“E vërteta për BDI-në”- Taravari: Tokën ndërtimore në Gostivar e kanë shitur me çmime qesharake

01.02.2018

Në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një konferencë për shtyp prezantoi një pjesë të keqpërdorimeve që janë bërë në sferën e urbanizmit gjatë mandatit 2013-2017 në komunën e Gostivarit.

“Rasti i parë ka të bëjë me shitjen e tokës ndërtimore, pronë e komunës së Gostivarit, te zona industriale në dalje të qytetit në drejtim të Tetovës. Shitja e tokës ndërtimore është bërë me çmime qesharake prej 211, 500, 550 dhe 1.600 denarë për metër katrorë. Paramendoni, për 3,50 euro (211 denarë) për metër katror tokë ndërtimore, miku i shefit të kabinetit të ish kryetarit Nevzat Bejta, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 7559 m2. Për 500 denarë për metër katrorë, një person po ashtu i afërt me ish kryetarin e komunës së Gostivarit, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 2178m2. Për 550 denarë për metër katrorë person po ashtu i afërt me ish kryetarin e komunës së Gostivarit, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 1940m2. Ndërsa me çmim prej 1600 denarë për metër katrorë, që po ashtu është çmim më pak se gjysma e çmimit real për këtë zonë, është shitur edhe një parcelë me sipërfaqe 3533m2”, theksoi Taravari.

Si rast tjetër, po ashtu skandaloz, Taravari e përmendi përpunimin e projekteve nga ana e Byrove projektuese, ku mbi gjysmën e projekteve për ndërtesat kolektive banesore i kanë përgatitur vetëm tri shtëpi projektuese, ndërsa numri i byrove të këtilla në Gostivar është mjaft i madh.

“Konkretisht, prej gjithsej 46 banesave kolektive një Shtëpi projektuese shume e afërt me ish kryeshefin e urbanizimit ka përgatitur projekte për 16 prej tyre, në vlerë prej 329.732 euro në total. Një shtëpi tjetër projektuese për 6 projekte të përpunuara ka siguruar mjete në lartësi prej 179.334 euro. Ndërsa një tjetër firmë ka punuar projekte për 3 banesa kolektive duke përfituar 103.368 euro. Duke pasur parasysh se kjo është vetëm një pjesë e keqpërodirmeve të bëra në sferën e urbanizimit, çdo koment është i tepërt”, theksoi kryetari Taravari.
Ai, gazetarëve ua prezantoi edhe dokumentet që dëshmojnë atë që u cek, si dhe i njoftoi ata se në lidhje me keqpërdorimet në sferën e urbanizimit do të organizohen edhe press konferenca tjera.

Për konferencën e radhës për shtyp, Taravari paralajmëroi se ajo do t’i kushtohet abuzimeve në sferën e financave në Komunën Gostivarit, respektivisht lukseve që i ka bërë ish kryetari me paratë e qytetarëve.

Shërbimi për informim

Krasiten drutë në rrugën Çajlë – Forinë, mundësohet qarkullimi i lirshëm i automjeteve

31.01.2018

Gjatë vizitës së kryetarit Arben Taravari në fshatin Forinë, të realizuar paradokohe, banorët e kësaj ane shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me rrugën Çajlë-Forinë, ku degët e drunjve përskaj rrugës pengojnë qarkullimin e lirë të automjeteve.

Me urdhër të kryetarit Taravari, Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” është duke realizuar krasitjen e drunjve në gjithë gjatësinë e rrugës.

“Në këtë segment të rrugës rajonale, që njëherit është edhe më i ngushtë, degët e drunjve përskaj rrugës, zvogëlojnë dukshmërinë, e sidomos vështirësojnë qarkullimin e automjeteve të kategorive më të mëdha, me çka rrezikohet edhe siguria në trafikun rrugor. Me kërkesë të banorëve të kësaj ane dhe me urdhër të kryetarit Arben Taravari, e ndërmorëm këtë aksion dhe i njëjti është para përfundimit”, theksoi drejtori i ndërmarrjes, Muzafer Zulbeari.

