Gjatë pandemisë, Komuna e Gostivarit ka realizuar mbi 150 mijë euro investime nëpër shkolla

Gjatë kohës së izolimit nga pandemia, kur objektet shkollore mbetën pa nxënës, në shumë shkolla të Gostivarit dhe rrethinës ka pasur mbi 150 mijë euro investime. Njëra nga këto shkolla është edhe SHF “Ismail Qemali”, të cilën sot e ka vizituar një delegacion nga komuna e Gostivarit, i kryesuar nga kryetari Arben Taravari.

Ai me këtë rast deklaroi se investimet në shkolla kanë ardhur si nevojë për kushte më cilësore për nxënësit, duke sqaruar se vetëm te kjo shkollë janë rinovuar të gjitha toaletet, dy kabinete, zyra e mësimdhënësve dhe oborri i shkollës. “Sot vizituam Shkollën Fillore “Ismail Qemali” ku kohëve të fundit janë bërë investime të shumta kapitale. Janë renovuar në tërësi të gjitha nyjet sanitare me sistem të ri të ujit dhe kanalizimit (gjithsej 8 tualete). Janë renovuar kabinetet e kimisë dhe biologjisë, janë renouar salla dhe zyrat e arsimtarëve.

Është bërë rregullimi i oborrit. Përgëzoj drejtoreshën e shkollës Shpresa Useini dhe përgejgjësen e arsimit Aslian Snopçe për punën e palodhshme”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravri.

Kryetari Taravari bëri të ditur se të gjitha këto investime janë kryer me mjete nga buxheti komunal dhe disa donacione, por pa përkrahje financiare të Ministrisë së Arsimit. Drejtoresha e Shkollës fillore “Ismail Qemali”, Shpresa Useini, u shpreh mirënjohëse për investimet e bëra nga Komuna e Gostivarit, pasi sipas saj disa pjesë të shkollës, përfshirë edhe kabinetet, kishin nevojë urgjente për rinovim dhe funksionalitet të plotë. Aslian Snopçe nga Sektori për Arsim pranë Komunës së Gostivarit, tha se në investimet e reja kanë pasur në fokous renovimin e hapësirave të brendshme nëpër shkolla, po ashtu edhe investime në oborre dhe kënde lojrash dhe sigurimin e pajisjeve të reja në çerdhet e Gostivarit.