17.10.2018

Fshati Çajlë së shpejti do të ketë kanalizim fekal në të cilin do të mund të kyçen të gjitha amvisëritë.
Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e kanalizimit në afërsi të Shkollës fillore, ndërsa në fazën finale janë përgatitjet për fillimin e ndërtimit të kanalizimit në pjesën e fshatit që akoma nuk është përfshirë me kanalizim.

“Filluan sot punimet për ndërtimin e kanalizimit fekal në gjatësi prej 150 metrash, në afërsi të shkollës fillore të fshatit Çajlë. Linja ka gjatësi prej 150 metrash, me çka do të bëhet kyçja në linjën kryesore të kanalizimit. Në ndërkohë, jemi në fazën finale të përgatitjeve për fillim të punimeve për ndërtim të kanalizimit në pjesën e fshatit e cila akoma nuk është përfshirë me kanalizim, pas çka të gjitha amvisëritë e këtij fshati do ta kenë mundësinë që të kyçen në kanalizimin fekale dhe kjo çështje njëherë e përgjithmonë të mbyllet në këtë fshat”, njofton Isak Lazami – drejtor i NP “Komunalec” e cila e realizon projektin.

Përfshirja e gjithë fshatit në rrjetin e kanalizimit, ishte një ndër premtimet parazgjedhore të kryetarit Arben Taravari për këtë vendbanim fqinj të qytetit të Gostivarit, i cili dalë-ngadalë po bëhet edhe realitet.

Shërbimi për informim