NJOFTIM

07.03.2018

Njoftohen qytetarët e Gostivarit, se Komuna e Gostivarit ka formuar Komision për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në përputhje me dispozitat ekzistuese ligjore.

Në përputhje edhe me rekomandimet e dala nga seanca e 6-të e Komitetit drejtues për koordinim dhe administrim në sistemin për menaxhim me kriza në nivel qendror, të mbajtur më 05.03.2018. Komuna e Gostivarit:

Fton të gjithë qytetarët e komunës së Gostivarit të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet e fundit, ato t’i raportojnë në Qendrën për shërbime komunale pranë Komunës së Gostivarit.

Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, do të del në vendngjarje dhe konform dispozitave ligjore do të përcaktohet lartësia e zhdëmtimit.

Shërbimi për informim

SHF “Ismail Qemali” dhe SHF “Gjon Buzuku” riparojnë mjediset shkollore

Dëshmi se me investime të vogla dhe me punë të përkushtuar, por edhe me ndihmë të donatorëve mund të bëhen punë shumë të rëndësishme, janë dy shkollat fillore komunale Ismail “Qemali – Gostivar dhe “Gjon Buzuku” – Sërmnovë.
Në SHF “Ismail Qemali”, me vetëfinancim nga ndarja e terminëve në sallën sportive, është zëvendësuar inventari i vjetër me inventar të ri në sallën dhe kuzhinën e arsimtarëve, si dhe rregullimi i dhomës së pritjes për prindërit, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në këtë shkollë.
Krahas kësaj, një donator i cili shmang publicitetin, është duke rinovuar mësonjëtoret e kësaj shkolle. Tashmë ka përfunduar zëvendësimi i bankave, karrigeve dhe perdeve, ndërsa janë lyer edhe muret e një mësonjëtoreje, ndërsa në vazhdim do të punohet edhe për rinovimin e mësonjëtoreve tjera.
Në SHF “Gjon Buzuku” të fshatit Sërmnovë, me mjete simbolike financiare, vetë nxënësit dhe mësimdhënësit kanë bërë zbukurimin e korridoreve duke i dhënë hapësirave shkollore një pamje tërheqëse, siç e kanë shkollat e zhvilluara në mjediset më urbane.
Komuna e Gostivarit, i përshëndet iniciativat e këtilla dhe i inkurajon edhe shkollat tjera që të ndërmarrin aktivitete të këtilla, me çka nxënësit do ta duаn më shumë shkollën ku mësojnë, do ta ndjejnë si të veten, dhe si rezultat i kësaj edhe më shumë do t’i përkushtohen mësimit.

Shërbimi për informim

Taravari u ndau mirënjohje matematikanëve të rinj dhe profesorëve të tyre

06.03.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti në kabinetin e tij nxënësit e gjimnazit të Gostivarit, fitues të medaljeve në “Garat pa kufij” nga lënda e matematikës dhe profesorët e tyre.

“Kam nderin që sot të kem mysafirë nxënësit e gjimnazit të Gostivarit dhe profesorët e tyre, të cilët fituan 7 medalje ari, një medalje argjendi dhe një medalje bronzi në një garë prestigjioze rajonale nga lënda e matematikës. Ne si administratë komunale dhe gjimnazi i Gostivarit, ndjehemi shumë krenar. Nxënësit e talentuar e gëzojnë mbështetjen e Komunës së Gostivarit, sepse konsiderojmë se ambasadorët më të mirë të një populli dhe një vendi janë nxënësit е suksesshëm. Me këto rezultate të arritura të nxënësve tanë, ne i dëshmojmë regjionit dhe më gjerë, se me punë dhe vullnet mund të arrihen rezultate kulmore dhe nga radhët e këtyre nxënësve, nesër të dalin edhe shkencëtarë të mirëfilltë”, theksoi kryetari Taravari.

Në emër të nxënësve dhe profesorëve, për mikpritjen dhe ndarjen e mirënjohjeve, kryetarit iu falënderuar drejtori i SHMK “Gostivar, Dritan Imeri, duke e njoftuar atë se në garat regjionale në Bullgari, të titulluara Gara pa Kufij morën pjesë 16 mijë nxënës.

