“E vërteta për BDI-në” – Bejta ka lëshuar aktvendime për legalizim pa nënshkirmin e shefit të urbanizmit

22.02.2018

Në konferencën e sotme për shtyp në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, zëdhënësi i komunës së Gostivarit, përmes dokumenteve zyrtare zbardhi rastet e shkeljeve flagrante në sferën e urbanizimit nga ana e ish kryetarit të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Fillimisht ju rikujtojmë se kur Nevzat Bejta ishte ministër i pushtetit lokal në vitin 2011, ai në mbledhje të qeverisë kërkoi marrjen e ingerencave në sferën e urbanizmit Komunës së Gostivarit në kohën kur me të udhëhiqte Rufi Osmani. Qeveria e atëhershme VMRO-BDI këtë edhe e bëri më 29 janar 2012, pikërisht në kohën kur në fuqi ishin dy ligje paralele, respektivisht Ligji për ndërtim dhe Ligji për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje. Asokohe, inspektorët evidentuan 52 objekte në ndërtim, pa dokumentacionin adekuat dhe këto objekte edhe sot e kësaj dite kanë probleme me zgjidhjen e statusit juridik. Respektivisht për të gjitha këto objekte u përgatitën Procesverbale dhe Aktvendime për prishje dhe evidentohen si ndërtime të egra për tu prishur, që nënkupton se as mund të legalizohen, e as të lëshohet leje ndërtimi për to”, shpjegoi Demiri

“Por, për “të fortin e Gostivarit ligjet nuk vlejnë” dhe ai, pra Nevzat Bejta, kur kanë qenë në pyetje interesat personale, me siguri për përftime materiale, ka qenë në gjendje të suprimojë ligjet dhe të anashkalojë shërbimet përkatëse dhe vetë-personalisht të nënshkruajë aktvendime për legalizim të ndërtimeve të egra”, tha në vazhdim zëdhënësi i komunës së Gostivarit.

Ai, shpalosi para gazetarëve edhe aktvendimet në të cilat, mungon nënshkrimi i udhëheqësit të Sektorit të urbanizimit, e kjo flet qartë se i njëjti, të paktën në këtë rast nuk ka dashur të bëhet pjesë e krimit.

Shërbimi për informim