Filloi ndërtimi i linjës së ujësjellësit në fshatin Debresh

Taravari: Sasia e ujit do të dyfishohet, projekti do të përfundojë për dy muaj

16.07.2018

Ka filluar ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit në fshatin Debresh me gjatësi prej 2300 metrash. Projekti duhet të përfundojë brenda dy muajsh, ndërsa sasia e ujit të pijshëm në këtë fshat, do të dyfishohet.

Fillimin e punimeve e ndoqi nga afër kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Isak Lazami.

“Debreshi ishte në prej fshatrave që ankoheshin shumë shpesh për mungesë të ujit të pijshëm. Mendojmë se me ndërtimin e kësaj linje të re me gjatësi prej 2300 metrash, respektivisht me marrjen ujë edhe nga dy burime shtesë, sasia e ujit në këtë fshat, do të dyfishohet. Në lagjet të cilat aspak s’kanë qenë të lidhura me ujësjellësin e qytetit, do ta instalojmë edhe rrjetin dhe jam i bindur se për tetë javë, Debreshi do të ketë madje tepricë uji, e jo mungesë siç ka pasur vazhdimisht”, theksoi Taravari.

Ndërkaq drejtori i NP “Komunalec”, Isak Lazami, informoi se nënshkrimi i Marrëveshjes me Sekretariatin për Çështje Ekonomike të Zvicrës (SECO) përfshin edhe përmirësimin e furnizimit me ujë edhe të fshatit Debresh.

“Konkretisht, prej fshatit Zdunjë deri në Debresh do të bëhet zëvendësimi i gypit kryesor të ujësjellësit, respektivisht do të ndërtohet linjë e re e ujësjellësit e cila përfundimisht do ta rehabilitojë problemin me ujë të pijshëm në fshatin Debresh. Gypat janë polietilen centrifugal, që konsiderohet si material mjaft cilësor“, nënvizoi Lazami.

Në emër të banorëve të fshatit, kryetarin e komunës dhe drejtorin e  ndërmarrjes i falënderoi kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Denresh,  Besir Suejmani, për angazhimin e tyre në drejtim të zgjidhjes së problemit jetik të këtij fshati.

Vlen të theksohet se në fshatin Debresh krahas projekteve që realizon Komuna e  Gostivarit, siç është ndërtimi i paradokohshëm i kanalizimit, realizohen edhe projekte për pastrim të fshatit me vetorganizim të banorëve të fshatit dhe me mbështetje të Komunës dhe ndërmarrjeve të saja publike .

Shërbimi për informim