13.09.2018

Në Gostivar ristarton pas dy javësh parkimi zonal. Sot u nënshkrua marrëveshja për partneritet për furnizim e cila ndërmarrjes për menaxhim me parkingjet publike si dhe qytetarëve të Gostivarit në përgjithësi do t’ju sjellë shumë dobi, ndërsa vitin e ardhshëm do të aplikohet edhe smart-sistemi, i pari i këtij lloji jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan.

Në mjediset e komunës së Gostivarit, sot u nënshkrua marrëveshja për partneritet për furnizim ndërmjet NP “Parkingje publike dhe gjelbërim” dhe Elektro Soft Inzhinjering. Marrëveshja e nënshkruar shkon në dobi të Komunës së Gostivarit dhe qytetarëve të saj, dhe e njëjta vjen pas shfuqizimit para disa muajve të një kontrate të dëmshme të lidhur në mandatin e shkuar.

Kontrata u nënshkrua në prani të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ndërsa të njëjtën në emër të NP “Parkingje publike dhe gjelbërime” e nënshkroi drejtori Muzafer Zulbeari dhe në emër të “Elektro Soft Inzhinjering”, drejtori i saj Zllatko Rizov.

 Kontrata të cilën e nënshkruam sot është shumë më e favorshme se ajo paraprake, sepse madje 90 për qind të fitimit do të shkojë për Komunën respektivisht ndërmarrjen publike, dhe vetëm 10 për qind për parterin privat. Presim që parkimi zonal të nisë të funksionojë brenda dy javësh, ndërsa shumë shpejt, si risi do të jetë edhe aplikimi i senzorëve dhe sinjalistikës që shoferët të mund të informohen në çdo kohë se ku ka vend të lirë për parkim, kështu që nuk do të ketë nevojë të bredhin rrugëve me makinat për të gjetur vendparkim, të harxhojnë më shumë karburant dhe me këtë edhe të ndotin më shumë ajrin”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari pas nënshkrimit të kontratës.

Drejtori i “Elektro Soft Inzhinjering”, ndërmarrje kjo e cila fitoi tenderin, tha se pas dy javësh fillon faza e parë e projektit që nënkupton fillimin e funksionimit të parkimit zonal, faza e dytë nënkupton lëshimin në përdorim të dy parkingjeve të mbyllur dhe faza e tretë aplikimin e senzorëve që do të ndodhë vitin e ardhshëm.

“Aplikimi i sistemit me senzorë nënkupton që shoferët nëpërmjet celularit të dinë saktë se ku ka vend të lirë për parkim, ndërsa edhe pa atë aplikacion në celular vozitësit do të mund të orientohen përmes sinjalistikës së instaluar. Kur do ta bëjmë këtë, Gostivari do të jetë jo vetëm qyteti i parë në Maqedoni me parkim të këtillë por mendoj se edhe i pari në Ballkan”, theksoi drejtori Zllatko Rizov.

“Siç edhe e premtuam kur e prishëm kontratën paraprake, ashtu edhe ndodhi, pra nënshkruam sot një marrëveshje që shkon në dobi të ndërmarrjes dhe qytetarëve të Gostivarit. Mjetet e grumbulluara nga fitimi ku për ndërmarrjen do shkojnë 90 për qind, do t’i investojmë për mirëmbajtjen e gjelbërimit ekzistues dhe zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara në territorin e Komunës së Gostivarit”, theksoi drejtor i NP “Parkingje publike dhe gjelbërime” – Muzafer Zulbeari.

Vlen të theksohet se çmimet e shërbimeve sipas zonave, do të mbeten të njëjta.

Shërbimi për informim