09.02.2018

Komuna e Gostivarit ka përfituar grant nga UNICEF-i në vlerë prej rreth 18 mijë euro për hapjen e dy Qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror. Një paralele për fëmijë të moshës prej 3 deri më 5 vjeç, do të hapet në fshatin Forinë, ndërsa tjetra në fshatin Raven.

Në bazë të memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim me UNICEF, Komuna e Gostivarit obligohet që të kofinancojë 10 mijë euro, mjete këto të nevojshme për të përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për mësonjëtoret që do të funksionojnë në kuadër të godinave ekzistuese shkollore.

Nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë komunës së Gostivarit, njoftojnë se pas ndjekjes së procedurave përkatëse, menjëherë  do të kalohet në realizimin e punëve përkatëse dhe Qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror në Forinë dhe Raven të fillojnë të funksionojnë brenda këtij viti.

Komuna e Gostivarit do të angazhohet që përmes granteve dhe mjeteve të veta buxhetore, të hapë sa më shumë qendra të këtilla dhe me përkujdesje dhe edukim, të përfshihen edhe fëmijët e moshës parashkollore nga zonat më të thella rurale.

Shërbimi për informim