Tamponohet një rrugë në lagjen Mllaki

15.01.2018

Ndërmarrja publike “Komunalec” është duke realizuar një projekt në lagjen Mllaki, ku bëhet nivelimi dhe tamponimi i një rruge.

Kjo rrugë është me gjatësi prej 180 metrash dhe me gjerësi prej 3,5 metrash. Banorët e kësaj lagjeje ballafaqoheshin me baltë dhe pluhur, dhe ishte kërkesë e tyre që të intervenohet si një zgjidhje e përkohshme duke e shtruar me tampon këtë rrugë”, thekson drejtori i NP “Komunalec” – Gostivar, Isak Lazami.

Projekti në fjalë financohet në tërësi nga ana e NP “Komunalec”.

Shërbimi për informim

Kryetari Arben Taravari vizitoi Forinën – paralajmëron fillimin e realizimit të dy projekteve kapitale

12.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot fshatin Forinë, me ç’rast pas faljes së namazit të xhumasë, bashkëbisedoi me banorët e këtij fshati.

Siç e dini, rregullisht ditëve të marta pranoj qytetarë në zyrë, ndërsa prej sot fillojmë që çdo të premte të vizitojmë fshatra dhe lagje të ndryshme të komunës së Gostivarit, për të bashkëbiseduar me banorët lokalë në lidhje me të gjitha premtimet e dhëna para dhe gjatë fushatës. Do t’i regjistrojmë edhe një herë ato dhe do të shqyrtojmë shohim se çka dhe si do të mund ta realizojmë, respektivisht do të ndërmarrim hapa konkrete për realizimin e tyre”, theksoi Taravari.

Banorët e fshatit Forinë e njoftuan kryetarin e komunës në lidhje me problemet e natyrave të ndryshme me të cilat ata ballafaqohen.

Prej sfidave me të cilat do të ballafaqohemi për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimit lokal në fshatin Forinë, prioriteti do t’i japim rikonstruimit të rrugës Çajlë -Forinë. Realizimi i punëve ndërtimore në këtë aks rrugor do të fillojë shumë shpejtë, dhe kjo në saje të një granti. Ndërsa prioriteti i dytë, është është asfaltimi i një rruge në brendi të fshatit Forinë”, informon kryetari Taravari.

Kryetari i komunës së Gostivarit, po ashtu bëri me dije se të premten tjetër do ta vizitojë Lagjen e Re në qytetin e Gostivarit. Ndërsa pas dy javësh do të takojë banorët e fshatit Banjicë e Epërme.

Vizitat e këtilla do të realizohen kryesisht pas faljes së namazit të xhumasë.

Shërbimi për informim

Hapa konkrete për ndërtimin e rrugëve lokale në Tërnovë dhe Padalisht

11.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe Besim Dogani – udhëheqës i Zyrës për zhvillim ekonomik lokal, realizuna sot një takim pune me konsulentët Edin Mehmeti dhe Aleksandar Ivanovski.

Në takimin me konsulentët për mbikëqyrjen e projekteve të BE-së në kuadër të komponentit IPA, u bisedua në lidhje me dy projekte të rëndësishëm që duhet të realizohen në komunën e Gostivarit nëpërmjet EU IPA grantit, respektivisht ndërtimi i rrugëve lokale në fshatrat Padalisht dhe Tërnovë

Me ndërtimin e këtyre rrugëve synohet që në këtë pjesë të Malësisë së Gostivarit të krijohet biznes klimë e volitshme për zhvillim të agrikulturës, bujqësisë, pylltarisë dhe cilësisë së furnizimit me ujë, si dhe zhvillimit të turizmit dhe hotelierisë rurale.

Vlera e projektit për rrugët në fjalë pa TVSH është 7.314.814,80 denarë, në kundërvlerë 118.940 euro, ndërsa financimi bëhet tërësisht përmes EU IPA grantit.

Ndërtimi i këtyre rrugëve lokale në Tërnovë dhe Padalisht, është pjesë e programit zhvillimor të komunës së Gostivarit, të gjitha procedurat janë përfunduar, ndërsa punët ndërtimore do të nisin në pranverën e këtij viti.

Po ashtu, përfaqësuesit e ZHEL informuan konsulentët se në kuadër të projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve komunale MSIP 2 të shpallur nga Ministria e Financave, komuna tashmë ka dorëzuar projektet “Asfaltimi i rrugëve lokale f. Forinë – Çajlë e Vjetër” dhe “Ndërtimi i rrugës lokale në fshatin Turçani i Vogël deri në f. Turçan i Madh”, me vlerë 16,400.000,00 denarë.

