Nga dita e sotme në hapësirat e Komunës së Gostivarit filloi mbledhja e pajisjeve nga qytetarë të cilët dëshirojnë të dhurojnë pajisje teknologjike për fëmijët të cilët për shkaqe ekonomike nuk kanë mundësi të ndjekin procesin mësimor nga largësia, i cili u inponua për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Komuna e Gostivarit dhe kryetari Arben Taravari e filluan këtë fushatë ditë më parë. Pjesë e këtij aksioni është bërë edhe Asociacioni i të Rinjëve të Organizuar (OYA) nga Gostivari.

“Të dashur bashkëqytetarë, të dashur prindër dhe ju mërgimtarë dhe kompani, duke e ditur që fëmijët janë arma jonë më e fuqishme dhe më e ndjeshme njëkohësisht, ju bëjmë thirrje që t’i bashkangjiteni kësaj iniciative që ka për qëllim sigurimin e një pajisjeje për secilën familje dhe fëmijë të prekur nga kjo dukuri. Sipas dëshirës dononi me aq sa keni mundësi. Le të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë edhe më shumë në zhvillimin e fëmijëve tanë. Ato janë ardhmëria jonë, ardhmëria e këtij vendi. Jemi të bindur që një ditë, ndihma juaj, do të bëj të krenoheni me arritjet e tyre”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari.

Vlora Demiri nga Asociacioni i të Rinjëve të Organizuar nga Gostivari, tha se në Gostivar mendohet të ketë mbi 800 nxënës që nuk posedojnë pajisjet e nevojshme për të ndjekur mësimin nga distanca.

Pajisjet, mund të dërgohen deri të еnjten në ora 14:00 në hapësirat e Komunës së Gostivarit.
Ndryshe, periudhën e kaluar edhe disa kompani dhe idividë nga Gostivari dhuruan pajisje të tilla, nga të cilat donacione deri më tani janë grumbulluar 74 pajisje teknologjike.