Takim koordinues me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Gostivarit

01.04.2020

Me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të nxënësve në mësimdhënien online dhe në kushte izolimi, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përgjegjësja e arsimit, Aslian Snopçe takuan sot drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme komunale të Gostivarit.

Drejtorët informuan rreth aktiviteteve që po ndërmerren aktualisht si dhe problemeve me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit dhe nxënësit gjatë realizimit të mësimit online. Duke pasur parasysh se për momentin nuk ekziston një platformë e unifikuar për realzimin e kësaj forme të mësimdhënies, si dhe shkaku asaj se qeveria nuk ka hartuar plan veprimi dhe po ngec furnizimi me pajisje adekuate teknologjike për nxënësit nga familje me status të rrezikuar social, procesi arsimor zhvillohet me problem të shumta, por megjithatë numri i nxënësve të përfshirë në mësimdhënien online, arrin në rreth dy të tretat.

Kryetari Taravari i përgëzoi drejtorët dhe kuadrin arsimor që me angazhimin e tyre maksimal, arrijnë nxënësit të paktën mos e humbin shprehinë e angazhimeve shkollore dhe ndjekjen e mësimit, si dhe uroi që të tejkalohet me sukses epidemia e koronavirusit në vendin tonë dhe kah mesi i muajit të ardhshëm të vijojë mësimi i rregullt.

Koha përderisa në shkolla nuk zhvillohet mësimi i rregullt, do të shfrytëzohet për realizimin e punimeve të planifikuara në objektet shkollore, ndërsa një javë para se të vazhdojë mësimi në to, do të bëhet edhe dezinfektimi i plotë i tyre.

Shërbimi për informim

Formohet Trup koordinues për shpërndarje efikase dhe të sigurt të ndihmave

31.03.2020

Propozimi nga mbledhja e djeshme e rregullt e  Shtabi të emergjencës  së Gostivarit për komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë – Rostushë, që të formohet një Trup koordinues për ndarje efikase dhe të sigurt të pakove me produktet ushqimore dhe mjete higjienike dhe dezinfektuese, sot u realizua.

Në takimin e sotëm me të cilin kryesoi kryetari I komunës së Gostivarit, morën pjesë përfaqësues të Organizatës komunale të Kryqit ët Kuq – Gostivar si dhe shumë organizatave joqeveritare dhe shoqatave humanitare që veprojnë në rajonin më të gjerë të Gostivarit .

U vendos që distribuimi i ushqimeve për familjet me rrezik social dhe ata të cilët janë në moshë ose me probleme shëndetësore, të bëhet nëpërmjet vullnetarëve OK të Kryqit të Kuq në Gostivar, por edhe të personave tjerë të cilët në ndërkohë do të trajnohen për distribuim të sigurt të ndihmave.

Kryetari Arben Taravari tha se ky unifikim në këtë periudhë vjen si masë shtesë për të mbrojtur qytetarë nga pandemia e COVID 19.

Kryqit të Kuq do ti ndihmojë edhe Trupi koordinues i sapothemeluar, pjesë e të cilit do të jenë përfaqësues edhe të pushtetit lokal dhe të shoqatave humanitare.

Kryetari Taravari tha, po ashtu, se do të angazhohet që të enjten ose të premten të organizohet trajnim njëditor nga ana e Institutit për Shëndet Publik dhe Klinikës së për sëmundje infektive, me qëllim që të rritet numri i vullnetarëve të certifikuar për këtë lloj veprimtarie në situate epidemie.

Kryesues i Këshillit koordinues u zgjodh Lulzim Haziri nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike – ADI nga Gostivari, ndërsa anëtarë do të jenë edhe sekretarja e OK Kryqi i Kuq – Gostivar, Merita Alili, përgjegjësja për çështje sociale pranë Komunë së Gostivarit, Afërdtita Hamza dhe nga një përfaqësues i shoqatave që grumbullojnë dhe shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë

Shërbimi për informim

Mbajti mbledhje Shtabi i emergjencës – Gostivari mbetet vetëm me një person të infektuar

30.03.2020

Shtabi i emergjencës në Gostivar ku përfshihen komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u shqyrtua situata aktuale me koronavirusin dhe u përcaktuan masat që duhet të ndërmerren në vijim.

