Ftesë qytetarëve për prezantim publik të buxhetit

Të nderuar qytetarë,

Në vazhdën e synimeve të mia dhe bashkëpunëtorëve të mi, që të rrisim nivelin e transparencës në punën e Komunës së Gostivarit, dhe me qëllim që ju të bëheni faktorë aktivë dhe të përfshiheni në debatet të cilat drejtpërdrejti prekin interesat tuaja individuale, grupore dhe kolektive, vendosa që unë si propozues dhe udhëheqësi i Departamentit për buxhet dhe kontroll – Sadri Elezi në cilësinë e përpiluesit, ta prezantojmë para jush propozim-buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2018.

Prezantimi do të mbahet të martën (02.01.2018) me fillim në ora 16:00 në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Ju ftojë që të merrni pjesë në këtë prezantim dhe të shpalosni vërejtjet dhe sugjerimet e tyre rreth buxhetit.

Propozimet tuaja të arsyeshme do të merren në konsideratë, do të shqyrtohen dhe sipas mundësisë do të përfshihen në propozim-buxhetin e Komunës për vitin 2018.

Shpresoj që në ditët në vazhdim të arrihet edhe kompromisi në Këshill dhe të kapet afati i fundit që në ditët e para të vitit 2018 të miratojmë buxhetin dhe menjëherë të fillojmë me realizimin e tij.

Me respekt,
Arben Taravari
Kryetari i komunës së Gostivari