07.03.2018
Dita e Mësuesit – 7 Marsi, po festohet sot nëpër të gjitha shkollat në territorin e komunës së Gostivarit, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Nxënësit, nën udhëheqjen e mësimdhënësve të gjuhës shqipe, arsimit figurativ, arsimit muzikor dhe edukatës fizike, me program kulturor dhe artistik shënojnë hapjen e mësonjëtores së parë në mars të vitit 1887 në Korçë, duke treguar njëkohësisht respekt ndaj mësimdhënësve të tyre për misionin e tyre të shenjtë.

Sonte me fillim në ora 19, në Qendrën për Kulturë, në organizim të Komunës së Gostivarit, do të mbahet manifestimi qendror, me një program të pasur kulturor-artistik nga ana e AKVP “Besa”, ndërsa kryetari Arben Taravari do tu ndajë mirënjohje mësimdhënësve të cilët janë pensionuar, apo kanë ndërruar jetë pas 7 marsit të vitit të kaluar.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe administrata komunale, të gjithë mësimdhënësve shqiptarë ua uron Ditën e Mësuesit.

Shërbimi për informim