Shërbimi për informim

Fushata “E vërteta për BDI-në”, zbardhen keqpërdorimet në NP “Komunalec” – Gostivar

11.01.2018

Udhëheqësit e Ndërmarrjes publike “Komunalec”, mbajti sot konferencë për shtyp me ç’rast në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, shpalosi një pjesë të keqpërdorimeve të bëra në mandatin e shkuar nga kuadrot e BDI-së.
“Do t’ju njoftojmë sot vetëm me keqpërdorimet që janë bërë në Njësinë punuese Mekanizimi, ndërsa me keqpërdorimin në njësitë tjera të ndërmarrjes komunale do t’ju njoftojmë në press konferencat e radhës”, theksoi zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje Mirtezan Selimi.

Ai numëroi 13 keqpërdorime të bëra të cilat i ka konstatuar revizioni i brendshëm, dhe të cilat i dëshmojnë edhe vetë të punësuarit në këtë njësi të ndërmarrjes.
“Mungojnë thika për pastrim të borës, të cilat me dijeninë e ish udhëheqësisë së Komunës i ka marrë një firmë e afërt me ta. Një traktor për pastrimin e borës me gjithë thikën është marrë me urdhrin e ish drejtorit dhe tani gjendet në punëtorinë për mekanizmin në fshatin Zdunjë. Dy muaj para zgjedhjeve lokale është shitur një buldozer në gjendje të rregull i markës Tege Dreser. Një javë para zgjedhjeve është shitur edhe një eskavator ICB, ndërsa ish shoferi i drejtorit të ndërmarrjes ka marrë një kiper të markës Mercedes”, njoftoi Selimi.

Më pas ai njoftoi edhe për marrjen e automobilit Volvo në gjendje të rregullt të cilin po ashtu e ka shfrytëzuar një vjet e gjysëm ish shoferi i drejtorit, ndërsa e ka kthyer vetëm guacën (karrocerinë).
“Mungon edhe automobili Mercedes me ngjyrë të verdhë dhe një automobil i markës Honda Akord për të cilët nuk kemi dijeni se ku gjenden. Ndërsa një veturë Lada edhe sot e kësaj dite gjendet te një ish i punësuar në fshatin Reçan”, nënvizoi Selimi.

Ai më pas numëroi edhe disa makina pune, pronë e kësaj ndërmarrjeje, të cilat po ashtu mungojnë ose janë dhuruar në mënyrë të paligjshme.
“Makinën për shenjëzim të rrugëve e ka marrë ish udhëheqësi i Departamentit për komunikacion pranë Komunës së Gostivarit, kuadër i BDI-së. Po ashtu nuk kemi dijeni se ku gjendet freza për prerje të asfaltit, ndërsa mungojnë edhe mjete tjera pune për punë të përditshme. Në mënyrë të paligjshme, Stacionit të Policisë në Gostivar i janë dhuruar 29 piramida për bllokim të rrugës gjatë punimeve”, sqaroi Selimi.

Drejtori i ndërmarrjes, Isak Lazami njoftoi gazetarët se për momentin nuk mund të caktohet vlera e saktë për dëmin e shkaktuar, por se nga të dhënat e paraqitura, edhe vetë qytetarët mund të konstatojnë se bëhet fjalë për një dëm të madh, sidomos kur kihet parasysh gjendja e vështirë financiare-materiale e ndërmarrjes.

Lazami bëri po ashtu me dije se ata si ndërmarrje e kanë për obligim të detektojnë keqpërdorimet e bëra, ndërsa ftoi organet kompetente të hetuesisë dhe gjyqësisë që t’i kryejnë procedurat e mëtutjeshme në përputhje me ligjin.

Shërbimi për informim

Dixhejët gostivaras u pritën nga kryetari Taravari

09.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, priti sot Jeton Kadriun (DJ Dark Child), Ilir Selimin (DJ Knockout) dhe Xhelal Lushin (DJ Chronic).

Dixhejët e njohur gostivaras, shprehën gatishmërinë e tyre për organizimin e evenimente të ndryshme dedikuar rinisë së Gostivarit, për çka kërkojnë edhe mbështetjen e Komunës së Gostivarit.

Ata njoftuan kryetarin Taravari se tashmë janë në fazën përgatitore të një Festivali veror, si dhe planifikojnë organizim e pritjes së Vitit të Ri në sheshin e qytetit me artistë gostivaras.