“Shpresoj se nxënësit dhe profesorët e shkollës tonë do të vazhdojnë edhe më tutje me punë, me siguri me elan akoma më të madh pas këtyre sukseseve dhe se në të ardhmen do të sjellin shpërblime akoma më prestigjioze për qytetin tonë”, nënvizoi drejtori Dritan Imeri.

Vlen të thekesohet se medalje ari në Garat pa Kufij, fituna Zehra Ebibi, Fjolla Fetaji, Hana Hasanicaj, Angela Trifunoska, Simona Janakieska, Kristina Jovanoska dhe Mustafa Esti, medalje argjenti fitoi Esra Matjan, ndërsa Egzona Jonuzi fitoi medalje bronzi.
Mentorë të nxënësve ishin profesorët Muhamed Musliu, Zejnel Efendiler, Mile Apostolloski, Irena Nofitoska. Ajbean Selimi dhe Muzafer Zulbeari.

Shërbimi për informim

Komuna e Gostivarit do të zbatojë Platformë online për ankesat e qytetarëve

05.03.2018

Komuna e Gostivarit dhe Nexus CC, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi për zbatimin e një Platforme online që do t’ua  mundësojë qytetarëve të raportojnë ankesat lehtë dhe shpejtë, ndërsa institucioneve komunale ju mundëson kanalizimin e këtyre kërkesave në një vend të përshtatshëm.

Raporto.mk është platformë online që mbledhë ankesat e qytetarëve për shërbime  publike komunale dhe i paraqet në një hartë interaktive.

Në Platformë do të mund të raportohen problemet e kategorive siç janë: mbeturinat, gropat në rrugë, ndotësit e ajrit (tymi nga fabrikat, shtëpitë, deponitë e egra, ujërate zeza; dhe një kategori – Të ndryshme (ndriçimi publik, trotuarete dëmtuara, rrugë të papastruara nga bora dhe akulli etj.)

Për nevojat e Platformës dhe raportimin e problemeve, Komuna e Gostivarit do të caktojënjë person përgjegjës i cili do të informojë qytetarët për pranimin e ankesave deri ku është niveli i veprimit dhe në fund për zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ky person do të jetë linku deri tek ndërmarrjet publike të cilat duhet të veprojnë dhe zgjedhin problemin.

Pas përpilimit të Platformës, përfaqësues të NEXUS, do të realizojnë  prezantim për përdorimin e  Platformës në komunën e Gostivarit.

Raporto.mk është e bazuar në platformën e hapur FixMyStreet të mySociety.

NEXUS e sjell në Maqedoni këtë Platformë në partneritet me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) në Uashington.

Projekti është i financuar nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni përmes OJQ Democracy Lab nga Tetova.

Komuna e Gostivarit eliminon pasojat dhe parandalon përmbytjet në më shumë vendbanime

04.03.2018
Shkrirja e shpejtë e borës si pasojë e temperaturave të larta, e përcjellë edhe me reshje të shiut, ditëve të fundit rezultoi edhe me pasoja në disa pjesë të qytetit dhe nëpër fshatra. Por, i shpejtë ishte intervenimi i Komunës së Gostivarit dhe situata p vihet nën kontroll.

Ekip të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” intervenuan në të gjitha vendbanimit ku rrjeti ekzistues i kanalizimit nuk pati kapacitet që të pranojë gjithë sasinë e ujërave atmosferikë që kapluan rrugët, ndërsa si preventivë u pastruan edhe shumë kanale dhe lumenj që të pengohet dalja e tyre nga shtrati
dhe të pengohet përmbytja e shtëpive.

Lagjet Banjeshnica dhe Grudajca, si dhe fshatrat Forinë, Balindoll dhe Turçan i Vogël ishin më të rrezikuarat, andaj dhe intervenimet e para në këto dy ditë janë bërë pikërisht në këto vendbanime.

Komuna e Gostivarit ka formuar shtabin e krizës dhe i njëjti në kontinuitet po e përcjell situatën në terren.