Me mbledhjen, në cilësinë e kryetarit të Shtabit të emergjencës, kryesoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani dhe i Mavrovë-Rostushës, Medat Kurtovski.

Tre kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organeve përkatëse, raportojnë për gjendjen aktuale, masat që ndërmarrin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ndër ata të cilët raportuan ishin kryeshefi i OPB – Gostivar, drejtori Spitalit të përgjithshëm, drejtori i Shtëpisë së shëndetit, përfaqësuesja e Qendrës për menaxhim me kriza, përfaqësuesja e Drejtorisë për shpëtim, si dhe përfaqësues të inspektorateve të ndryshme, të gjitha këto që kompetencat e tyre i ushtrojnë në nivel të tre komunave.

Për dallim nga mbledhjet e kaluara, sot të ftuar ishin edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq – Gostivar dhe të organizatave joqeveritare.

Konstatim i përgjithshëm ishte se situata në përgjithësi është nën kontroll, dhe se problemet me të cilat ballafaqohen si institucionet ashtu edhe vetë qytetarët janë të përballueshme dhe ato mund të minimizohen me bashkëpunim dhe koordinim të thelluar.

Në rajonin më të gjerë të Gostivarit, mbetet vetëm një grua e regjistruar me koronavirus, e cila nesër do të lëshohet në kurim shtëpiak dhe në 14 ditët e ardhshme do të jetë në vetizolim, ndërsa janë testuar gjithsej 36 persona.

Me qëllim që të kanalizohet shpërndarja e ndihmave familjeve të rrezikuara, u vendos që nesër në ora 11:00 në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit të mbahet një mbledhje koordinatave ku do të përcaktohen masat që do të ndërmerren konform normave për raste emergjente.

Kryetari i komunës së Gostivarit falënderoi institucionet për ushtrimin detyrës së tyre në nivelin e duhur, e sidomos qytetarët për sjelljen e tyre të ndërgjegjshme dhe respektimin e rekomandimeve të Qeverisë.

Мbledhjen e radhës së Shtabit të Emergjencës, kryetari Taravari e caktoi për të enjten në orën 11:00 në sallën e Këshillit të Komunës Gostivar.

Shërbimi për informim

 

Në kohë pandemie dhe me direktivë partiake, Komuna e Gostivarit mbetet pa para në buxhet

26.03.2020

Komuna e Gostivarit nga sot ka xhiro-llogari të bllokuar, edhe pse me vendim qeverie përmbaruesit nuk kanë të drejtë të kryejnë procese përmbaruese. Që situata të jetë edhe më alarmante, kjo ndodh kur e gjithë bota është në luftë me pandeminë nga Covid 19.

Urdhri për ta lënë në këtë periudhë Gostivarin pa para, ka ardhur përmes direktivave të një subjekti politik në Gostivar, të cilët gjatë viteve derisa udhëhiqnin me pushtetin lokal, Gostivarin e ngulfatën me borxhe. Përgjatë qeverisjes së saj, partia në fjalë, u ka paguar zjarrfikësve në Gostivar paga 20 përqind më të ulta sesa parashe ligji.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në konference për shtyp  bëri të ditur se edhe përskaj marrëveshjes me zjarrfikësit që borxhi të pranohet dhe t’u paguhet në këste, partia u jep urdhër militantëve të saj të punësuar në Njësin Territoriale Kundër Zjarreve në Gostivar, që procedura të shkojë në përmbarim.

“Pavarësisht kësaj, unë u them qytetarëve të jenë komod, sepse do ta tejkalojmë edhe këtë situatë edhe pse ndodh në një periudhë shumë të rëndë që një institucioni t’i bllokohet xhiro-llogaria, dhe kjo është skandaloze”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, dhe shtoi  se borxhi i krijuar ndaj zjarrfikësve është bërë gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2017.

Shuma që duhet t’u paguhet zjarrfikësve është rreth 100 mijë euro dhe do të vështirë që këto para të grumbullohen brenda disa ditësh kur qytetarët nuk paguajnë tatime për shkak të gjendjes që mbretëron në vend.

Për situatën e krijuar kryetari Taravari e ka njoftuar edhe kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, i cili ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje.

