Gostivari shënoi Ditën Botërore e luftës kundër autizmit

,

02.04.2018

Dita Botërore për Luftën kundër Autizmit, në Gostivar u shënua me aktivitete të shumta. Në shënimin e kësaj dite, krahas Komunës së Gostivarit u përfshinë Qendra ditore për fëmijë me nevoja speciale – Gostivar Organizata Komunale e Kryqit të Kuq – Gostivar, SHFK “Bashkimi” – Gostivar, sektori i biznesit dhe shoqata civile dhe ekspertë nga Maqedonia dhe Shqipëria që merren me trajtimin e fëmijëve autikë.

Aktivitetet filluan me një marshim për ndërgjegjësimin për luftë kundër autizmit, prej Qendrës ditore deri te sheshi i qytetit ku restoranti “New Albis” nga Gostivari, ndau 70 procione me ushqim për fëmijët autikë. Pjesëmarrësit në marsh mbanin bluza me moton“Shine on light of autism” (Rreze drite për autizmin)

Në SHFK “Bashkimi”, në bashkëpunim me OK KK – Gostivar u organizua një treg bamirësie ndërsa fondet e mbledhura janë destinuar për të ndihmuar një familje të varfër me një fëmijë me nevoja të veçanta.

Aktivitete për të shënuar Ditën Botërore kundër autizmit u finalizuan me një ligjëratë në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit në temë: Të tejkalojmë dallimet, të njohim njëri-tjetrin”. Ligjëratë u ndoq nga përfaqësues të Sektorit për veprimtari publike të Komunës së Gostivarit, pedagogët dhe psikologët e shkollave fillore komunale, defektologët dhe logopedët nga rajoni i Gostivarit, si dhe prindërit e fëmijëve me autizëm, ndërsa ligjërues ishin ekspertë të njohur nga qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me autizëm në Shqipëri.

Vlen të përmendet se aktivitetet për hapjen e Qendrës për fëmijët autikë në objektin e Konviktit komunal të nxënësve “Branko Stanoeviq” – Gostivar kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të vihet në funksion.

Shërbimi për informim