Vlen të theksohet se rruga Çajlë-Forinë është segment i rrugës rajonale Gostivar-Çegran-Tetovë që është në kompetencë të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Por, për shkak të neglizhencës së kësaj ndërmarrjeje, Komuna e Gostivarit, me qëllim që të mos pësojnë qytetarët, është e detyruar që të bëjë intervenime të caktuara me mjete vetanake.

Shërbimi për informim

Një delegacion nga Komuna e Gostivarit vizitoi Qendrën për Autizëm në Tiranë. Drejtoresha Berisha premton përkrahje profesionale

31.Janar.2018

Udhëheqësja e Departamentit për Arsim në Komunën e Gostivarit, znj. Aslian Snopçe e shoqëruar nga një grup profesionistësh për fëmijë me aftësi të kufizuara në përbërje Samir Grble – defektolog, Arta Arifi Kreci – psikologe, dhe Genc Taravari – logoped, qëndruan për vizitë në Qendrën për Autizëm në Tiranë.

Me këtë rast, delegacioni u prit nga drejtoresha e qendrës, zonja. Liri Berisha.

Gjatë takimit, zonja Berisha shprehu gatishmëri për të ndihmuar kuadrot dhe institucionet nga Komuna e Gostivarit në drejtim të organizimit të trajnimeve dhe seminareve profesionale, plan – programeve, materialeve dhe literaturës profesionale.

Udhëheqësja e Departamentit për Arsim në Komunën e Gostivarit, znj. Aslian Snopçe, vizitën në Tiranë e vlerësoi mjaft produktive, duke shprehur bindjen që ky bashkëpunim do të jetë frytdhënës dhe në dobi të institucioneve, kuadrove dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në Komunën e Gostivarit.

Shërbimi për informim

Thellohet bashkëpunimi mes Gostivarit dhe Akhisarit (Turqi), paralajmërohen investime konkrete

30.01.2018

Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari i shoqëruar nga përgjegjësi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, z. Besim Dogani, biznismeni, z. Hajber Taravari dhe koordinatori i vizitës, z. Gëzim Haxhi Ejupi, gjatë vizitës në Republikën e Turqisë vizituan Komunën e Akhisarit.
Me këtë rast, delegacioni nga Komuna e Gostivarit u takua me Kryetarin e Akhisarit, z. Salih Hızlı, ndihmësit e tij, z, Latif Çakmak dhe z, Ömer İşçi, drejtori për Marrëdhënie me Publikun, z. Ibrahim Topaloğlu, si dhe kryetari i partisë, AK për Akhisarin, z. Ibrahim Sayin.

Kryetari i Akhisarit, z. Salih Hızlı fillimisht uroi Kryetarin Taravari për zgjedhjen e tij në krye të Komunës së Gostivarit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim mes dy institucioneve që drejtojnë.
Temë e takimit ishte shkëmbimi i përvojave pozitive, me theks të veçantë në përpilimi dhe impementimin e projekteve.

Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera në kompetencë të Pushtetit Lokal.
Në frymën e intensifikimit të bashkëpunimit institucional, drejtuesit e Komunës së Akhisarit ndanë donacion për Ndërmarrjen Publike “Komunalec”. Bëhet fjalë për 50 palë veshmbathje me dedikim për punonjësit e ndërmarrjes.
Gjatë takimit u ra dakord që brenda muajt mars apo prill, të bëhet vizitë kthyese në Komunën e Gostivarit. Pjesë e delegacionit do të jenë edhe biznesmenë nga rajoni i Akhisarit, kurse qëllimi i vizitës do të jetë shqyrtimi i mundësive për investime konkrete në territorin e Komunës së Gostivarit.

Kryetari, z. Arben Taravari, potencoi që qyteti i Gostivarit është simbol i qyteteve multikulturore ku jetojnë në harmoni të plotë më tepër komunitete.

Në fund të takimit, nikoqiri, z. Salih Hızlı Kryetarit Taravari i dhuroi një dhuratë simbolike prej porcelani të punuar nga Punëtoria e Artit të Komunës, si dhe një fanellë të ekipit të futbollit të qytetit të Akhisarit. Për këmbim, Kryetari Taravarit nikoqirit i dhuroi simbolin e qytetit të Gostivarit.

