09.02.2018

Në kuaër të Programit rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor, kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari nënshkroi dje Memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesen e UNDP-së, Luiza Vinton dhe të Delegacionit të BE-së, Nikolas Bertolini.

Në dy vitet e ardhshme UNDP do t’i ndajë komunës së Gostivarit 120.000 euro grand për projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Komuna e Gostivarit është një ndër 5 komunat e vetme në Maqedoni që përfitojnë grand të këtillë nga UNDP, ndërsa është përzgjedhur sipas disa kritereve, ndërmjet të cilave diversiteti gjeografik, mundësia për kofinancim të granteve dhe financim transparent me shoqëritë civile.

Programi i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i kofinancuar nga UNDP dhe komunat, siguron mbështetje për projektet me interes publik dhe përmirësimin e shërbimeve komunale dhe cilësinë e jetës për banorët në komuna. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet projekteve për përfshirje sociale, barazi gjinore, grupeve të cenueshme, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Shërbimi për informim