NJOFTIM

14.08.2018

Me qëllim të ruajtjes së pastërtisë dhe vënies rend në shitjen e kurbaneve, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Ndërmarrjen “Progres pazari”, si lokacion për shitjen e kurbaneve të Bajramit ka caktuar parkingun e Tregut të Madh të Qytetit në anën e rrugës “Beliçica”.

Njoftohen blegtorët se lokacionin në fjalë do të mund ta shfrytëzojnë pa kompensim dhe se shitja e kurbaneve jashtë lokacionit të caktuar, ndalohet rreptësisht.

Inspektorati komunal do të jetë aktiv në terren dhe do të ndërmarrë masa përkatëse kundër shkelësve të ligjit për pastërti publike.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari ndoqi realizimin e projekteve infrastrukturore

08.08.2018
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ndoqi realizimin e punimeve për asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe në fshatin Forinë.

Në fillim, Taravari ndoqi ecurinë e punëve në afërsi të Shkollës Fillore “Goce Dellçev” ku riasfaltohen tri rrugë me gjatësi të përgjithshme prej mbi 1000 metrash me gjerësi mesatare prej 9 metrash, ku dha edhe deklaratë për media.

“Nuk punohet vetëm këtu, por punohet në të katër anët. Këtu bëhet fjalë për tre rrugë me gjatësi mbi 1.000 metra dhe me gjerësi prej rreth 9 metrash, ndërsa kostoja e investimit arrin vlerën prej mbi 200.000 euro. Janë këto rrugë të ndërtuara që prej viteve të 70-ta dhe asnjëfarë intervenimi nuk ka pasur. Vendosëm që këtë punë ta kryejmë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe sipas informatave që i marr nga ndërmarrja realizuese, brenda tri javësh do të duhet të përfundojë gjithçka”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Më pas, kryetari Taravari qëndroi në fshatin Forinë ku po ashtu janë vijim punët për asfaltimin e dy rrugëve në këtë fshat. Rrugët që do të asfaltohen në këtë fshat, kanë gjatësi prej mbi 1.100 metrash, ndërsa pjesa që do të asfaltohet do të ketë gjerësinë prej 5 metrash. Kostoja e investimit arrin vlerën prej 10 milion denarë.
Te rrugët në qytet, aktualisht punohet në gërryerjen e shtresës së vjetër të asfaltit, ndërsa në Forinë bëhet tamponimi dhe përgatitja për asfaltim.
Vizitën në fshatin Forinë, kryetari Arben Taravari e shfrytëzoi për të bashkëbiseduar me banorët e fshatit dhe për tu njoftuar nga afërmi me problemet dhe nevojat e tyre. Banorët e Forinës u shprehën falënderues për angazhimin e kryetarit për të përmirësuar infrastrukturën e fshatit të tyre.

Shërbimi për informim

Filloi asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë, investohen 22,5 milion denarë mjete komunale

08.08.2018

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë me operatorët ekonomikë për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin komunës së Gostivarit, si dhe kompletimin e gjithë dokumentacionit të duhur dhe marrjes së pëlqimeve përkatëse, sot ka filluar asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë.

“Ashtu siç u paralajmërua, paraditen e sotme filluan punët ndërtimore për riasfaltimin e rrugëve të dëmtuara përqark SHF “Goce Dellçev” në Gostivar ku do të mënjanohet shtresa e vjetër e asfaltit dhe do të vendoset asfalti i ri, si dhe i dy rrugëve në fshatin Forinë të cilat më pas bashkohen në një, respektivisht prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave. Rrugët te shkolla kanë një gjatësi prej 1000 metra, ndërsa kostoja arrin në 12,5 milion denarë, ndërsa rrugët në fshatin Forinë kanë një gjatësi prej 1.100 metra me gjerësi prej 5 metrash ndërsa kostoja arrin në 10 milion denarë”, theksoi Jasin Demiri – zëdhënës i Komunës së Gostivarit.

Ai sqaroi po ashtu se te shkolla Goce Dellçev do të intervenohet edhe te tehoret e rrugës sepse një opjesë janë të dëmtuara, si dhe sqaroi se obstruksione nga organet tejra nuk ka pasur dhe se bashkëpunimi është në nivel, gjë që uron të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Punimet janë duke vijuar sipas planit të paraparë, ndërsa qytetarët luten për mirëkuptim dhe kujdes gjatë realizimit të punëve ndërtimore.