Gjatë vizitës në Akhisar, delegacioni nga Komuna e Gostivarit mori pjesë në inaugurimin e stadiumit të ri të qytetit.
Kujtojmë që Komuna e Gostivarit dhe Komuna Akhisar e Republikës së Turqisë, prej vitesh janë binjakëzuar.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari takoi ambasadorin gjerman, z Tomas Gerberih, premtohet bashkëpunim dhe mbështetje maksimale

30.Janar.2018
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z, Tomas Gerberih qëndroi për vizitë zyrtare në Komunën e Gostivarit, dhe u takua me Kryetarin, z. Arben Taravari.
Gjatë takimit miqësor në kabinetin e Kryetarit, u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet Komuna e Gostivarit, me theks të veçantë për problemet e krijuara nga mosmiratimi i buxhetit komunal.

Kryetari Taravari e njoftoi ambasadorin Gerberih për projektet kapitale që pritet të realizohen brenda kohës në Komunën e Gostivarit, siç janë projekti për Deponinë e qytetit, si dhe sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Gjatë takimit, ambasadori Gerberih premtoi bashkëpunim dhe mbështetje maksimale, ndërsa u ra dakord që kontakti të jetë permanent dhe në dobi të një bashkëpunimi korrekt dhe të ndërsjellë.

Pas takimit në Komunë, vizita vazhdoi ne Spitalin e përgjithshëm “Ferid Murad”, në Gostivari, me ç’rast u vizitian repartet dhe u panë nga afër investimet e kryera si donacion nga shteti gjerman.

Shërbimi për informim

Taravari: Arsimi në mandatin e shkuar – mësimdhënësit janë paguar edhe për Facebook

25.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari mbajti sot konferencë për shtyp me ç’rast, në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, shpalosi dështimet dhe keqpërdorimet e bëra në mandatin e shkuar në sferën e arsimit në komunën e Gostivarit. Ai njoftoi se për sot ka përzgjedhur sferën e arsimit, i nxitur nga prononcimi i djeshëm në media të disa ish punonjësve arsimorë, militantë partiakë, për kinse zëvendësimin e tyre me kuadër joadekuat.

“Në vitin 2013, militantët partiakë të asaj kohe, në të njëjtën periudhë të vitit kanë larguar 166 persona me vendime dhe me kontratë, të cilët i kemi me emër dhe mbiemër. Ndërsa tani, prej gjithsej 147 të punësuarve me kontratë, 117 kanë mbetur në punë, ndërsa vetëm 30 janë zëvendësuar me kuadër të ri. Kjo do të thotë se 80 % kanë mbetur të njëjtit, ndërsa janë zëvendësuar vetëm 20% e tyre, edhe atë kryesisht shkaku asaj se nuk kanë qenë kompetentë për lëndët të cilat i kanë ligjëruar”, shpjegoi Taravari.

Ai, në konferencën e sotme për shtyp, shpalosi edhe shumë raste të zbatimit jo të plotë të Ligjit për kontabilitet dhe shfrytëzuesve buxhetorë, që e dëshmojnë revizionet e brendshme në shkollat publike të Gostivarit.

“Në SHF Liria të Vërtokut, janë paguar fatura me vlerë marramendëse për celularët zyrtarë, të cilat jua dorëzoj në dispozicion. Në bazë të Raporti të revizionit për periudhën 06.11.2016 – 16.11.2017 nga ana e inspektoratit një shkollë është vlerësuar me notë 2,25. Në Shkollën e mesme teknike, revizioni i brendshëm që e ka bërë ish kryetari i komunës për periudhën 03.03. – 29.03.2017, ka treguar zbatim jo të plotë të ligjit për kontabilitet. Pagesa për kontratë në vepër në vlerë prej 397 mijë denarë, për të cilët mungojnë raporte për personat e angazhuar me punë”, nënvizoi kryetari Taravari duke u ofruar gazetarëve edhe dëshmitë për këtë.

