Komuna e Gostivarit ka arritur realizim rekord të Buxhetit të saj gjatë vitit që lamë pas. Kryetari Arben Taravri theksoi se realizimi ka qenë historik me 98,2 %. Kjo përqindje ndodh për herë të parë në 29 vite pluralizëm në Gostivar.

“Me rebalancin e Buxhetit të vitit 2019-të ne kishim vlerë të planifikuar të parave me një miliard e 25 milion denarë dhe realizimi i këtij buxheti është një miliard e shtatë milion denarë, ose në përqindje 98,2 %. Mendojë se është një prej rekordeve që është arritur këto 29 vite nga Komuna e Gostivarit, por edhe si vlerë pasi asnjëherë nuk ka pasur një miliard as në të hyra e sa në të dalat e realizimit të Buxhetit. Në llogarinë themelore të Buxhetit të Komunës së Gostivarit kanë qenë të planifikuara 376 milion denarë dhe janë realizuar gjithsejt 382,4 milion denarë që nënkupton se e kemi tejkaluar edhe përqindje prej 100 %. Të hyrat si te Buxheti themelor edhe te ai i konsoliduar në shumë absolute dhe në përqindje paraqet një rekord të cilin nuk e ka pasur asnjëherë komuna ynë”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Duke bërë krahasime mes viteve 2014-2017 dhe viteve 2018-2019, kryetari Taravari tha se palifikimi dhe realizimi janë mbresëlënës, për çka Komuna e Gostivarit është zgjedhur si komuna më transparente në vend.

“Kemi realizim shumë më të lartë gjatë viteve 2018/2019 në krahasim me mesataren e viteve nga 2014-ta deri në 2017-tën. Investimet kapitale në vitin 2018/2019 i kemi 20 % më shumë në krahasim me vitet 2014-të dhe 2017-të. Ne kemi qenë parti opozitare me të gjitha obstruksionet, me mospasjen e shumicës në Këshill i kemi këto rezultate financiare. Kemi rënie të harxhimeve komunale, shërbimet kontraktuese kanë rënë deri 50 % në krahasim me mesataren 2014/2017, rritja e transfere në organizatat jo qeveritare është 13 milion denarë, apo dhjetë milion më shumë se mesatarja e viteve 2014/2017. Prandaj, nuk është e rastësishme që kemi lëvdata edhe prej ambasadave dhe miqve tanë që jemi një prej komunave e cila ka raporte dhe relacione shumë të mira me shoqërinë civile. Poashtu, jemi komuna më transparente në RMV, e dini se në Pollog u zgjodhëm më transparetja që përsëri kjo vjen si rezultat i punëve tona të përbashkëta për këto dy vite e gjysëm”, deklaroi më tej i pari i Gostivarit, Arben Taravari.

Krahasuar me komunat tjera të vendit, konkretisht 15 për të cilat ka të dhëna, Komuna e Gostivarit është më e mira në realizimin e planifikimit të investimeve kapitale. Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë séancës e 23 të Këshillit të Komunës së Gostivarit e cila u mbajtë sot.