Nga Zyra për implementim të projekteve njoftojnë se në muajt në vazhdim, deri sa të ketë kushte të volitshme atmosferike, do të realizohen më shumë projekte kapitale të parapara, për të cilat tashmë janë siguruar mjete financiare.

Shërbimi për informim

 

NJOFTIM: Të shtunën, dezinsektimi i dytë nga toka në territorin e komunës së Gostivarit

07.08.2018

Njoftohen qytetarët se më datë 11.08.2018 (e shtunë), do të bëhet dezinsektimi i dytë nga toka në territorin e Komunës së Gostivarit për zhdukjen e mushkonjave të rritura dhe dëmtuesve të tjerë.
Dezinsektimi do të kryhet pas mesnate, deri në orët e hershme të mëngjesit, vetëm në kushte të mira atmosferike.
Lokacionet në të cilat do të bëhet dezinsektimi nga toka janë me sa vijon:

Rr. “Zhivko Brajkoski” – Parku i i qytetit nga ana e majtë e lumit Vardar, rr. “M.Ç Filiposki” – Parku i qytetit nga ana e djathtë e lumit Vardar, Spitali i qytetit, rr. “JNA” deri te udhëkryqi i Zdunjës, shtrati i lumit Vardar në atarin e fshatit Raven, kanali prej udhëkryqit të Zdunjës – Zona e VI – Maleardi – rr. Boris Kidriç – rr.Beliçica deri në lagjen Fazaneria- vendbanimi Banjicë – bulevari i Vëllezërit Gjinoski, përmes Sheshit të qytetit deri në dalje të qytetit kah fshati Çajlë e deri tek lumi Jahorkë në fshatin Forinë .

Në rast të kohës me shi ose me erë të fortë dezinsektimi do të anulohet për ditën e ardhshme ose për ndonjë ditë tjetër me kushte më të mira atmosferike. Për dezinsektim do të përdorët Aurodil i tretur në bazë të prospekteve të prodhuesit për përdorim, edhe atë 50 ml / 5 l.

Luten kultivuesit e bletëve që të marrin masat e duhura mbrojtëse, që do të thotë të strehojnë bletët në kutitë e tyre, të sigurojnë sasi të nevojshme të ujit për mbajtjen e bletëve të mbyllura minimum 5-6 orë pas trajtimit të territorit.
Dezinsektimin do ta kryejë SHPTSHP “PLANT MEDIKA”.

Shërbimi për informim

 

NJOFTIM

NJOFTIM

06.08.2018

Njoftohen qytetarët se më datë 08.08.2018 (e mërkurë) me fillim në ora 09:00, do të fillojë realizimi i punëve ndërtimore për riasfaltimin e rrugëve rreth e përqark SHF “Goce Dellçev” – Gostivar.

Për shkak të natyrës së punimeve, për një periudhë të caktuar kohore, qarkullimi i makinave në këtë pjesë të qytetit do të jetë në ndërprerje.

Në të njëjtën ditë, pra  mërkurën, do të fillojë edhe realizimi i punëve ndërtimore për asfaltimin e dy rrugëve në fshatin Forinë, prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave, ku qarkullimi do të jetë i lirë por do të zhvillohet në kushte të vështirësuara.

Luten qytetarët për mirëkuptim dhe kujdes.

Shërbimi për informim 

Kryetari Taravari promovoi asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës në fshatin Debresh të Gostivarit

06.08.2018

Kanë përfunduar punimet për zgjerimin dhe asfaltimin e një segmenti të rrugës kryesore në lagjen Drenica të fshatit Debresh të Gostivarit. Për të promovuar këtë investim, në vendngjarje doli sot kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Segmenti i cili u rikonstruktua ka një gjatësi prej rreth 200 metra dhe kishte gjerësi prej rreth 3 metrash, shtresë shumë të dëmtuar të asfaltit gjë që u shkaktonte telashe gjatë qarkullimit të makinave dhe këmbësorëve.

Shtresa e asfaltit të dëmtuar u mënjanua në të tërësi, ndërsa u vendos shtresë e re e asfaltit me gjerësi prej 4,2 metrash, gjerësi kjo e mjaftueshme për qarkullim me dy korsi.

