Çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme publike të komunës së Gostivarit, të përgatitura për sezonin e ngrohjes

,

21.10.2018

Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe kopshtet e fëmijëve të komunës së Gostivarit janë të furnizuara me lëndë djegëse dhe prej nesër do të fillojë edhe ngrohja e tyre.

Një pjesë e shkollave kanë rezerva nga viti i kaluar, ndërsa tek ato ku lëndët djegëse mungonin, të premten ka përfunduar furnizimi qoftë me naftë qoftë me dru.

“Në shumicën e objekteve shkollore në komunën e Gostivarit funksionon ngrohja qendrore me naftë, ndërsa vetëm në disa shkolla në zonat rurale për ngrohje shfrytëzohet druri. Pjesa më e madhe e shkollave kishin rezerva nga viti i kaluar, ndërsa aty ku mungonte nafta ose drutë , furnizimi përfundoi të premten dhe lirisht mund të themi se jemi të përgatitur për të startuar të hënën me ngrohje, kur sipas parashikimeve do të ulen edhe temperaturat”, njofton Aslian Snopçe – udhëheqëse e Sektorit të arsimit pranë Komunës së Gostivarit.

Vlen të theksohet se para pak ditësh përfundoi edhe instalimi i ngrohjes qendrore në shkollën periferike në fshatin Zdunjë, ndërsa planifikohet që ngrohje qendrore të instalohet edhe në ato pak shkolla ku ajo mungon.

Ndërkaq, tash në prag të sezonit të reshjeve të shiut dhe borës, si problem mbetet pullazi i SHF “Goce Dellçev”, për çka Komuna e Gostivarit ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe pritet miratimi dhe financimi nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Shërbimi për informim