Më pas ai përmendi një rast eklatant në Shkollën e mesme teknike, ku ka qenë i punësuar një person joadekuat për lëndën e informatikës, i cili ka pasur të kryer biznesin

“Ky person ka qenë i angazhuar 4 orë për mbështetje informatike, 4 orë për testim ekstern, 3 orë për fotokopje dhe, paramendoni, 2 orë për Facebook. Normalisht ky person nuk mund të mbahet në punë. Një rast tjetër, instruktor i mësimit praktik ka qenë me shkollë të bio-kimisë. Ndërkaq në SHF Çajla është harxhuar naftë, paramendoni, në vlerë prej 600 euro për makinën e kositjes”, theksoi Taravari.

Kryetari i komunës së Gostivarit, përmendi edhe raste të nepotizmit, me ç’rast nënvizoi rastin në SHF Gjon Buzuku në fshatin Sërmnovë, ku një familje kontrollon gjithë shkollën. Ish drejtori ka punësuar si sekretareshë kunatën e vet, ndërsa në po këtë shkollë janë punësuar edhe vëllai i tij dhe disa familjarë të tij.

Shërbimi për informim

Komuna ndihmon financiarisht një familje në nevojë nga Gostivari

22.01.2018

Afërdita Hamza nga kabineti i kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, vizitoi sot familjen tre-anëtarëshe Josifoski nga lagja “Tullana” e Gostivarit, e cila përballet me probleme të mëdha financiare dhe shëndetësore.

Familja Josifoski e njoftoi znj. Hamza se ata jetojnë me një ndihmë sociale prej 2.300 denarësh, shtëpinë e kanë në gjendje shumë të keqe dhe se krahas kësaj vajza e tyre është e me aftësi të kufizuara dhe e sëmurë, ndërsa trajtimin e saj mjekësor ata nuk mund ta përballojnë financiarisht.

Znj. Hamza e njoftoi familjen Josifoski se Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në përputhje me kompetencat e tij, do të sjellë vendim për ndarjen e ndihmës financiare.

Ndryshe, në ndihmë të familjes Josifoski ka dalë edhe Bashkësia lokale “Tullana” të cilët do t’ia meremetojnë shtëpinë, ndërsa qytetarët kanë organizuar edhe aksione humanitare për grumbullim të mjeteve financiare dhe produkteve ushqimore.

Shërbimi për informim

Taravari vizitoi NP Komunalec, u njoftua nga afër me sfidat e ndërmarrjes

22.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, vizitoi Ndërmarrjen Publike “Komunalec” me ç’rast nga afër u njoftua me sfidat me të cilat përballet kjo ndërmarrje.

Drejtori i ndërmarrjes Isak Lazami e njoftoi kryetarin Taravari, se si pasojë e menaxhimit të keq në mandatin e shkuar kjo ndërmarrje ballafaqohet me shumë probleme, sidomos në aspektin financiar dhe material. Ai, po ashtu e njoftoi kryetarin se për këto dy-tre muaj sa është në krye të ndërmarrjes ka arritur të krijojë një ekip efikas menaxherial dhe se punët kanë filluar të marrin të mbarën, duke realizuar edhe disa projekte të rëndësishme krahas aktiviteteve të përditshme.

Kryetari Taravari e inkurajoi drejtorin Lazami për punën që bën, duke e siguruar atë se do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gostivarit, që kjo ndërmarrje të mund t’i kryejë me sukses shërbimet të cilat i mbulon dhe të cilat janë me rëndësi jetike për qytetarët e Gostivarit.

Vlen të theksohet se një pjesë e keqpëdorimeve të shumta në NP Komunalec u shpalosën në kuadër të fushatës “E vërteta e BDI-së”, ndërsa një komision i veçantë punon për të konstatuar edhe raste të tjera, me të cilat do të njoftohet opinioni publik.

Shërbimi për informim

Kryetari Arben Taravari vizitoi shoqatën e personave me shikim të dëmtuar “Realiteti” nga Gostivari

20.01.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari me bashkëpunëtorët e tij vizitoi Shoqatën e personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar “Realiteti”. Fillimisht, kryetari i shoqatës Xhevat Fejzuli, falënderoi kryetarin Taravari që personalisht kërkoi të takojë anëtarët e kësaj shoqate, ndërsa më pas e njoftoi atë me aktivitetet që i zhvillon, si dhe me sfidat me të cilat ballafaqohet kjo shoqatë.

