03.09.2019

Rreth 650 fëmijë, u ulën sot për të parën herë në bankat e shkollave fillore komunale të Gostivarit. Dita e parë e vitit të ri shkollor, si në shkollat e qytetit ashtu edhe në ato të mjediseve rurale, u shënuan me solemnitete modeste për çka krahas shkollave u përkujdes edhe Sektori i arsimit pranë Komunës së Gostivarit.

Përfaqësues të sektorit të arsimit, vizituan sot gati se të gjitha shkollat publike, me ç’rast të gjithë nxënësve të klasave të para u dhuruan nga një pako me vegla mësimore dhe me fletë-urimet që përcillnin mesazhe të ndryshme.

Në solemnitetin me rastin e pranimit të nxënësve të klasave të para në SHFK “Faik Konica” mori pjesë edhe kryetari i komunës Arben Taravari, i cili ua uroi fëmijëve nisjen e rrugëtimit të tyre për edukim dhe arsimim, si dhe shprehu përkrahjen e tij për kërkesat mësimdhënësve për kushte më të mira pune.

Fjalë rasti mbajti edh drejtoresha e shkollës znj. Sanije Durmishi.

Për disponimin e mirë të nxënësve, u kujdesën personat e angazhuar nga Komuna e Gostivarit, të veshur si personazhet e filmave të animuar.

Shërbimi për informim