, rruga për në Padalisht, Do të riasfaltohet po ashtu edhe rruga Llakavicë-Sërmnovë. Vlen të përmendim edhe ndërtimin e kanalizimeve në fshatrat Çajlë, Çegran dhe Banjicë e Epërme, si dhe shumë projekte të tjera”, tha Taravari.

Ai sqaroi se sivjet do të ndodhin ndryshime të cilat konsideron se janë problem të realizohen madje edhe brenda një mandati të plotë katërvjeçar.

Punët ndërtimore për rikonstruktimin e plotë të kryqëzimit të bulevardit “Goce Dellçev” me rrugën “Boris Kidriç” do të përfshijnë mënjanimin e shtresës së vjetër të asfaltit, planifikimin, nivelimin dhe tamponimin e shtresës, nivelimin e pusetave dhe riasfaltimin e rrugëkryqit në sipërfaqe prej 400 metra katror.

Deri sa të zgjasin punimet, komunikacioni do të zhvillohet në kushte të vështirësuara dhe për atë periudhë luten qytetarët që ta shmangin shfrytëzimin e këtij rrugëkryqi për lëvizje me automjete.

Shërbimi për informim

NJOFTIM

11.04.2018

Lajmërohen qytetarët se nesër me fillim në ora 7:00, do të fillojnë punët ndërtimore për rikonstruktimin e plotë të kryqëzimit të rrugëve Bul. “Goce Dellçev” dhe “Boris Kidriç” (te City Center).

Punët ndërtimore do të përfshijnë mënjanimin e shtresës së vjetër të asfaltit, planifikimin, nivelimin dhe tamponimin e shtresës, nivelimin e pusetave dhe riasfaltimin e rrugëkryqit në sipërfaqe prej 400 metra katror.

Punimet do të zgjasin rreth 15 ditë dhe për këtë kohë komunikacioni do të zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa në periudha të caktuara do të jetë edhe i bllokuar.

Luten qytetarët që ta shmangin shfrytëzimin e këtij rrugëkryqi për lëvizje me automjete.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

Shërbimi për informim

Thirrje për oferta

Republika e Maqedonisë

Projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP

Grante investuese IPA

MSIP-IPA-NCB-018-18

1. Kjo Thirrje për Oferta e pason Njoftimin e përgjithshëm për prokurime për këtë Projekt të publikuar në botimin e UN Development Business, me nr. 767, të datës 31 janar 2010 (edicioni i shtypur) dhe e publikuar në mënyrë elektronike më 06 Janar 2010.

2. Republika e Maqedonisë fitoi grant nga Komisioni Evropian në kuadër të IPA fondit për investime rurale të Komisionit Evropian për rindërtim dhe zhvillim për Projektin për përmirësim të shërbimeve komunale (MSIP) dhe ka për qëllim që një pjesë të mjeteve nga kjo kredi ta shfrytëzojë për pagesa sipas kontratës për: Ndërtimin e rrugës lokale për fshatin Padalisht dhe ndërtimin e rrugës lokale për fshatin Tërnovë.

3. Komuna e Gostivarit fton ofertuesit e përshtatshëm dhe të kualifikuar që të japin oferta të vulosura për punët ndërtimore që përfshijnë Ndërtimin e rrugës lokale për f. Padalisht dhe ndërtimin e rrugës lokale për f. Tërnovë.

4. Procesi i ofertimit do të kryhet përmes procedurave për licitim publik nacional siç është specifikuar në Udhëzimin e Bankës Botërore: Prokurim me mjete të marra nga Huaja IBRD dhe Kreditë IDA, nga janari i vitit 2011 dhe është i hapur për të gjithë ofertuesit nga vendet e përshtatshme siç është definuar në dokumentacionin tenderik.

5. Ofertiesit e përshtatshëm që janë të interesuar, mund të marrin informacione shtesë në adresën e cekur më poshtë prej në ora 08:30 deri në ora 16:30.