“Jemi një organizatë joqeveritare e cila nuk financohet nga shteti, por falë angazhimit tonë dhe njerëzve të vullnetit të mire, arrijmë që të realizojmë disa aktivitete të vogla dhe të ndihmojmë që anëtarët tanë të përballojnë sfidat e jetës. Shoqata jonë numëron 62 anëtarë dhe ne kemi një plan-program vjetor mjaft modest, me disa aktivitete të cilat nuk janë shumë të kushtueshme”, njoftoi Fejzuli kryetarin Taravari.

Ai falënderoi edhe drejtorin e ri të NP Komunalec, Isak Lazami, ku është e vendosur selia e kësaj shoqate, që ka mundësuar ata të shfrytëzojnë ngrohjen qendrore dhe se tregon interesimi për t’i ndihmuar ata.

Kryetari Taravari, kërkoi që të gjithë anëtarët e pranishëm të shpalosin problemet e tyre dhe lirshëm të kërkojnë ndihmë për çfarëdo kërkese të tyre.

“Jo vetëm kërkesat të cilat tani do t’i shpalosin këtu, por cilado qoftë nevojë që do t’ju paraqitet, lirisht na kontaktoni, qoftë mua si kryetar, qoftë shërbimet komunale, por edhe drejtorin e ndërmarrjes. Për gjithçka që është e mundur në kuadër të kompetencave tona, do t’ju ofrohet ndihmë. Do t’ju asistojmë me material zyre dhe me mbështetje tjetër logjistike. Do të angazhohemi që të organizojmë seminare dhe punëtori me profesionistë që merren me trajtimin e personave me shikim të dëmtuar. Në bashkëpunim edhe me sektorin privat do të mundësojmë të mbani edhe manifestime të ndryshme për të cilat ju do të shfaqni interesim”, theksoi Taravari.

Ndër kërkesat e anëtarëve të shoqatës ishin ato që personat me shikim të dëmtuar të lirohen nga pagesa e ujit, të vihet rend në trafik për të mos parkuar automjetet nëpër trotuare, ulja e tehoreve të trotuareve te kalimet për këmbësorë, ndërtimi rampave qasëse për personat me invaliditet, transport publik falas dhe kërkesa të tjera mjaft racionale.

Kryetari Taravari i siguroi ata se do të angazhohet që për të gjitha këto, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Komunës dhe me institucionet tjera shtetërore, si dhe me sektorin privat, të gjendet një zgjidhje dhe të përmirësohet cilësia e jetës të personave me shikim të dëmtuar, por edhe të gjithë personave tjerë me nevoja speciale.

Shërbimi për informim

Shkollat komunale të Gostivarit, të përgatitura për gjysëmvjetorin e dytë

19.01.2018

Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme komunale, fillimin e gjysëmvjetorit të dytë e presin të përgatitura. Te të gjitha shkollat është bërë pastrimi gjeneral, ndërsa në disa shkolla janë bërë edhe riparimet dhe intervenimet e domosdoshme.

Shkollat janë pastruar dhe riparuar varësisht nga nevoja dhe të gjitha janë të funrizuara me lëndë djegëse. Kështu që mund të themi se të përgatitur e presim fillimin e e gjysëmvjetorit të dytë. Nga ana tjetër, është bërë edhe përzgjedhja e mësimdhënësve sipas konkurseve të shpallura, me ç’rast jemi përpjekur që të mbajmë një kontinuitet të kuadrit arsimor dhe ta depolitizojmë arsimin në shkallë sa më të lartë. Përzgjedhja e kuadrove është bërë nga vetë kolektivi dhe këshillat e shkollave, ndërsa ne si komunë jemi përpjekur që të ndihmojmë në këtë proces. Është evidente se diku edhe ka lëshime, por shpresojmë që ato në të ardhmen të jenë sa më të pakta”, thekson udhëheqësja e Sektorit për arsim pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe.

Ndryshe, sot u realizua një takim me drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave fillore dhe të mesme komunale, me ç’rast ata morën instruksionet e nevojshme për punë, si dhe shpalosën nevojat për mbarëvajtje sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor.

Shërbimi për informim