Kryetari Arben Taravari i njoftoi ata se udhëheqësia e Komunës së Gostivarit, në këtë mandat do t’i kushtojë vëmendje të posaçme aktiviteteve kulturore-arstistike dhe rekreativezbavitëse, me theks të veçantë rininë.

Komuna e Gostivarit, po ashtu, do të jetë e hapur për bashkëpunim në këtë drejtim, jo vetëm me shoqata qytetare por edhe me grupe joformale, si dhe me individë të cilët janë aktivë në avancimin e e jetës kulturore shoqërore në komunën tonë”, nënvizoi kryetari Taravari.

Shërbimi për informim

Taravari filloi fushatën “E vërteta për BDI-në”

05.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ashtu siç paralajmëroi paraprakisht, ka filluar sot fushatën e quajtur “E vërteta për BDI-në”, në kuadër të së cilës në vazhdimësi do të mbajë press-konferenca në të cilat do të shpalosen të gjitha abuzimet e bëra nga ana e ish udhëheqësisë së Komunës së Gostivarit, dhe që i ka konstatuar revizioni i brendshëm.

“Kemi plot skandale, duke filluar nga policia, arsimi, sfera e urbanizmit, puna e administratës komunale, e kështu me radhë. Tashmë kanë përfunduar disa revizione të brendshme, disa janë në rrjedhë, ndërsa me revizione do të vazhdohet deri në detektimin e abuzimit të fundit. Sot do të shpalosi para jush rastin e kafiterisë te NPEOS “Rinia” – Gostivar. Ky lokal, i është dhënë me qira personit Gazi Fejzi për një kompensim prej vetëm 5.000 denarë në muaj edhe atë në kohëzgjatje prej 20 vitesh. Ndërsa më skandaloz është fakti që me këtë kafiteri bllokohet hyrja e palestrës sportive e cila në ndeshjet basketbollistike të ligës së parë tubon mbi 2000 spektatorë të cilëve u rrezikohet siguria. Puna e dytë, e njëjta kjo kafiteri shfrytëzon rrymën dhe ujin e palestrës sportive, pra ato i paguajnë qytetarët e Gostivarit” theksoi Taravari për të shpalosur më tutje edhe një të vërtetë tjetër, se me mjete të Ndërmarrjes publike, janë paguar edhe disa tatime dhe taksa për kafiterinë.

Kryetari Taravari, u ndau gazetarëve materialet e nevojshme, respektivisht kontratën, përmes së cilës gazetarët dhe qytetarët mund të binden në pohimin e tij, duke i informuar ata se do të bisedojë me drejtorin e ri të Palestrës sportive, të përpiqet ta prishë kontratën me menaxhuesin e kafiterisë. Ndërsa, sa i përket masave që di të ndrërmerr, ai tha se në ingerencë të komunës është që përmes revizionit të konstatohen abuzimet dhe të sinjalizohen organet kompetente hetuese. Më pas, ju mbetet atyre që të ndërmarrin masa për ngritjen e përgjegjësisë.

Krahas kësaj, kryetari i komunës së Gostivarit, në lidhje me akuzat nga ish kryetari Bejta për buxhetin e propozuar për vitin 2018 bëri të ditur se:

“Për kabinetin tim kam paraparë rreth 15 mijë euro më pak se sa ish kryetari Nevzat Bejta për vitin 2017, ndërsa edhe shpenzimet tjera joproduktive të parapara për buxhetin e këtij viti janë në nivel më të ulët krahasuar me buxhetet e viteve të kaluara”.

Në konferencën për shtyp, kryetari Taravari u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.

Në lidhje me atë se sa janë gjasat që të mbahet seancë këshilli dhe të miratohet buxheti, Taravari me përgjigje: “Zotëri Nasir Musliu kërkon prej meje konstruktivitet. Sa i përket z. Musliu, ai është një zotëri në plotkuptimin e fjalës. Njerëz të tillë ka plot në BDI, por unë e di se tash dega e kësaj partie në Gostivar është në proces të zgjedhjeve , ka fraksione, janë të përçarë, kanë presione prej individit i cili duhet të largohet prej jetës politike dhe sipas të gjitha gjasave do të duhet të përgjigjet. Unë jam i hapur për bashkëpunim, do të ulemi të bisedojmë dhe do t’i bëjmë të gjitha punët që mund t’i bëj unë si kryetar komune që ta tejkalojmë këtë ngërç. Ngërçi dihet ku është, Nuk thirrin seancë, nuk vijnë në mbledhje. U dërgova një shkresë dje ku kërkoj të konvokohet seanca dhe shpresoj se do ta mbajmë këtë mbledhje“, nënvizoi mes tjerash Taravari.