Adresa: Rr. Vëllezërit Gjinoski nr. 61

Qyteti: Gostivar

Numri i postës: 1230

Shteti: Republika e Maqedonisë

Telefon: +389 (0) 42 214 406

Fax: +389 (0) 42 214 406

Adresa elektronike: info@gostivari.gov.mk

6. Dokumentacionin e kompletuar tenderik në gjuhën maqedonase, ofertuesit e interesuarit mund ta blejnë pas parashtrimit të aplikacionit me shkrim në adresën e dhënë më poshtë dhe pas pagesës së taksës së pakthyeshme prej 2.000,00 MKD. Metoda e pagesës do të jetë përmes formularit PP50, në llogarinë në vijim:

a) Për pagesë në denarë:

Banka: Banka Popllore e Republkiëps së Maqedonsië

Numri i llogarisë: 100000000063095

Llogaria e shfrytëzuesit buxhetor: 716014021563012

Kontoja e të radhurave: 725939 00

Dokumentacioni tenderik do të dorëzohet përmes postës elektronike ose mund të merret drejtpërsëdrejti nga Komuna e Gostivarit.

8. Ofertat patjetër të dorëzohen në adresën e më poshtme deri në ora 12:00 dt. 15.05.2018. Dorëzimi elektronik i ofertave nuk është i lejuar. Ofertat e vonuara do të refuzohen. Ofertat do të hapen fizikisht në prani të përfaqësuesve të ofertuesve të cilët do të zgjedhin të marrin pjesë personalsiht në adresëlne dhënë më poshtl në ora 12:00, dt. 15.05.2018.

9. Të gjitha ofertat patjetër të shoqërohen me Garanci bankare prej 250,000.00 MKD.

10. Adresa: Vëllezërit Gjionoski 61

Qyteti: Gostivar

Numri postar: 1230

Arkivi

Shteti: Republika e Maqedonisë

Mirëmbajtje e rregullt e sipërfaqeve të gjelbra publike

10.04.2018

Ndërmarrja publike “Parkingje dhe gjelbërime” – Gostivar, në vazhdimësi kujdeset për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra publike në territorin e komunës së Gostivarit.

Këtyre ditëve aktivitetet janë koncentruar në lagjen Maleardi dhe në afërsi të Thertores industriale “Gorni Pollog”, Në këto lokacione kositet bari dhe pastrohen mbeturinat nga sipërfaqet e gjelbra, sidomos në oborret e banesave kolektive dhe përgjatë brezit të gjelbër të bulevardit “Vëllezërit Gjinoski”.

Nga NP “Parkingje dhe gjelbërime” – Gostivar, thonë se aksionet e këtilla do të vazhdojnë në lokacione tjera, si në qytet ashtu edhe vendbanimet rurale.

Shërbimi për informim

Këshilli rinor dhe nxënësit e mjekësisë, shënuan Ditën e shëndetësisë

06.04.2018

Këshilli Rinor i komunës së Gostivarit, me rastin e 7 Prillit – Ditës ndërkombëtare të shëndetësisë, në sheshin e qytetit, organizoi sot kontrolle dhe konsultime falas për shëndetin.

Bartës i aktivitetit ishte Departamenti i shëndetësisë pranë Këshillit Rinor, ndërsa aktiviteti u realizua në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së mesme të mjekësisë dhe me përkrahje të Komunës së Gostivarit.

Me rastin e Ditës së shëndetësisë, e organizojmë këtë aktivitet ku ofrojmë matjen e shtypjes së gjakut dhe nivelit të glukozës në gjak, si dhe ofrojmë këshilla mjekësore falas për kalimtarët e rastit. E gjithë kjo bëhet me qëllim të ndërgjegjësimit të popullatës për kontrolle të rregullta dhe për të reaguar në mënyrë preventive për çrregullimet në shëndet”, sqaroi Miran Ismaili udhëheqës i Departamentit për shëndetësi pranë Këshillit rinor të komunës së Gostivarit.

Për të promovuar të ushqyerit dhe mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, organizatorët me duhanpirësit shkëmbenin cigare për mollë.

Shërbimi për informim

 

Aksion gjakdhurimi me rastin e 8 Prillit

05.04.2018

Me moton “Edhe gjaku yt mund të shpëtojë jetë njeriu”, sot në mjediset e komunës së Gostivarit u realizua një aksion gjakdhurimi. Aksioni në fjalë i organizua me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ndërsa u përkrah edhe nga Komuna e Gostivarit.