Shërbimi për informim

Shtabi i emergjencës të Gostivarit – Taravari jam i fascinuar nga disiplina e qytetarëve të Gostivarit

23.03.2020

Shtabi i emergjencës në Gostivar ku përfshihen komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë mbajti mbledhje në të cilën u shqyrtua situata aktuale me virusin korona dhe u përcaktuan masat që duhet të ndërmerren në vijim.

Me mbledhjen, në cilësinë e kryetarit të Shtabit të emergjencës, kryesoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ndërsa i pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve publike, Qendrës për menaxhim me kriza dhe Qendërs për shpëtim, për arsye objektive mungoi kryetari i komunës së Mavrovë-Rostushës, Medat Kurtovski dhe pa e arsyetuar mungesën e tyre në mbledhje nuk morën pjesë drejtuesit e Spitalit të përgjithshëm dhe Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar.

Për gjendjen aktuale dhe aktivitetet e ndërmarra ndërmjet dy mbledhjeve, konstatim i përbashkët i të pranishmive ishte se situata është nën kontroll dhe se situata e krijuar nga prania e koronavirsuit menaxhohet në nivel të kënaqshëm.

Kryetari Arben Taravari ndërmjet tjerash nënvizoi se është i fascinuar nga qytetarët e Gostivarit në drejtim të asaj se si u përmbahen rekomandimeve të qeverisë për preventivë nga përhapja e koronavirusit.

Nga mbledhja e Shabit të emergjencës – Gostivar, dolën konkluyionet në vijim:

1. Situata në Gostivar është nën kontroll, ende ka vetëm një rast të konfirmuar me koronavirus

2. Respektohen rekomandimet të Qeverisë së RMV-së

3. Çdo institucion të insistojë për higjienë personale dhe distancë fizike

4. Izolim dhe sa më pak kontakte me njerëzit e moshuar dhe me komorbiditete (sëmundje kronike)

5. Institucionet vazhdojnë të komunikojnë ndërmjet veti me të vetmin qëllim të jenë sa më efikas në këtë situatë të krijuar

6. Situata është serioze por nuk ka hapësirë për panik

Takimi i radhës i Shtabit të emergjencës u caktua për më datë 26.03.2020 (e enjte) në ora 10:00.

Shërbimi për informim

ILUSTRIM

Një ilustrim i shkurtër për fuqinë dhe rëndësinë e distancës sociale në këto çaste të rëndësishme në luftën kundër shpërndarjes se COVID-19.
Ju lutem, respektoni distancën sociale dhe qëndroni në shtëpi!

Njoftim

Ekipet në Lëvizje për ndihmën e njerëzve me moshë të avancuar dhe me sëmundje kronike, në Komunën e Gostivarit po funksionojnë pa ndërprerje.
Të gjithë pjesëtarët e këtyre ekipeve janë të instruktuar profesionalisht për të kryer me sukses detyrat e tyre.
Ne jemi një qytet, ne jemi një Shtëpi!
Ju lutem kontaktoni me numrat e shënuar më poshtë:
072 577 713
072 577 741

Njoftim

20.03.2020

Të nderuar qytetarë,

Ju njoftojmë se prej të hënës (23.03.2020) administrate komunale do të punojë me orar të reduktuar, respektivisht prej në ora 09:00 deri në ora 13:00.

Përderisa janë në fuqi masat qeveritare për mbrojtje nga pandemia e virusit korona, do të punohen vetëm lëndët që nuk mund të shtyhen.

Qendra për shërbime komunale që gjendet në katin përdhes të objektit, do të vazhdojë me kujdestari deri në ora 16:00.

Kërkojmë mirëkuptim nga ana juaj dhe përsërisim apelin që tu përmbaheni rekomandimeve për mbrojtje nga virusi korona.

#PaPanik

#RriNëShtëpi

Shërbimi për informim 

Njoftim

20.03.2020

Të nderuar qytetarë,

Ju njoftojmë se Tregu i madh i qytetit nuk do të punojë në 30 ditët e ardhshme.

Është ky vendim i përbashkët i kryetarit të komunës Arben Taravari dhe Shtabit të emergjencës të Gostivarit, si dhe me mirëkuptim nga ana e drejtuesve të Ndërmarrjes “Progres Pazari” që menaxhon me Tregun e madh të qytetit.

Kërkojmë mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe apelojmë që tu përmbahen rekomandimeve për mbrojtje nga pandemia e virusit korona.

#PaPanik

#RriNëShtëpi

Shërbimi për informim