Taravari: Fëmijët me pengesa në zhvillim, t’i përfshijmë në institucionet së bashku me fëmijët tjerë

14.12.2017

UNICEF-i në partneritet me Festivalin e filmik Shkup, organizoi sot një mini festival filmik të titulluar“Karvani për fëmijëri pa pengesa”, që ka për qëllim të promovojë të drejtat dhe aftësitë e fëmijëve me pengesa në zhvillim.

Fjalë përshëndetëse, para emetimit të filmave të animuar me renome ndërkombëtare me tema që lidhen me fëmijët me nevoja speciale, mbajti kryetari i komunës së Gostivarit i cili theksoi se kjo kategori e fëmijëve duhet të kenë mbështetje të fuqishme si në nivel nacional ashtu edhe në nivel lokal, dhe ata në tërësi të jenë të kyçur në shoqëri bashkë me fëmijët tjerë.

Duhet seriozisht të mendojmë për metodën e inkluzionit dhe fëmijët të cilët kanë pengesa në zhvillim të përfshihen nëpër institucione së bashku me fëmijët tjerë. Ma merr mendja se në vitet në vijim do të fillojmë ta zbatojmë këtë metodë për fëmijët me nevoja speciale ashtu siç është praktikë në vendet e zhvilluara”, theksoi kryetari Arben Taravari, me ç’rast falënderoi organizatorët që në karvanin e tyre kanë përfshirë edhe qytetin e Gostivarit.

Të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Elisabeth Ericson e cila porositi fëmijët që mesazhet që jepen në këto filma të animuara, t’i zbatojnë në jetën e tyre të përditshme.

Karvani për fëmijëri pa pengesa” është pjesë e fushatës “Bëhu korrekt. Për fëmijëri Pa pengesa”, ku theks i veçantë vihet mbi nevojën për tu çliruar potenciali nga secili fëmijë.

Paraprakisht festivali filmik u shfaq në Sveti Nikole, Kavadar, Manastir, Shtip dhe Kërçovë.

Shërbimi për informim