Çerdhet për fëmijë në Forinë dhe Raven janë gati, pritet pëlqimi prej Ministrisë së dikasterit

,

02.10.2018

Komuna e Gostivarit ka përfunduar me obligimin e saj për përgatitjen e dy Qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror, për grupmoshën prej 3 deri më 5 vjeç, në fshatin Forinë dhe në fshatin Raven, si pjesë e grantit të përfituar nga UNICEF-i në vlerë prej rreth 18 mijë euro.

Në bazë të memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim me UNICEF-in, Komuna e Gostivarit mori përsipër që të kofinancojë 10 mijë euro, me çka u përmbushën të gjitha kushtet e nevojshme për mësonjëtoret që do të funksionojnë në kuadër të godinave ekzistuese shkollore.

Për çerdhet në fjalë, vijojnë procedurat për marrjen e Pëlqimit nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, pas çka të njëjtat do të vihen edhe në funksion.

Nga Sektori për Veprimtari Publike, njoftojnë se Komuna e Gostivarit do të angazhohet që përmes granteve dhe mjeteve të veta buxhetore, të hapë sa më shumë qendra të këtilla dhe me përkujdesje dhe edukim të përfshihen edhe fëmijët e moshës parashkollore në fshatrat tjera përfshirë këtu edhe zonat më të thella rurale.

Shërbimi për informim