18.01.2018

Në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, përfaqësuesit e Ndërmarrjes publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” – Gostivar, sot në një konferencë për shtyp shpalosën keqpërdorimet e bëra në këtë ndërmarrje nga udhëheqësia e kaluar.

Konferencën për shtyp jua përcjellim në mënyrë integrale.

“Në kuadër të fushatës te filluar nga kryetari Arben Taravari ‘’E vërteta për BDI-në ‘’ sot do të fokusohemi në Ndërmarrjen Publike ’’Parkingjet publike dhe gjelbërimi” – Gostivar.

Në bazë të revizionit të brendshëm në këtë ndërmarrje, janë konstatuar disa shkelje dhe parregullsi procedurale:

– Borxhe të trashëguara në vlerë prej 5.250.452.00 apo 85.500 euro, borxhe që kanë ngelur për shkak të investimeve joproduktive ose jokapitale, por vetëm ndaj firmave që kanë fituar tenderët. Tatimi personal i rrogave i papaguar nga janari e deri ne shtator të viti 2017 në vlerë prej 501.485,00 denarë, është lënë pas dore për arsye të panjohura edhe pse ka pas mjete të mjaftueshme për pagesën e së njëjjtës.

-Kontrata e lidhur për partneritet privato-publik për parkim zonal me ndërmarrjen Duna Kompjuters SHPK Shkup e lidhur më datë 14.11.2014 me NP Komunalec dhe me aneks kontratën që ka trashëguar kjo ndërmarrje e lidhur me datë 06.10.2015 ku në këtë kontratë në nenin 9 është paraparë ndarja me 62% neto për Ndërmarrjen Publike dhe 38% neto për Duna Kompjuters SHPK, por gjatë gjithë kohës ndarja është bërë në bruto për arsye që nuk i dimë dhe nga kjo është dëmtuar buxheti i ndërmarrjes me nga 300.000 den (5000 euro) për çdo muaj që kanë shkuar në favor të Duna Kompjuters. E njëjta kontratë është nënshkruar nga vetë Ndërmarrja dhe është bërë shkelje nga e njëjta. Ne punojmë për eliminimin e këtyre parregullsive.

– Derisa në kuadër të Ndërmarrjes Publike funksionon edhe sektori për gjelbërimit (dhe kemi të sistemuar punëtor dhe posedojmë të gjitha mjetet e nevojshme për kryerjen e veprimtarisë për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërimit) edhe pse posedojmë mjetet e nevojshme dhe punëtor, është hapur tender nga ana e ndërmarrjes publike për rregullimin hortikulturor dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërimit, dhe e ka fituar një firmë private në vlerë prej 1.638.152 denarë më datë 24.04.2017, prej të cilave 638.152 denarë kanë qenë për furnizime dhe 1.000.000 denarë kanë qenë për mirëmbajtjen e hapësirave publike me gjelbërim, nga ku do të veçojmë se është fakturuar prerja e një druri për 15.500 denarë. Këtu është dëmtuar buxheti i NP diku rreth 1.000.000 denarë.

– Në parkingjet e tipit të mbyllur është punuar me bileta në dorë dhe pa llogari fiskale. Sa për krahasim, të hyrat mujore nga këto parkingje kanë qenë me një mesatare prej 15.000.00 denar,, ndërsa tani gjithçka është e fiskalizuar dhe të hyrat reale të atij parkingu janë me sa vijon: Nga 16 nëntori, dmth në gjysmën e dytë të muajit kur detyrën e mori udhëheqësia e re aktuale, janë regjistruar të hyra 33.000,00 denarë, për muajin Dhjetor 100.000.00 denarë dhe deri këto dy javë të para të janarit më datë 16.01.2018 është 129.290.00 denarë, që nënkupton se të ardhurat janë ritur për 660%. I mbetet ish drejtorit që të japë sqarim për se të hyrat kanë qenë aq të ulëta përderisa kapaciteti real i atyre parkingjeve flet ndryshe.”

Shërbimi për informim