26.11.2018

Me një ceremoni rasti, sot në mënyrë solemne u hap Panairi i librit “Gostivari 2108”.

Bashkë-organizatorë të panairit, i cili njëherit është edhe i pari në këtë format në Gostivar, janë Komuna e Gostivarit dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni.

Në prani të qindra vizitorëve në palestrën sportive “Rinia”, fjalim rasti mbajti kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili mes tjerash theksoi, se mënyra më e mire për të zhvilluar imagjinatën është leximi, andaj apeloi që secili vizitor të blejë të paktën një libër.

“Dua që si mjek, neurolog, të dërgoj një mesazh. Mënyra më e mire për të zhvilluar imagjinatën, është leximi i librave. Shpresoj që masovikisht qytetarët e Gostivarit dhe rajonit më të gjerë do ta vizitojnë këtë panair dhe se do të blejnë të paktën nga një libër. Le t’i shmangim sa më shumë celularët dhe tabletet dhe sa më shumë kohë t’i kushtojmë leximit, sidomos gjeneratat e reja”, nënvizoi kryetari Taravari.

Panairi i librit “Gostivari 2018” do të jetë i hapur tri ditë, respektivisht deri të mërkurën. Do të prezantohen 14 shtëpi botuese nga Maqedonia dhe Shqipëria, me libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, vepra letrare bashkëkohore dhe klasike, letërsi profesionale, shkencore dhe beletristike, lektyra shkollore, enciklopedi dhe vepra nga sfera e kulturës dhe artit, të destinuar për të gjitha grupmoshat.

Shërbimi për informim