Shërbimi për informim

Demiri i bëri dhuratë foshnjës së parë të lindur në Gostivar në vitin 2018

05.01.2018

Shefi i protokollit të kryetari të komunës së Gostivarit, Jasin Demiri priti sot prindërit e foshnjës së parë të lindur në vitin e ri në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” në Gostivar.

Prindërit e vogëlushes e njoftuan Demirin se foshnja është mirë me shëndet dhe se përparon në zhvillim.
Në emër të kryetarit të komunës Arben Taravari, Demiri i bëri dhuratë dhe ndau një shumë të caktuar mjetesh financiare për vogëlushen. Ai uroi që viti 2018 të jetë një vit rikthimi në natalitet, i cili fatkeqësisht viteve të fundit ka shënuar rënie të vazhdueshme.

Ndryshe, foshnja e parë është e gjinisë femërore, lindi mëngjesin e 1 janarit në ora 5:50, me peshë 3,750 kilogram dhe gjatësi 54 centimetra, ndërsa prindërit ia dhanë emrin Dijara.

Shërbimi për informim

Takim Taravari – Sela, apel të ndërpriten inatet politike

03.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij kryetarin e Aleancës për Shqiptarë, njëherit dhe deputet në Kuvendin e RM-së Ziadin Sela.

Kryetari Taravari e njoftoi z. Sela me gjendjen aktuale në Komunën e Gostivarit, me ç’rast potencoi se për sa i përket ekipimit dhe menaxhimit me komunën në pjesën që nuk varet nga faktorë të tjerë, punët lëvizin nga e mbara dhe se ai uron që problemet me të cilat ballafaqohet, të tejkalohen dhe të punohet në mënyrë sa më efikase në interes të komunës së Gostivarit dhe qytetarëve të saj.

Pas takimit, z. Taravari dhe z. Sela organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp ku kryetari i komunës Taravari ripërsëriti apelin e tij për debllokim të funksionimit të komunës së Gostivarit duke miratuar buxhetin për vitin 2017.

Ndërkaq kryetari i ASH-së duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske drejtoi kritika ndaj politikave të kryeministrit Zoran Zaev, duke nënvizuar se pikërisht Gostivari është qyteti i cili demanton Zaevin i cili premtoi “Një shoqëri për të gjithë” dhe “Jetë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”. Sela me këtë rast tha se kjo nuk vërehet në Gostivar, përkundrazi, Gostivari vazhdon të diskriminohet nga pushteti aktual dhe ballafaqohet me shumë probleme politike.

“Në cilësinë e një kryetari edhe në opozitë, erdha të shoh qytetin e Gostivarit dhe simbolikisht përfaqësuesin e rreth 100 mijë banorëve të cilët janë të përjashtuar nga ai koncepti “Një shoqëri të përbashkët për të gjithë”, dhe në të njëjtën kohë i bëj apel kryeministrit që fjalia “shoqëri e përbashkët për të gjithë” këtu në Gostivar nuk vlen, sepse janë 100 mijë banorë të cilët i kanë lënë jashtë këtij koncepti duke vazhduar që të çojnë inate politike bashke me partnerin e tij BDI-në dhe duke lënë komunën e Gostivarit pa buxhet dhe pa perspektivë”, deklaroi Sela.

Edhe ai apeloi deri tek këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së që të tejkalojnë vetveten, t’i lënë anësh inatet politike dhe t’i venë interesat e qytetarëve para atyre partiake.

Ishte kjo vizita e parë zyrtare e Ziadin Selës në komunën e Gostivarit, prej kur Arben Taravari erdhi në postin e kryetarit të komunës.

Shërbimi për informim 

Qytetarëve të Gostivarit iu prezantua propozim-buxheti i komunës për vitin 2018

03.01.2018

Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarje në pushtetit lokal, dje në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u bë prezantimi i propozim-buxhetit të komunës për vitin 2018 dhe u zhvillua debat mbi të njëjtin.

Kryetari i komunës Arben Taravari i njoftoi të pranishmit se buxhetin e ka përpiluar udhëheqësi i Departamenti për buxhet dhe kontroll, Sadri Elezi duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga të gjithë sektorët dhe departamentet e Komunës, ndërmarrjet publike, shkollat e fillore dhe të mesëm, si dhe kopshtet e fëmijëve. Me këtë rast ai ripërsëriti publikisht ftesën që sa më shpejtë të mbahet seanca e Këshillit komunal dhe në rend dite të vihet propozim-buxhtei i komunës.

