Komuna e Gostivarit e para implementon Ueb Platformën Raporto.mk

26.04.2018

Sot e tutje, banorët e komunës së Gostivarit mund të raportojnë në mënyrë të lehtë ankesat e tyre për problemet e kategorive siç janë: mbeturinat, gropat në rrugë, ndotësit e ajrit, ndriçimi publik, trotuaret e dëmtuara, rrugë të papastruara nga bora dhe akulli, si dhe probleme të tjera komunale me të cilat ballafaqohen në vendet ku banojnë dhe gravitojnë. Kjo falë vënies në funksion të Platformës online Raporto.mk.

Në promovimin e kësaj platforme që u bë sot para përfaqësuesve të administratës komunale, sektorit civil dhe qytetarëve në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, kryetari i komunës Arben Taravari theksoi se zbatimi i një platforme të tillë i ka lindur si ide gjatë vizitës në Bashkinë e Tiranës ku tashmë implemnetohet një Platformë e ngjashme e quajtur “Tirana ime” dhe ka vendosur që komuna e Gostivarit të jetë pilot komuna e parë në Maqedoni ku do të vihet në funksion Platforma Raporto.mk.

“Komuna e Gostivarit është e para që vendos në funksionon një mjet të komunikimit të qytetarëve me shërbimet komunale duke përdorur veglat teknologjike në Maqedoni. Jemi të përcaktuar që të vazhdojmë me transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve duke zhvilluar mjete tjera teknologjike për zhvillim të demokracisë” theksoi mes tjerash Taravari.

Ai falënderoi me këtë rast, Shoqatën Nexus CC, Ambasadën Amerikane në Shkup dhe OJQ Democracy Lab që bënë të mundshëm jetësimin e kësaj Platforme.

“Plani ynë është që pas një periudhe të përdorimit të suksesshëm të kësaj platforme nga ana e qytetarëve të Gostivarit, e njëjta të aplikohet edhe në Komunat tjera më të mëdha urbane në Maqedoni, ku komuna e Gostivarit do të shërbejë si një shembull pozitiv. Do të falënderoja me këtë rast kryetarin Arben Taravari që na i dha mundësinë për implementimin e e këtij projekti, si dhe administratën komunale për organizimin e këtij eventi sot”, theksoi kryetarja e Nexus CC ,Afrodita Musliu.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Albion Abdullai, i cili tha se ndjehet krenar që përkrah një projekt të këtillë në Komunën e Gostivarit dhe beson në sukseshmërinë e të njëjtit.

Raporto.mk realisht do të pasqyrojë të gjitha vështirësitë qe hasin qytetaret e Gostivarit, ndërsa vendosmëria e udhëheqësisë së Komunës së Gostivarit është shumë e qartë dhe do të tentohet që me resurset njerëzore me të cilat disponon, të zgjidhen sa më shumë raste ato që do të raportohen përmes platformës.

Raporto.mk është krijuar në bazë të platformës së hapur FixMyStreet të MySociety dhe e ofruar përmes DemTools të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
Platforma është pjesë e Projektit “Qytetarët për Komunën: Së bashku për transparencë dhe përgjegjësi” i zbatuar nga SH.Q. NEXUS- Koncepti Civil dhe pjesërisht i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup, ndërsa për zbatimin e saj në Komunën e Gostivarit, më 5 mars të këtij viti kryetari Taravari nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e Shoqatës qytetare Nexus CC.

Shërbimi për informim