Shërbimi për informim

Kryetari Taravari vizitoi komunën sllovene Ljutomer – iniciohet binjakëzimi i dy komunave

02.03.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari më 28 shkurt, qëndroi në Slloveni me ç’rast vizitoi Komunën Ljutomer, ku u prit nga nënkryetari i kësaj komune, Boro Zemljak.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që të mësohet më shumë rreth projekteve që lidhen me trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin me mbeturina komunale, si dhe të përfitohet nga përvoja e madhe e Komunës Ljutomer në aplikimin për fonde të BE-së.

Përfaqësuesit e dy komunave ranë dakord që nxënësit e shkollave të mesme të dy qyteteve të realizojnë vizita të ndërsjella.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe nënkryetari i komunës Ljutomer, Boro Zemljak shfaqën interesim edhe për binjakëzimin e dy komunave, për çka pritet që shumë shpejtë të fillojnë edhe procedurat përkatëse.

Taravari dhe Zemljak, shkëmbyen dhurata me simbolet e qyteteve.

Gjatë vizitës në komunën Ljutomer të Sllovenisë, kryetari Taravari ishte i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Seadin Ejupi, udhëheqësi i Zyrës për Zhvilli ekonomik lokal, Besim Dogani, si dhe profesori Abdyladi Sallmani i cili është edhe iniciator për binjakëzimin e komunës së Gostivarit me këtë komunë sllovene.

Shërbimi për informim

“E vërteta për BDI-në – rrafshohen me tokën objektet e ndërtuara me donacione të huaja”

01.03.2018

Në kuadër të press konferencave të organizuara në lidhje me fushatën “Еvërteta për BDI-në“, zëdhënësi i NP Komunalec, Mirtezan Selimi, shpalosi sot të dhëna në lidhje me keqpërdorimet e kryera gjatë mandatit të udhëhequr nga kuadro të kësaj strukture, e që kanë të bëjnë me këtë ndërmarrje.

Jua sjellim në mënyrë integrale:

“Të nderuar qytetarë, përskaj shumë keqpërdorimeve që janë bërë në ndërmarrje, ne sot do t’ju njoftojmë   për një keqpërdorim që është bërë ndaj një donacioni të huaj, konkretisht bëhet fjalë për donacion Finlandez të cilët në bashkëpunim me komunën e Gostivarit në burimin e lumit Vardar në fshatin Vërtok, ndërtuan një shtëpizë ku sipas donatorit dhe komunës, por edhe sipas projektit ishte paraparë që të ndërtohet një Info-qendër në burimin e lumit Vardar e që do të shërbente për informim të turistëve për llojllojshmërinë  biologjike të komunës së Gostivarit, ndërsa me qëllim të tërheqjes së turistëve dhe zhvillim të turizmit rural.

Pas marrjes së pushtetit lokal nga ana e funksionarëve të BDI-së, këtë objekt e rrënuan duke mos pasur parasysh qëllimin për të cilin është ndërtuar, në këtë rast për zhvillim të turizmit rural, por gjithashtu duke mos pasur respektin e duhur edhe ndaj donacioneve të huaja të cilat mezi që arrijnë në komunën e Gostivarit.

Vlera e këtij donacioni sipas projektit ka kapur shumën prej 25 mijë dollarëve amerikanë, ndërsa është rrënuar pa mos i kushtuar rëndësinë e duhur qëllimit të ndërtimit, pra zhvillim të turizmit rural në Komunën e Gostivarit. Qëllimi i projektuesit ka qenë që me këtë objekt të menaxhojë ndërmarrja publike Komunalec e cila do të punësonte edhe një ciceron që do t’i njoftonte turistët edhe me burimin e lumit Vardar, por edhe për llojllojshmërinë biologjike të këtij regjioni ku edhe përfitimet nga vizitat e turistëve do të shkonin në konto të ndërmarrjes.Ky është një shembull klasik i keqmenaxhimit me institucionet komunale.”