Ftoj këshilltarët që përbëjnë 16-shen, që ta mbajmë seancë, të debatojmë në lidhje me buxhetin e propozuar, më pas edhe ta miratojmë atë dhe kështu ta bëjmë funksionale komunën. Le të shërbejë si shembull pozitiv Këshilli i komunës së Tetovës, ku edhe pse kryetarja aktuale e komunës së Tetovës Teuta Arifi nuk ka shumicë, këshilltarët e Aleancës e votuan buxhetin e propozuar dhe ai u miratua”, theksoi Taravari.

Buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2018 paraqet plan vjetor të të ardhurave dhe shpenzimeve të cilat janë përfshirë në buxhetin themelor, buxhetin nga aktivitetet e vetëfinancimit, donacionet, dotacionet dhe kreditë. I njëjti është planifikuar në 1.032.863.000 denarë (rreth 16.8 milion euro) e që krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar është për 6,3% më i ulët. Përpiluesi i buxhetit Sadri Elezi njoftoi se kjo ulje paraqitet shkaku asaj se planifikimi i buxheti sivjet është shumë real dhe se pret që realizimi të jetë në nivel prej 95%.

Buxheti themelor është planifikuar në 356.000.000 denarë, prej të cilave 32,20% e të ardhurave priten të vijnë nga taksat komunale, 30% nga transferet dhe 19% nga tatimi në pronë. Sa i përket shpenzimeve të planifikuara nga buxheti themelor, karakteristik është fakti se për shpenzime kapitale janë planifikuar 120.700.000 denarë ose rreth 34%, që paraqet një përqindje të lartë kur kihet parasysh se mesatarisht në komunat e Maqedonisë kjo sillet rreth15-20%”, nënvizoi Elezi.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit, nga buxheti i saj ndan rreth 700 mijë euro për shpenzime rrjedhëse dhe kapitale për arsimin fillor, arsimin e mesëm dhe kopshtet e fëmijëve shkaku asaj se mjetet nga dotacionet që vijnë nga pushtetit qendror janë të pamjaftueshme. Situatën e rëndon fakti që nga dotacionet vetëm 5% e mjeteve dedikohen për shpenzime, ndërsa 95 % shkojnë për rroga dhe kompensime.

Për manifestime kulturore, sport dhe rekreacion si shpenzime rrjedhëse dhe kapitale janë planifikuar 8.200.000 denarë (rreth 135 mijë euro).

Pas prezantimit të buxhetit të planifikuar u zhvillua një debat i gjerë. Të gjitha vërejtjet dhe propozimet e qytetarëve të pranishëm u shënuan dhe ato që do të vlerësohen si të arsyeshme do të merren parasysh dhe do të shpalosen në seancë.

Shërbimi për informim

Lajmërim

03.01.2018

Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se me ndryshimet e Ligjit për veprim me objektet e ndërtuara pa leje (Gaz.Zyr nr.190/2017), pronarët e objekteve të cilat kanë mbaruar së ndërtuari përfundimisht më 3 mars të vitit 2011 dhe që paraqesin tërësi ndërtimore dhe funksionale, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për përcaktimin e statusit juridik të objektit të ndërtuar pa leje nga data 01.012018 deri më datë 30.06.2018.

Kërkuesit të cilëve deri në ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji, u është refuzuar kërkesa për shkak të dokumentacionit të pakompletuar të përcaktuar me nenin 6, 7 dhe 8 të Ligjit për veprim te objekteve të ndërtuara pa leje (Gaz.Zyrtare nr. 23/11, 54/11, 155/12, 53/11, 72/13, 44/14, 115/14, 199/14, 124/15, 129/15,217/15 dhe 31/16) mund të dorëzojnë kërkesë të re në afat prej gjashtë muajsh nga dita e fillimit të zbatimit të ndryshimit të këtij ligji, konkretisht deri më datë 30.06.2018.

Kërkuesit të cilët nuk kanë dorëzuar elaborat gjeodezik për përcaktimin e gjendjes faktike të objektit të ndërtuar pa leje në afatet nga neni 15 paragrafi (2) dhe neni 17 të Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për veprim me objektet e ndërtuara pa leje (Gaz. Zyrtare nr.217/15), konkretisht kërkuesit të cilët kanë bërë kërkesa për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në vitet 2015/2016, mund të dorëzojnë elaborat gjeodezik për përcaktim të gjendjes faktike të objektit pa leje, më së voni deri më 30.06.2018.

Me respekt,

Sektori i urbanizmit – Komuna e Gostivarit