Në këtë pjesë të rrugës gati se dyzet vjet nuk është intervenuar aspak. Në bisedë me banorët kuptova se janë të kënaqur prej trashësisë dhe cilësisë së asfaltit. Paraprakisht në këtë fshat realizuam ndërtimin e kanalizimit dhe ujësjellësit, ndërsa së shpejti do të shtrojmë me pllaka bekatoni disa rrugica. Praktikisht me këtë do të përmbyllim premtimet të cilat i kemi dhënë për këtë fshat për vitin e parë të mandatit” theksoi kryetari Arben Taravari.

Falënderime publike për punët e realizuara në fshatin e Debresh, shprehën këshilltari komunal Besim Memedi, si dhe Agron Beshiri – banor i lagjes.

Krahas asfaltimit të rrugës në lagjen Drenica, u bë edhe asfaltimi i sipërfaqes  planifikuar për parkim pranë xhamisë së re në këtë fshat. Në emër të xhematit dhe banorëve të fshatit Debresh, Komunës së Gostivarit dhe kryetarit Taravari iu falënderuan Amir Elezi – imam i xhamisë dhe Mustafa Osmani – banor i fshatit.

Kryetari Taravari, para medieve paralajmëroi se prej nesër fillon realizimi i projekteve kapitale në vlerë prej rreth 2 milion euro, siç është asfaltimi i rrugëve rreth e përqark SHF “Goce Dellçev”, asfaltimi i një rruge në fshatin Forinë në gjatësi prej 1.100 metra, kanalizimi në fshatin Banjicë dhe investime tjera kapitale.

Shërbimi për informim

Fëmijët e Qendrës “Fluent”, vizituan Komunën e Gostivarit

03.08.2018

Fëmijët të cilët ndjekin kurse të gjuhëve të huaja në Qendrën “Fluent” në Gostivar, të shoqëruar nga mësimdhënëset e tyre, vizituan sot Komunën e Gostivarit.

Ata i shoqëroi zëdhënësi i i komunës së Gostivarit, Jasin Demiri, i cili u bëri atyre një prezantim të përshtatur për moshën e tyre, të mënyrës së funksionimit të vetëqeverisjes lokale.

Fëmijët vizituan, kabinetin e kryetarit të komunës Arben Taravari, sallën e Këshillit të Komunës, si dhe disa zyra të administratës komunale.

Zëdhënësi Demiri, u dëshiroi sukses në edukimin e tyre, si dhe i përgëzoi për vëmendjen, pyetjet e parashtruara dhe aftësitë për të kuptuar gjëra të cilat ndoshta edhe nuk korrespondojnë me moshën e tyre të re.

Shërbimi për informim

Takohen Taravari dhe Haziri, bisedojnë për thellimin e bashkëpunimit Gostivar – Gjilan

02.08.2018

Kryetari  i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ishte sot në takim pune te  kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.  Në takim u bisedua  mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel komunal përmes programeve dhe projekteve të përbashkëta ndërkomunale në të mirë të qytetarëve të dy komunave.

“Është kënaqësi e veçantë që të jem në Gjilan te kryetari Haziri. Mund të mësoj shumë gjëra nga një kryetar i cili në nivelin lokal tashmë ka përvojë për mandatin e katërt në krye të Gjilanit. Komuna e Gostivarit dhe e Gjilanit mund të bëjnë implementimin e projekteve të përbashkëta ndërkomunale. Raportet tona do të vazhdojnë të thellohen dhe të jenë edhe më me intensitet, përmes ideve, projekteve dhe bashkëpunimit ndërkomunal e ndërshtetëror”, theksoi kryetari Taravari.

Edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri  theksoi se dy komunat mike, kanë shumëçka të përbashkët duke  shprehur dëshirë që bashkëpunimi ndërmjet dy komunave të thellohet.

“Takimi i sotëm është në kuadër të ofrimit të bashkëpunimit mes dy komunave, sepse kemi shumçka të përbashkët. Komuniteti ynë i dy komunave, kultura, sjellja e të tjera, janë si dy pika uji. Dëshiroj që bashkëpunimi Gjilan – Gostivar të thellohet edhe më shumë dhe pse jo,  të kemi bashkëpunim të pushtetit lokal edhe jashtë regjionit tonë, duke e ndihmuar njëri – tjetrin për përfaqësim sa më të mirë”, theksoi kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Gjatë vizitës në Gjilan, kryetarin Taravari e shoqëruan drejtori I NP “Komunalec”, Isak Lazami dhe anëtari i kabinetit të tij Samet Rahmani.