“Është ky aksioni i parë i gjakdhurimit në Maqedoni e më gjerë, që organizohet në Ditën ndërkombëtare të romëve. Krahas aspektit human, për të shpëtuar jetë njerëzisht, nëpërmjet këtij aksioni ne romët synojmë që të tregojmë se edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe duam që të jemi të barabartë me të gjithë tjerët, por edhe të kontribuojmë për shoqërinë.

Ky aksion është vetëm një prej aktiviteteve të shumta të cilat sivjet i kemi në agjendën e shënimit të festës tonë, 8 Prillit”, theksoi Bari Abduli, nëpunës në Komunën e Gostivarit.

Në aksionin e sotëm dhuruan gjak edhe administratorët komunalë, ndër të cilët edhe Seadin Ejupi – shef i kabinetit të kryetarit Arben Taravari.

Shërbimi për informim

Taravari priti Mjeshtrin e madh të arteve marciale, Bekim Nuhija

03.04.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti në kabinetin e tij Mjeshtrin e madh të arteve marciale Bekim Nuhija.

“Siç e theksoj vazhdimisht, sportistët i konsideroj ambasadorët më të mirë të një populli apo komuniteti. Një ndër ta është edhe Mjeshtri i madh i arteve marciale, Bekim Nuhija, i cili radhit sukseset një pas një në Evropë dhe në vendet tejoqeanike, duke na bërë neve si gostivaras mjaft krenarë”, theksoi Taravari.

Bekim Nuhija, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, ndërsa me prejardhje është nga fshati Reçan i Gostivarit, falënderoi kryetarin Taravari për mikpritjen e ngrohtë dhe për respektin që tregon ndaj sportistëve si dhe angazhimet e tija për të ngritur nivelin e festë sportive në Gostivar.

Për rezultatet e arritura kulmore në fushën e sporteve marciale, kryetari Taravari i ndau mirënjohje Bekim Nuhijës.

Shërbimi për informim

Gostivari shënoi Ditën Botërore e luftës kundër autizmit

02.04.2018

Dita Botërore për Luftën kundër Autizmit, në Gostivar u shënua me aktivitete të shumta. Në shënimin e kësaj dite, krahas Komunës së Gostivarit u përfshinë Qendra ditore për fëmijë me nevoja speciale – Gostivar Organizata Komunale e Kryqit të Kuq – Gostivar, SHFK “Bashkimi” – Gostivar, sektori i biznesit dhe shoqata civile dhe ekspertë nga Maqedonia dhe Shqipëria që merren me trajtimin e fëmijëve autikë.

Aktivitetet filluan me një marshim për ndërgjegjësimin për luftë kundër autizmit, prej Qendrës ditore deri te sheshi i qytetit ku restoranti “New Albis” nga Gostivari, ndau 70 procione me ushqim për fëmijët autikë. Pjesëmarrësit në marsh mbanin bluza me moton“Shine on light of autism” (Rreze drite për autizmin)

Në SHFK “Bashkimi”, në bashkëpunim me OK KK – Gostivar u organizua një treg bamirësie ndërsa fondet e mbledhura janë destinuar për të ndihmuar një familje të varfër me një fëmijë me nevoja të veçanta.

Aktivitete për të shënuar Ditën Botërore kundër autizmit u finalizuan me një ligjëratë në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit në temë: Të tejkalojmë dallimet, të njohim njëri-tjetrin”. Ligjëratë u ndoq nga përfaqësues të Sektorit për veprimtari publike të Komunës së Gostivarit, pedagogët dhe psikologët e shkollave fillore komunale, defektologët dhe logopedët nga rajoni i Gostivarit, si dhe prindërit e fëmijëve me autizëm, ndërsa ligjërues ishin ekspertë të njohur nga qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me autizëm në Shqipëri.

Vlen të përmendet se aktivitetet për hapjen e Qendrës për fëmijët autikë në objektin e Konviktit komunal të nxënësve “Branko Stanoeviq” – Gostivar kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të vihet në funksion.

Shërbimi për informim