SHF “Bashkimi” – Gostivar, dy grante nga USAID-i dhe donacion nga Zvicra

28.02.2018

Në Shkollën fillore “Bashkimi” përmes dy granteve të fituara nga USAID-i, si dhe një donacion nga Zvicra, me mbështetje edhe të Komunës së Gostivarit , në vijim janë aktivitetet të shumta për përmirësimin e kushteve për punë dhe ngritjen e cilësisë së procesit arsimor.

Grantet e fituara nga USAID-i do të shfrytëzohen për pajisje të kabinetit të arsimit figurativ dhe për për nevojat e realizimit të orëve të lëndës kulturë qytetare.
Donacioni nga Zvicra është i destinuar kryesisht për kabinetin e biologjisë dhe përbëhet prej mikroskopi dhe katër printerëve, si dhe prej bredhave për zbukurimin e korridoreve dhe hapësirave të tjera shkollore.

Vlen të theksohet po ashtu, se krahas dy mësimdhënëseve tashmë të licencuara, trajnimet në Nansen Dialog Center i ndjekin edhe dy mësimdhënëse tjera, ndërsa shkolla ka aplikuar për zbatimin e modelit Nansen dhe pritet që në një të ardhme të afërt të nisë edhe realizimi.
Ndryshe, në SHF “Bashkimi” mësimin e ndjekin 1300 nxënës, edhe atë në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe turqisht.

Shërbimi për informim

Taravari mori pjesë në Simpoziumin e kryebashkiakëve në Vjenë të Austrisë

28.02.2018

Në organizim të Bankës Botërore – Programi Austriak për Partneritet Urban, më 26-27 shkurt në Vjenë të Austrisë u mbajt Simpoziumi i kryetarëve të komunave me temë Qëndrueshmëria dhe Përfshirja në zhvillimin urban në Evropën Juglindore – Qytete për popullin.

Në këtë simpozium ku morën pjesë 150 kryebashkiakë dhe përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes lokale prej shtatë shteteve të Evropës Juglindore, mori pjesë edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Pjesëmarrësit në simpozium patën rastin të njoftohen me progresin dhe zhvillimet inovative në qytetet e Evropës Juglindore dhe më gjerë.

“Ishte kjo një mundësi e mirë që të diskutojmë për qëndrueshmërinë e zhvillimit lokal, përgjegjësinë dhe përfshirjen e publikut në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, njofton kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Kryetari Taravari, qëndrimin në Vjenë, e shfrytëzoi edhe për takime me bashkëqytetarët tanë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Shërbimi për informim

U përcaktuan fushat prioritare të komunës së Gostivarit për ndarje të granteve OJQ-ve

27.02.2018

Në kuadër të aktiviteteve të projektit të UNDP – Programi Regjional për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor, në sallën e këshillit rinor të komunës së Gostivarit, u mbajt debat publik me përfaqësues të organizatave joqeveritare, me ç’rast u përcaktuan fushat e projekteve për të cilat do të pranohen aplikacione për grant.

Në kuadër të këtij projekti do të ndahen grante në vlerë prej 100.000 euro, për aktivitete në pesë fusha prioritare: Arsimi dhe inkluzioni social, Mjedisi jetësor, Të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi, Zhvillimi ekonomik lokal dhe Kultura, arti, rinia dhe sporti.

Të pranishmit në këtë debat publik, zgjodhën edhe anëtarët dhe një zëvendës anëtarin Komisionit për vlerësimin e aplikacioneve, edhe atë përfaqësues të UNDP-së, 2 përfaqësues të Komunës së Gostivarit dhe 2 përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Përfaqësuesit e UNDP-së dhe Zyrës për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë Komunës së Gostivarit, njoftuan se në vazhdim do të organizohen info-sesione në të cilat të gjitha organizatat e interesuara do të njoftohen më për së afërmi për formën e aplikacioneve, si dhe do tu ofrohet asistencë për hartimin e projekteve sa më cilësore.

Inkurajohen OJQ-të të cilat nuk morën pjesë në këtë debat, të bien në kontakt me Zyrlën e ZHEL-it pranë Komunës së Gostivarit dhe të përfshihen në garën për të fituar grant.

 Shërbimi për informim