Taravari dhe Haziri, në cilësinë e sekretarit të Aleancës për Shqiptarët dhe nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy partive.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari promovoi punimet e realizuara në parkun madh të qytetit në Gostivar

31.07.2018

Parku i madh i qytetit të Gostivarit ka marrë një pamje krejtësisht të re dhe shumë të përshtatshme për të kaluar kohën e lirë sidomos në ditët e nxehta verore.

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, sot n prani të medieve promovoi punimet të cilët janë kryer në ktë park deri në këtë moment si dhe paralajmëroi investime shtesë që do të realizohen në muajt në vazhdim.

“Siç e shihni, në këtë park janë realizuar shumë punë dhe tashmë ka filluar të marrë pamjen e dëshiruar. Pas nivelimit të sipërfaqes, është bërë edhe gjelbërimi dhe instalimi i sistemit nëntokësor të vaditjes, është vendosur ndriçim publik dhe ndriçim dekorativ. Janë ndërtuar rrugica të shtruara me pllaka bekatoni. Po ashtu, tashmë ky park ka edhe kënd të lojërave për fëmijë krahas këndit për rekreim të të rriturve: Ndërsa ajo që është ndoshta më me rëndësi, mirëmbahet rregullisht edhe pastërtia”, njoftoi Taravari.

Ndërkaq, drejtori i NP “Parkingje dhe gjelbërime”, Muzafer Zulbeari, paralajmëroi se shpejti do të përfundojë edhe procedura e tenderimit për vendosjen e rreth 60 bankave në të dy anët e parkut, me çka do të mundësohet që edhe pleqtë ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë park.

“Shpresojmë se deri në fund të shtatorit do të përfundojë e gjithë procedura dhe ky park do të ketë edhe ulëset përkatëse”, nënvizoi drejtori Zubeari.   

Kryetari Taravari, po ashtu përuroi drejtorët e dy ndërmarrjeve publike komunale për mbarëvajtjen e punëve dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe pastërtisë publike në këtë park, ndërsa apeloi deri te të gjithë qytetarët që për rekuizitet dhe pajisjet tjera urbane të kujdesen si për pronën tyre dhe sa më shumë qytetarë për një kohë sa më të gatë të shfrytëzojnë të mirat e këtij parku, i cili mund të konsiderohet si “mushkëritë” e qytetit.           

Shërbimi për informim

Vazhdon aksioni për mënjanimin e ndërtimeve të egra në Gostivar

30.07.2018

Investitori i një objekti pa leje në afërsi të ish kinemasë së qytetit në Gostivar, pas pranimit të aktvendimit të lëshuar nga ana e Komunës së Gostivarit, sot vetë ka mënjanuar objektin e egër.

Në vendngjarje, krahas administratorëve kompetentë komunalë, ishte edhe kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, i cili njoftoi sërish se do të prishen të gjitha ndërtimet e egra të cilat prekin në rrugë dhe bllokojnë mbarëvajtjen e qarkullimit në gjithë territorin e komunës së Gostivarit.

Taravari apeloi deri tek pronarët e objekteve për të cilat është lëshuar aktvendim për mënjanim, që vetë t’i prishin ato  dhe tu ikin shpenzimeve të panevojshme për prishje të dhunshme.

Ai po ashtu njoftoi opinionin publik se në ditët ne vazhdim do të prishen 5-6 objekte të këtilla.

Ndryshe aksioni për mënjanimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në Gostivar, filloi dje kur përmbaruesit e Komunës prishën një murrë në lagjen Pitarnicë i cili pamundësonte hapjen e një rrugice të kësaj lagjeje, problem ky i cili daton prej rreth 30 vitesh.

Nga Sektori i urbanizimit pranë Komunës së Gostivarit, apelojnë deri tek qytetarët që të mos ndërtojnë pa leje adekuate, sepse do të ballafaqohen me të gjitha masat në përputhje me ligjet pozitive të Republikës së Maqedonisë.

Shërbimi për informim