Hapet këndi i ri fëmijëve te banesat kolektive te tregu i qytetit

29.02.2018

Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e këndit ë ri për fëmijë tek banesat kolektive përballë tregut të madh të qytetit në Gostivar, si pjesë e projektit të Komunës së Gostivarit për ndërtimin e katër këndeve të reja dhe riparimin e dy këndeve ekzistuese të lojërave në territorin e komunës.

Këndi i ri i fëmijëve tashmë është në funksion dhe shfrytëzohet nga fëmijët që banojnë në këtë pjesë, ndërsa prindërit shprehen shumë të kënaqur që tani kanë mundësi më shpesh t’i nxjerrin fëmijët si dhe më lehtë t’i kenë nën kontroll, shkaku i afërsisë së këndit me banesat e tyre.

Paraprakisht u ndërtuan këndet e lojërave te shkolla “Faik Konica” në fshatin Debresh, dhe përballë Gjykatës në Gostivar, kënd ky tek i cili u instalua edhe ndriçim publik që të mund të shfrytëzohet edhe në orët e mbrëmjes.
Për rregullimin e këndeve të fëmijëve Komuna e Gostivarit ka ndarë nga buxheti i saj rreth 2,3 milion denarë. Por, krahas këndeve që janë planifikuar për këtë fazë, në periudhën e ardhshme do të ndërtohen edhe disa të tjera në qytet dhe nëpër fshatra.

Shërbimi për informim